Tetë muaj premtime, asnjë pikë asfalt: Komuna e Kumanovës e la në gropa rrugën në Zonën Industriale

Edhe pse Komuna e Kumanovës prej mbi tetë muajsh thotë se po përgatitet dokumentacioni për rikonstruksionin e rrugës “Zona Industriale”, ky institucion nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske dhe injoron plotësisht nevojat dhe ankesat e qytetarëve. Ndërkohë, gjendja e rrugës përkeqësohet vazhdimisht, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë lëvizjen për banorët dhe afaristët e kësaj zone, shkruan Portalb.mk. 

Pavarësisht kërkesave dhe ankesave të vazhdueshme nga qytetarët, Komuna e Kumanovës prej mbi tetë muaj nuk arrin ta përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për rikonstruksionin e rrugës në “Zonën Industriale”.

Portalb.mk e pyeti Komunën e Kumanovës nëse ka përfunduar dokumentacioni për projektin e rrugës “Zona Industriale” në Kumanovë dhe se kur pritet të fillojë rindërtimi i saj, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Banorët dhe afaristët që punojnë në “Zonën Industriale” të Kumanovës tani më janë shprehur disa herë se mbulimi i gropave me shpenzimet e tyre nuk është zgjidhje afatgjate, pasi çdo reshje shiu i rikthen ato në gjendjen e mëparshme.

Edhe shoferët janë ankuar se shpesh janë të detyruar të ndjekin rrugë më të gjata për të shmangur dëmtimin e automjeteve nga gropat. Ata kërkojnë që kjo rrugë të riparohet sa më parë, pasi përdoret gjerësisht jo vetëm nga banorët e Kumanovës, por edhe nga ata të Komunës së Likovës.

Gropë në mes të rrugës në Zonën Industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Gropë në mes të rrugës në Zonën Industriale në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Në tetor të vitit 2024 Komuna e Kumanovës theksoi se është porositur dokumentacioni për projektin e rrugës “Zona Industriale”.

Të njëjtën përgjigje e morëm edhe në prill të vitit 2025ku theksuan se përgatitja e dokumentacionit është në proces. Nga kjo komunë nuk treguan se kur konkretisht do të jetë gati dokumentacioni dhe kur do të fillojnë punimet për këtë rrugë.

Kujtojmë që vitin e kaluar , banorët dhe afaristët që punojnë në rrugën “Zona Industriale” në Kumanovë, përmes një peticionit kërkuan nga Komuna e Kumanovës rikonstruimin e kësaj rruge. Por, e njëjta ishte refuzuar nga ata me arsyetimin se kjo rrugë nuk është pjesë e programit të tyre të vitit 2024 për ndërtim të rrugëve.