Prindërit e viktimave të Koçanit thonë se kryeministri Mickoski u ka thënë të vendosin çmim për fëmijët e tyre

Prindërit e fëmijëve që vdiqën në zjarrin në diskotekën Pulse në Koçan, në një adresim në faqen e Facebook-ut të Shoqatës së Qytetarëve “16 Mars 2025 Koçani”, akuzuan kryeministrin Hristijan Mickoski se i ka fyer rëndë në një takim në Qeveri të mbajtur më 7 korrik. Sipas tyre, kur po shqyrtonte kërkesën për ndihmë financiare të njëhershme për dhimbje emocionale, kryeministri u tha: “Kjo kërkesë është e njëjtë me propozimin e LSDM-së, vetëm se ju nuk keni vendosur një çmim. Vendosni çmim për fëmijët tuaj”, transmeton Portalb.mk.

Në adresimin e tyre, prindërit shpjegojnë kronologjinë e ngjarjeve në detaje. Më 1 korrik, ata i dërguan kërkesë identike kryeministrit, presidentes Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi. Siç deklarojnë ata, morën përgjigje vetëm nga zyra e kryeministrit, ku caktuan një takim për 7 korrik. Edhe pse këmbëngulën që takimi të mbahej në Koçan, zyra e kryeministrit u përgjigj se kjo nuk ishte e mundur për arsye sigurie.

Në takimin në Qeveri, ku morën pjesë rreth 60 anëtarë të familjes, ata u habitën kur kryeministri deklaroi se kjo ishte hera e parë që e shihte kërkesën e tyre.

“Ne reaguam të zemëruar ndaj kësaj, sepse më 3 korrik – kur na kontaktuan – na u tha se kërkesa ishte pranuar dhe shqyrtuar. Zëdhënësja e tij, Marija Miteva, reagoi ndaj zemërimit tonë, duke shpjeguar se ekziston një procedurë në Qeveri”, thuhet në deklaratë.

Sipas pretendimeve të prindërve, fyerja më e madhe erdhi kur kryeministri filloi të lexonte kërkesën dhe arriti në pikën për ndihmë financiare për dëme jomateriale dhe vuajtje mendore.

“Këto fjalë do të jehojnë përgjithmonë në zemrat tona, si një vdekje tjetër – vdekja e dinjitetit”, shkruajnë prindërit.

Ata thonë në letër se nuk kanë agjenda politike dhe se qëllimi i tyre i vetëm është drejtësia për 62 jetët e reja të humbura në tragjedi. Prindërit gjithashtu kritikojnë sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se gjyqi nuk ka filluar ende dhe të dyshuarit janë në liri.

“Mjaft me manipulime. Mjaft me nënvlerësimin e dhimbjes sonë. Mjaft me gënjeshtrat dhe lojërat në kurriz të jetës së fëmijëve tanë! Qëllimi ynë i vetëm është drejtësia. Ne nuk kemi frikë. Edhe pse jemi nën stres të madh dhe me zemra të thyera, arsyeja dhe lufta jonë nuk ndalen”, thonë prindërit e fëmijëve që vdiqën në tragjedinë në diskotekën Pulse.

Kërkesat e shoqatës janë:

1. Ndihmë financiare një herëshe për secilën familje të prekur nga tragjedia për dhimbje emocionale dhe dëme jomateriale, përmes Fondit të Mbështetjes Emergjente të Buxhetit të Shtetit, me një procedurë të qartë dhe transparente pagese

2. Pension i parakohshëm ose pension invaliditeti për prindërit e të ndjerit në tragjedi

3. E drejta për pushim ose mbrojtje në punë pas humbjes tragjike

4. Mbështetje dhe mbrojtje e fëmijëve që humbën një prind

5. Mbështetje dhe mbrojtje e vëllezërve dhe motrave të të ndjerëve

Ndërkohë Qeveria ka deklaruar se akuzat e prindërve nuk janë të vërteta dhe se ka keqinterpretim dhe abuzim të fatit tragjik.

“Nuk janë të vërteta pretendimet e publikuara në disa media lidhur me takimin me familjarët e viktimave të tragjedisë në Koçan. Aktualisht po bëhet një devijim i qëllimshëm dhe një keqpërdorim i fatit tragjik. Qeveria është këtu për familjet, për gjithçka që u nevojitet, dhe do të jetë gjithmonë me ta edhe atëherë kur për disa çështje mund të kenë mendime të ndryshme. Kjo letër nga prindërit dhe familjarët është një kujtesë se problemet duhet të zgjidhen dhe se duhet të shprehet vullnet e vendosmëri për të ndihmuar edhe më shumë dhe në mënyrë edhe më të vendosur. Qeveria shpreh keqardhje për përshtypjen që disa kanë krijuar, por ato takime nuk janë as të parat dhe as të fundit dhe ne apelojmë të mos krijohet sensacion nga një takim i destinuar për mbështetje dhe ngushëllim. Ishte takimi i dytë me familjet dhe dëshirojmë t’ju kujtojmë se gjatë takimit, Kryeministri që nga fillimi deri në fund foli dhe përshëndeti, duke shprehur ngushëllime me të gjithë të pranishmit individualisht dhe me një sërë gjestesh, iniciativash dhe gjërash të tjera që për arsye etike dhe njerëzore nuk duam të bëhen objekt diskutimi publik sepse janë intime dhe thellësisht private dhe ne duam ta respektojmë këtë”, thonë nga Qeveria.

Shtrembërim i diskutimit në “përshëndetje, si jeni” dhe “sa kushton”, thonë nga Qeveria, jo vetëm që nuk pasqyron diskutimin dhe qëllimin e vërtetë, por është edhe ofendues dhe përpiqet të hedhë dritë krejtësisht të gabuar mbi qëllimet dhe veprimet e Qeverisë, duke i përcaktuar ato si thellësisht çnjerëzore, gjë që është e papërshtatshme dhe e pasaktë.

“Njëkohësisht, duke shprehur trishtim të thellë për tragjedinë, ngushëllime dhe mbështetje për familjet, theksojmë se kjo tragjedi, kjo ngjarje tragjike dhe e tmerrshme, është një dhimbje jo vetëm për familjet, por edhe për të gjithë shtetin, dhe nuk ka njeri që nuk e mendon dhe nuk e ndjen këtë. Qeveria do të jetë gjithmonë aty për familjet, dhe sa i përket angazhimit tonë dhe asaj që varet nga ne, ne do të përpiqemi për drejtësi, dhe do të luftojmë për ndonjë ngushëllim nëse mund të gjendet, dhe ne gjithmonë do të jemi një mbështetje për familjet, në nevojat, kërkesat dhe sfidat e tyre. Sepse kjo është edhe dhimbja dhe pikëllimi ynë, dhe ato nuk maten dhe krahasohen, por vërtetohen nga veprimet që bëjmë dhe planifikojmë të bëjmë. Apelojmë të mos abuzohet me këto ngjarje dhe momente, të mos gjykohet bazuar në zemërim dhe tendencë, ndërsa Qeveria do të jetë gjithmonë aty për familjet dhe, sa të mundet, do t’i ndihmojë maksimalisht me kërkesa që janë racionale dhe në bazë të ligjit dhe ingerencave”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.