Gir: Shpresoj që të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të hapin një faqe të re dhe të zbatojnë rekomandimet e KE-së

Shpresoj që të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të hapin një faqe të re dhe të përpiqen të zbatojnë rekomandimet e misionit vlerësues të Komisionit Evropian, tha sot kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadori David Gir, nga Panairi i shoqërisë civile, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, si e vlerëson takimin e djeshëm me kryetaren e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva, transmeton Portalb.mk.

“Pas vendimit të Gjykatës Administrative kam shfaqur interesim për takim me kryetaren e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Siç e shihni, unë nuk jam takuar me paraardhësin e saj, ndaj kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën e shkarkimit të saj, por edhe për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të atëhershëm. Arsyeja e këtij takimi me Damevën ishte që të diskutohet për gjendjen në Këshillin Gjyqësor, si dhe për rekomandimet e misionit vlerësues të Komisionit Evropian dhe masat që do të ndërmerren nga këshilli”, tha Gir.

Sipas tij, ishte një takim produktiv.

“Shpresoj që të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të hapin një faqe të re dhe të përpiqen të zbatojnë rekomandimet e misionit vlerësues të Komisionit Evropian për kompetencat që kanë”, tha ambasadori Gir.

Dje përmes një komunikate me shkrim nga Këshilli Gjyqësor kanë bërë të ditur se kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva ka takuar shefin e Delegacionit të BE-së në vend, ambasadorin David Geer, i cili ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Administrative, në të cilën Dameva u kthye në krye të Këshillit pas shkarkimit të saj, në maj të vitit të kaluar.

“Ambasadori Gir iu referua konkretisht rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke theksuar se 17 nga 40 rekomandimet që përmban raporti i Misionit vlerësues të KE-së mund të zbatohen menjëherë sepse janë afatshkurtra, nuk kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe ligjore dhe varen nga vetë Këshillin Gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor për takimin.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, ndërkaq, e informoi ambasadorin evropian se për secilin nga rekomandimet e misionit vlerësues në lidhje me punën e Këshillit, do të nxirren konkluzionet e duhura në punëtorinë “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit” që do të mbahet javën e ardhshme.

Dameva dje më herët është takuar edhe me ambasadorin e Holandës, Dirk Jan Kopp. Ambasadori holandez u shpreh i kënaqur që pas kthimit të Damevës në krye të Këshillit Gjyqësor, ky organ është sërish person juridik dhe paralajmëroi rinovimin e mundshëm të projektit që Holanda e la në pritje pas shkarkimit të saj në maj të vitit të kaluar.

Ndryshe, Ambasadori Dirk Jan Kop më 10 janar u takua me liderin e BDI-së Ali Ahmeti për të përcjellë mesazhin se pas rënies së vazhdueshme dyvjeçare të Sundimit të Ligjit, përkushtimi i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE është në rrezik në të gjithë spektrin politik.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut me 3 janar ktheu në pozitën e kryetares Vesna Dameva, e cila u shkarkua më 26 prill 2023 me vetëm shtatë vota pro, pas çka Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri. Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta, në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës dhe më pas, ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar.