100 pikë nga deputeti i pushtetit, vetëm 10 nga sektori civil për të njëjtën kandidate për Këshillin Gjyqësor

Avokatja Emilija Aleksovska nga Kumanova është kandidatja e renditur e para për anëtare të Këshillit Gjyqësor, me 62,57 pikë të fituara, por mënyra se si anëtarët e Komisionit për Përzgjedhje e kanë vlerësuar ngre pikëpyetje për kriteret dhe ndikimin politik në përzgjedhje, raporton Racin. Për të njëjtën intervistë, një deputet i VMRO-DPMNE-së i ka dhënë maksimumin prej 100 pikësh, ndërsa një përfaqësuese e sektorit civil e ka vlerësuar me vetëm dhjetë pikë, transmeton Portalb.mk.

Sipas dokumenteve dhe deklaratave të publikuara nga “360 Gradë”, kryetari i Komisionit për Përzgjedhje, deputeti Aleksandar Veljanovski nga VMRO-DPMNE, i ka dhënë 100 pikë, ndërsa gjyqtarja Sanja Lazova Stojanova 95 pikë. Deputetja Valbona Adili Emini nga VLEN e ka vlerësuar me 90 pikë, ndërsa deputetet Sanja Lukarevska nga LSDM dhe Rina Ajdari nga BDI i kanë dhënë përkatësisht 50 dhe 43 pikë.

Vlerësimin më të ulët e ka dhënë Ivana Petkovska, përfaqësuese e Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”. Ajo i ka dhënë dhjetë pikë për përvojën profesionale të Aleksovskës, ndërsa zero pikë për vizionin e saj dhe përgjigjet në pyetje.

Petkovska ka shpjeguar për “360 Gradë” se kandidatja nuk ka dhënë përgjigje konkrete për pyetjet që lidhen me pavarësinë dhe integritetin. Sipas saj, paraqitja e Aleksovskës ka lënë dyshime për ndikim të mundshëm politik.

Nga ana tjetër, Veljanovski e ka arsyetuar vlerësimin maksimal me përvojën profesionale dhe përgjigjet e qarta të kandidates. Ai ka mohuar që vlerësimi i tij të ketë prapavijë partiake.

Një nga pyetjet që e karakterizuan intervistën kishte të bënte me aktivitetin e Aleksovskës në rrjetet sociale. Deputetja Jovanka Trençevska nga LSDM ka cituar një publikim në të cilin kandidatja, siç thuhet, i ishte drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski me fjalët: “Maqedonia me ju është përsëri e gjallë, përsëri e jona dhe përsëri krenare”, të shoqëruara me simbolin që përdoret për mbështetje politike.

Aleksovska ka konfirmuar se ka profil në rrjetin social X, por ka thënë se prej vitesh nuk e përdor dhe se nuk e kujton komentin e përmendur.

E pyetur se si do ta garantojë pavarësinë nëse zgjidhet në Këshillin Gjyqësor, kandidatja ka deklaruar se do të udhëhiqet ekskluzivisht nga Kushtetuta, ligjet dhe kriteret objektive, duke mohuar çdo ndikim politik apo ndikim tjetër të palejuar.

Aleksovska është avokate që nga viti 2005 dhe asistente profesoreshë e së drejtës procedurale penale në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Gjatë prezantimit para Komisionit, ajo ka theksuar se anëtarësimin në Këshillin Gjyqësor e sheh si përgjegjësi publike dhe mundësi për forcimin e pavarësisë dhe profesionalizmit në gjyqësor.

Në konkurs janë paraqitur tre kandidatë. I rendituri i dyti, Gjoko Dikov, ka fituar 57,14 pikë, ndërsa Fadil Xhelili nuk është paraqitur në intervistë, me çka konsiderohet se e ka tërhequr kandidaturën.

Komisioni parlamentar për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve sot, me shtatë vota “pro”, i ka përcaktuar Aleksovskën dhe Dikovin si kandidatë të propozuar. Vendimin përfundimtar do ta marrë Kuvendi në seancë plenare.

Dallimi prej 90 pikësh mes vlerësimeve për kandidaten e renditur të parën e vë në fokus çështjen e transparencës së procedurës dhe mënyrën se si vlerësohen pavarësia dhe integriteti i anëtarëve të ardhshëm të Këshillit Gjyqësor, institucion që vendos për zgjedhjen dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve.

Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve, me shtatë vota “pro” dhe asnjë kundër apo të përmbajtur, në seancën e sotme përcaktoi kandidatët e propozuar për anëtarë të Këshillit Gjyqësor: Emilija Aleksovska, avokate nga Kumanova, dhe Gjoko Dikov, avokat nga Strumica.

Në përputhje me Ligjin për Këshillin Gjyqësor, siç sqaroi kryetari i Komisionit, Gjorgjia Sajkoski, brenda tri ditëve nga zhvillimi i intervistës, Komisioni për Përzgjedhje përcakton listën e kandidatëve të renditur sipas pikëve, me arsyetim për secilin kandidat veç e veç. Listën ia dorëzon Komisionit për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, i cili brenda dy ditëve e publikon listën e renditjes, me pikët e fituara nga secili kandidat, dhe i propozon Kuvendit dyfishin e numrit të kandidatëve krahasuar me numrin e anëtarëve të Këshillit që duhet të zgjidhen, duke u bazuar në renditjen e listës, me kusht që të ketë numër të mjaftueshëm kandidatësh të paraqitur.

Komisioni për Përzgjedhje ia dorëzoi Komisionit për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve procesverbalin e intervistave të zhvilluara me kandidatët në bazë të konkursit për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë.

Me propozim të kryetarit të Komisionit, anëtarët njëzëri miratuan propozim-vendimin për emërimin e Filip Sarevskit si anëtar të Bordit Drejtues të Agjencisë së Aviacionit Civil.

Sarevski, siç sqaroi Sajkoski, është inxhinier i diplomuar i aviacionit dhe magjistër i teknikës dhe teknologjisë së aviacionit, ndërsa punon në Agjencinë e Aviacionit Civil.

“Filip Sarevski është udhëheqës i Njësisë për Vlefshmërinë Ajrore, koordinator kombëtar i SAFA-s, inspektor për vlefshmërinë ajrore dhe mirëmbajtjen teknike, magjistër i inxhinierisë, teknikës dhe teknologjisë së aviacionit, si dhe inxhinier i diplomuar i aviacionit në fushën e teknologjisë së aviacionit dhe avionikës. Arsimin e mesëm e ka në shkencat matematikore. Punon në Agjencinë e Aviacionit Civil dhe, si anëtar i dalluar dhe person që e njeh institucionin nga brenda, e propozoj për anëtar të Bordit Drejtues të Agjencisë së Aviacionit Civil”, theksoi Sajkoski.

Ai vjen në vendin e Vesna Pavlovit, mandatit të së cilës i përfundon më 18 nëntor të këtij viti.

Në seancën e sotme, me propozim të kryetarit Sajkoski, u përcaktua edhe propozim-vendimi për emërimin e Marko Dimitrioskit si anëtar i Këshillit Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor.

Marko Dimitrijevski, siç sqaroi Sajkoski, është inxhinier i diplomuar i makinerisë dhe doktor i inxhinierisë mekanike. Ai ka përfunduar Fakultetin e Makinerisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa doktoraturën e ka kryer në Fakultetin e Makinerisë, në Institutin për Inxhinieri Industriale në Shkup.