Ambasadori Kop qortoi Ahmetin: Përzierja politike në gjyqësor e papranueshme, do të përballeni me reagim të ashpër nga Holanda

Ambasadori Dirk Jan Kop u takua me liderin e BDI-së Ali Ahmeti për të përcjellë mesazhin se pas rënieS së vazhdueshme dyvjeçare të Sundimit të Ligjit, përkushtimi i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE është në rrezik në të gjithë spektrin politik, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu, nga ambasada e Holandës, bëjnë me dije se ndikimi i panevojshëm politik në pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, që është çështje gjyqësore, është i papranueshëm dhe do të shkaktojë reagim të fortë nga Holanda.

Kujtojmë se Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2023 ishte, ashtu siç e cilësoi dhe Komisioni Evropian në raportin e progresit, ishte një prej viteve më të këqija për pushtetin i cili duhet të ndajë drejtësinë. Për rezultatet negative, në masë të madhe këtë vit kontribuoi Këshilli Gjyqësor, i cili në vend që të sigurojë pavarësi dhe transparencë, u shndërrua në një fole skandalesh ku në mënyrë të paligjshme, prapa dyerve të mbyllura shkarkoheshin dhe emëroheshin kryetarët e këtij trupi, i cili u shndërrua në turp. Nga ana tjetër, ndryshimet skandaloze të Kodit Penal nga koalicioni qeveritar, me të cilat u zbutën ndëshkimet për funksionarët e korruptuar, por edhe u vjetërsuan shumë lëndë, ishin dëshpëruese për qytetarët, të cilët kërkojnë dënime më të ashpra për ata që kanë abuzuar me paratë dhe besimin e tyre.

Maqedonia e Veriut duhet ta aktivizojë alarmin, pasi Komisioni Evropian në raportin e progresit për këtë vit, shprehu “shqetësim serioz” për ndikimet e jashtme në Këshillin Gjyqësor dhe gjyqësorin, por edhe për ndryshimet e Kodit Penal, me të cilat  u vjetërsuan një numër i madh i lëndëve të ish Prokurorisë Speciale Publike.

Trupi që zgjedh gjyqtarët, në konflikt me ligjin

Viti 2023 është ndër vitet më të këqija të gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e fundit. Kështu e emëruan organizata joqeveritare Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta” në konferencën vjetore ku prezantuan raportet nga monitorimi i Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve Publik. Ata theksuan se ka stangim në reforma, ndërkaq vitin e kanë shënuar një sërë incidentesh të cilat në thelb ishin kryesisht nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik të cilët duhet të jenë garantuesi dhe mbrojtësi i pavarësisë gjyqësore dhe ata të cilët duhet të kontribuojnë në avancimin e gjyqësorit në tërësi në shtetin tonë. Vërejtjet kryesisht janë për mungesë transparence, por edhe dyshime për korrupsion që edhe vetë anëtarët i kanë theksuar.

Më 26 prill të këtij viti, në atmosferë të tensionuar u shkarkua nga funksioni kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Zëvendësi i saj, Selim Ademi, i cili pas zënkave që kanë zgjatur disa orë dhe pasi Dameva refuzoi ta vendos në votim pikën e cila nuk ishte në rend dite, ai e hodhi propozimin në votim. Shtatë anëtarë e mbështetën zëvendësin, i cili e mori udhëheqjen e seancës në prani të saj.

Me 3 janar, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut konstatoi dorëheqjen e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev dhe ka vepruar sipas vendimit të Gjykatës Administrative, gjegjësisht në pozitën e kryetarit e ka vendosur, kryetaren e shkarkuar, Vesna Dameva.

Dameva u shkarkua më 26 prill me vetëm shtatë vota pro, pas çka Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.

Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat e djeshme me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.