Këshilli Gjyqësor e konfirmoi se punonjësit e gjykatës së Kumanovës kanë të drejtë të ankohen ndaj kryetares, ajo thotë se duhet t’i përkushtohen punës

Këshilli Gjyqësor ka vendosur se ka bazë për ankesën me të cilën punonjësit e Gjykatës së Kumanovës janë ankuar në Këshillin Gjyqësor për keqtrajtim nga kryetarja e gjykatës, transmeton Portalb.mk.

Punonjësit, me ndihmën e Sindikatës, së fundmi në një konferencë për media para Gjykatës Themelore të Kumanovës e akuzuan kryetaren Snezhana Maneva se u bën presion dhe i keqtrajton.

Këshilli Gjyqësor diskutoi gjerësisht për këtë çështje, ndërsa në fund tetë anëtarë votuan se ankesa, e nënshkruar nga 75 punonjës të gjykatës së Kumanovës, është e bazuar. Dy anëtarë të Këshillit votuan kundër.

Punonjësit janë ankuar për një sërë problemesh, ndërhyrjen e kryetares në punën e administratorit gjyqësor, kërkesën për plan-draftin e pushimeve vjetore dhe verifikimin e punonjësve për përdorimin e tyre, më pas mbikëqyrjen, kontrollin dhe presionin psikologjik ndaj punonjësve, deri te vendosja e evidencës së dyfishtë për praninë në punë.

Në ankesë gjithashtu thuhej se kryetarja e gjykatës kishte përdorur shprehje fyese dhe nënçmuese, si dhe kishte kritikuar publikisht punonjësit. Siç shtoi ajo, këto raste kishin ndodhur edhe në prani të avokatëve dhe palëve në gjykatë.

Në përgjigjen e saj ndaj këtyre akuzave, kryetarja e Gjykatës së Kumanovës, Snezhana Maneva, nuk e ka mohuar se ekziston konflikt me administratorin gjyqësor, por ka thënë se ai është pasojë e injorimit dhe mosveprimit të tij ndaj shkresave që ajo ia kishte dërguar.

U bë e ditur përfundimisht se ankesa është e bazuar, pasi dokumentet tregojnë se kryetarja e gjykatës i ka tejkaluar kompetencat e saj të përcaktuara me Ligjin për shërbimin gjyqësor dhe rregulloren e punës së gjykatës.