Fillimisht ligji për Këshillin Gjyqësor, pastaj kandidati nga Villa Vodno

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkokva do të pret miratimin e ligjit të ri për këshillin gjyqësor, pastaj të propozojë kandidatin për këtë trup, raportoi Telma, përcjell Portalb.mk.

Nesër i mbaron mandatin anëtarit Milazim Mustafa, propozim i presidentit të mëparshëm Stevo Pendarovski, ndërsa presidentja Siljanovska sot njofton kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, për arsyet pse nuk propozon pasardhës tjetër.

Presidentja vlerësoi se kriteret për zgjedhje në ligjet aktuale, që i vlerësoi të këqija, nuk janë të përshtatshme dhe mundësojnë politizimin dhe partizimin e këshillit gjyqësor.

“Puna e këshillit me minus një anëtar, nuk do të pamundësoj vendime, sepse vendimet merren edhe me tetë anëtarë nga 15-të”, deklaroi Siljanovska, duke theksuar nevojën për ndryshimin e ligjit për shkak se ky ligj nuk sjell konkurrencë. Ajo shtoi se “është mirë çdo anëtar i Këshillit Gjyqësor t’i plotësojë për të hyrë në Këshillin Gjyqësor”, shtoi

Sipas versionit që është publikuar, presidentja Siljanovska deri te deputetët duhet të propozojë dy kandidatë, ndërsa Kuvendi të zgjedhë njërin prej tyre.

Vesna Dameva dhe Selim Ademi, janë anëtarët e Këshillit Gjyqësor që në dhjetor do t’u mbaron mandati.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë më 27 qershor informoi se projektligji për Këshillin Gjyqësor ka hyrë në procedurën qeveritare pasi paraprakisht është dërguar për mendim në Komisionin e Venecias. Pasi të miratohet nga Qeveria, Ministria e Drejtësisë pret që projektligji të miratohet së shpejti në Parlament.

Ndryshimet ligjore, ndër të tjera, parashikojnë publikimin e procedurës për shkarkimin e kryetarit ose zëvendëskryetarit të Këshillit, futjen e një seance dëgjimore publike për kandidatët për anëtarë jo-gjyqësorë me qëllim transparencë dhe llogaridhënie më të madhe, si dhe forcimin e kritereve për zgjedhjen, llogaridhënien dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve.

Ndryshimet gjithashtu parashikojnë specifikimin e kritereve për zgjedhjen e një “avokati të shquar”, si dhe përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian. Një nga rekomandimet kryesore të Misionit të Vlerësimit të BE-së që zbatohen në projektligj, siç shtoi Ministria e Drejtësisë, është futja e një vlerësimi objektiv të punës së anëtarëve të Këshillit, transparenca në vendimmarrje dhe mekanizmat për llogaridhënien e vetë anëtarëve të Këshillit.