Ministria e Drejtësisë në RMV njoftoi se projektligji për Këshillin Gjyqësor ka hyrë në procedurë qeveritare

Ministria e Drejtësisë informon se projektligji për Këshillin Gjyqësor ka hyrë në procedurën qeveritare pasi paraprakisht është dërguar për mendim në Komisionin e Venecias, transmeton Portalb.mk.

“Ky është një dokument konstruktiv dhe përmbajtësor që përmban udhëzime dhe rekomandime të qarta, veçanërisht për pjesët në të cilat ne si Ministri kemi investuar vëmendje serioze. Këto vërejtje janë marrë në konsideratë tashmë”, thotë Ministria e Drejtësisë.

Prandaj, ata theksojnë se është veçanërisht e rëndësishme që Komisioni i Venecias njohu procesin transparent dhe gjithëpërfshirës në përgatitjen e projektligjit, i cili u zhvillua përmes debateve publike, konsultimeve me ekspertë me përfshirjen e të gjithë palëve të interesuara.

“Ky është konfirmim se po ecim në drejtimin e duhur dhe se reformat tona janë në përputhje me standardet evropiane. Kjo qasje kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e besimit në procesin legjislativ dhe në gjyqësor në tërësi. Ky është një hap kyç në forcimin e pavarësisë dhe transparencës së gjyqësorit”, shton Ministria e Drejtësisë.

Ndryshimet ligjore, ndër të tjera, parashikojnë publikimin e procedurës për shkarkimin e kryetarit ose zëvendëskryetarit të Këshillit, futjen e një seance dëgjimore publike për kandidatët për anëtarë jo-gjyqësorë me qëllim transparencë dhe llogaridhënie më të madhe, si dhe forcimin e kritereve për zgjedhjen, llogaridhënien dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve.

Ndryshimet gjithashtu parashikojnë specifikimin e kritereve për zgjedhjen e një “avokati të shquar”, si dhe përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian. Një nga rekomandimet kryesore të Misionit të Vlerësimit të BE-së që zbatohen në projektligj, siç shtoi Ministria e Drejtësisë, është futja e një vlerësimi objektiv të punës së anëtarëve të Këshillit, transparenca në vendimmarrje dhe mekanizmat për llogaridhënien e vetë anëtarëve të Këshillit.

Pasi të miratohet nga Qeveria, Ministria e Drejtësisë pret që projektligji të miratohet së shpejti në Parlament.