Studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore në Shkup në shënjestër të hajdutëve, kërkojnë masa urgjente sigurie

Studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup ankohen se në afërsi të fakultetit, në orët e vona të pasdites pasi mbarojnë me ligjërata, persona të panjohur duke i kërcënuar me thikë i sulmojnë dhe ua vjedhin gjësendet personale. Autoritet policore konfirmuan se prej qershorit në Polici janë paraqitur tre raste të tilla, por autorët nuk janë kapur. Studentët, kanë nënshkruar peticion me disa kërkesa për të rritur sigurinë e tyre, raporton Portalb.mk.

Fakultetit i Shkencave Natyrore dhe Matematikës gjendet në Komunën e Gazi Babës në Shkup, gjegjësisht në afërsi të malit të Gazi Babës. Studentët për të arritur në fakultet duhet të ngjisin disa shkallë te të cilat nuk ka ndriçim rrugor, kamera sigurie. Ashtu siç mund të shihet edhe në hartën e siguruar nga “Google Maps”, vendi ku sulmohen studentët është i distancuar prej objekteve tjera dhe nuk është i frekuentuar shumë nga qytetarët. Plotësisht, shkallët kalojnë përmes pyllit dhe kjo e bën më të lehtë që sulmuesit të fshihen apo të ikin.

Shkallët rrugës për në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Gazibabë, foto nga Google Maps
Shkallët rrugës për në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Gazibabë, foto nga Google Maps

Studenti i sulmuar më 28 tetor të këtij viti (ditë e shtunë), i cili kërkoi që identiteti i tij të mbetet anonim, për Portalb.mk thotë se është sulmuar, pasi ka mbaruar me praktikën në fakultet dhe ka qenë rrugës për të kapur autobusin dhe atëherë një burrë e ka kërcënuar me thikë dhe ia ka marrë telefonin.

“Ngjarja ka ndodhur të shtunën, kur unë isha në një praktikë të detyrueshme të caktuar nga fakulteti nga një prej departamenteve. Kur mbarova, në orën 16:00, u nisa teposhtë vetëm, për të kapur autobus. Rrugës, afër “varrezave”, një burrë po ngjitej dhe para se të kaloheshim, ai nxori një thikë dhe më tha t’ia jepja telefonin. Unë refuzova dhe atëherë ai ma vuri thikën pranë barkut dhe unë ia dhashë sepse e kuptova që isha larg një vendi ku do të kishte njerëz dhe nga ku do të kërkoja ndihmë nëse më lëndonte. E kam denoncuar në polici, por ende nuk kam informacion për identitetin e burrit. Fola edhe me prodekanen e fakultetit, ajo më tha se do reagojë menjëherë, por nuk e di sa do te ndryshojnë gjërat për shkak se kështu kanë qenë punët gjithmonë që kur ka qenë ajo studente”, thotë studenti për Portalb.mk.

Rastin e tij, e konfirmon edhe Policia dhe shpjegojnë se edhe dy personave tjerë, u janë vjedhur telefonat, por kryerësit ende nuk janë gjetur.

“Në SPB Shkup, janë regjistruar tre vepra penalo juridike, të kryera deri tani nga autorë të panjohur. Prej tyre, dy janë vjedhje të rënda në mënyrë të ashpër dhe një vepër penale vjedhje, të cilat kanë ndodhur në 12.06.2023 (e mërkurë), 27.07.2023 (e enjte) dhe 28.10.2023 (e shtunë), në orët pasdites në afërsi të Fakultetit e Shkencave Natyrore dhe të Matematikës, gjatë së cilës të dëmtuarve (një djalë dhe dy vajza), të cilët janë në moshë prej 20 deri në 23 vjet, një nga Shkupi dhe dy nga qytete tjera, u janë marrë telefonat celularë”, thonë për Portalb.mk nga MPB.

Në ndërkohë, prej Policisë kërkuam informata pse nuk vendosin patrulla policore në kampusin e fakultetit duke i pasur parasysh rastet e këtilla ku kërcënohet siguria e studentëve, por deri në publikimin e tekstit nuk kemi marrë përgjigje.

Në ndërkohë studentët për Portalb.mk thonë se kanë nënshkruar një dokument me disa kërkesa nga fakulteti:

  • Të ketë sigurim në të paktën dy lokacione të kampusit,
  • Të ketë patrulla policore dhe të sigurohet rrethina,
  • Studentët që kanë ligjërata deri në orët e vona të pasdites, të jenë të shoqëruar nga sigurimi,
  • Rregullimi i parkingut të fakultetit me rampa,
  • Fakulteti t’i kërkojë Komunës së Gazi Babës të sigurojë ndriçim rrugës dhe shkallët që dërgojnë në fakultet,
  • Shmangia e çdo aktiviteti gjatë fundjavës, kur dihet se është ditë jo pune dhe kjo keqpërdoret nga persona të papërgjegjshëm.

Dokumentin e plotë me kërkesat mund ta shihni më poshtë:

Për të gjitha këto kërkesa, Portalb.mk ka parashtruar pyetje deri te Komuna e Gazi Babës edhe tek Universiteti Shën Kiril dhe Metodij, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.