RMV, Gjykata Penale mbetet me 42 gjyqtarë dhe 215 mijë lëndë, kërkohet delegimi i gjyqtarëve të rinj

Këshilli Gjyqësor zgjodhi katër gjyqtarë të rinj në Gjykatën e Apelit për fushën penale, tre prej të cilëve vijnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup. Me këtë, gjykata e shkallës së parë mbetet me 42 gjyqtarë. Gjyqtarët e fushës penale, Aleksandra Risteska, Vesna Dimishkova dhe Osman Shabani, ngafusha penale, do të largohen për të punuar në Gjykatën e Apelit në Shkup, e cila vë në pikëpyetje fatin e rasteve të tyre, transmeton Portalb.mk.

Nëse çështjet për të cilat ata kanë punuar nuk bëhen të formës së prerë deri në zgjedhjen e tyre zyrtare, ato do t’u delegohen gjyqtarëve të tjerë, pas së cilës këto gjykime do të fillojnë automatikisht nga e para.

Kështu, për shembull, Risteska është gjyqtare në rastin me aksidentin e Llaskarcës, i cili tashmë është në fazën e mbylljes së argumenteve. Gjykata Themelore Penale Shkup sot i është drejtuar Këshillit Gjyqësor me kërkesë që Risteska të delegohet përkohësisht në Gjykatën Penale deri në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë për rastin konkret.

“Në fazën përfundimtare është gjykimi për aksidentin e autobusit në afërsi të fshatit Llaskarcë, për të cilin tashmë janë caktuar katër vazhdime gjatë muajit aktual dhe atij të ardhshëm. Kërkesa ka për qëllim ekonomizimin dhe përshtatshmërinë e procedurës si dhe parandalimin e zvarritjeve të panevojshme, duke pasur parasysh se me ndryshimin e trupit gjykues, çështja mund të nisë nga fillimi me paraqitjen e të gjitha provave verbale dhe me shkrim si dhe të gjitha konstatimet e ekspertizës”, thonë nga Gjykata Penale.

Njëkohësisht, gjykata i kërkon Këshillit Gjyqësor që të delegojë të paktën tre gjyqtarë në kohën më të shkurtër të mundshme në departamentin për kriminalistikë për të mitur, departamentin për krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe departamentin për procedurë paraprake, ku tre gjyqtarët kanë vepruar deri në këtë moment.

“Gjykata me largimin e tre gjyqtarëve, për shkak të zgjedhjes së tyre në gjykatën e shkallës së dytë, dhe ndërprerjen e mëparshme të funksionit gjyqësor të 5 gjyqtarëve gjatë vitit 2023 si dhe delegimin në një gjykatë tjetër të 6 nga 10 gjyqtarë të rinj të zgjedhur gjatë vitit të kaluar, Gjykata Themelore Penale mbetet me 42 gjyqtarë, gjë që mund të vërë në pikëpyetje shpejtësinë e gjykatës dhe tejkalimin e fluksit të lëndëve të reja, duke pasur parasysh se çdo vit gjyqtarët merren me 215 mijë lëndë”, thonë nga Gjykata Themelore Penale.

Këshilli Gjyqësor në seancën e djeshme zgjodhi tetë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit në Shkup. Nga fusha penale gjyqtare u zgjodhën Gabriela Gajdova, Aleksandra Risteska, Vesna Dimishkova dhe Osman Shabani.

Nga fusha civile në Apelin e Shkupit janë zgjedhur Aleksandar Shopov, Irena Kostadinova Angelova, Natalija Doneva dhe Ilir Sulejmani.

Siç informojnë nga Këshilli Gjyqësor, në konkursin për tetë pozita në Gjykatën e Apelit në Shkup janë parqitur gjithsej 45 kandidatë, nga të cilët 21 kandidatë për katër gjyqtarë në fushën civile dhe 24 kandidatë për katër gjyqtarë në fushën penale.

Kujtojmë se përfaqësuesi i akuzës, Darko Jakimovski, pas mbarimit të parashtrimit të pyetjeve për ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit për aksidentin tragjik të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit në vitin 2019-të, paralajmëroi ndryshim jothelbësor të akuzës, të cilën pritet ta elaborojë seancën e radhës. Avokati i shoferit të autobusit, Lupço Micevski kërkoi të rishikohen CD-të me videoincizimet e kontrolleve të fundit teknike të autobusit para aksidentit, të bëhet rikonstruim i rastit dhe të porositen ekspertiza të reja, me çka gjykimi do të shtyhej edhe për disa vite, por Gjykata i refuzoi këto propozime.

Pas 14 seancave prej muajit maj, prokurori dhe avokatët e të akuzuarve mbaruan me parashtrimin e pyetjeve për ekipin prej tre ekspertëve të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit. Prokurori parashtroi disa pyetje plotësuese në lidhje me përgjgijet e ekspertëve ndaj avokatëve të akuzuarve. Pyetjet kryesisht kishin të bëjnë me trajektoren e lëvizjes së autobusit në momentet kritike, shpejtësinë e lëvizjes pas goditjeve në bankina, por edhe për kontrollet e fundit teknike të autobusit para se të ndodh aksidenti.