Pas alarmimit të Portalbit, studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore në Shkup do të kenë rojë dhe masa të tjera sigurie

Pas alarmimit të Portalbit për ankesat e studentëve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup, se rrugës për në fakultet studentët janë në shënjestër të hajdutëve, Asambleja Studentore e Universitetit (ASU) nëpërmjet rrjeteve sociale i ka njoftuar studentët se do të ketë roje në fakultet, ushtrimet nuk do të mbahen pas orës 16:00 dhe se do të rritet siguria e lokacionit, raporton Portalb.mk.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup, javën e kaluar kanë nënshkruar një peticion me disa kërkesa nga fakulteti që të rritet siguria e studentëve rrugës për në ligjërata.

Asambleja Studentore e Universitetit përmes rrjetit social Instagram i ka njoftuar studentët se kanë biseduar me Dekanin dhe është vendosur të merren masa për të rritur sigurinë e studentëve. Në njoftim thuhet se është kërkuar nga policia të ketë kontrolle më të shpeshta në afërsi të Fakultetit, rojet gjatë turneve të kontrollojë hapësirat e Fakultetit dhe se ushtrimet më nuk do të mbahen pas orës 16:00 të pasdites.

“Të nderuar kolegë, lidhur me incidentin e fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës , javën e kaluar dhe me iniciativën tonë rasti është raportuar në polici dhe është kërkuar kontrolli i intensifikuar policor.

Sot në një bashkëbisedim me Dekanin e Fakultetit kemi marrë këto informacione:

  • Roja do të bëjë xhiro gjatë turneve
  • Ushtrimet nuk do të zhvillohen pas orës 16:00
  • Do të forcohet siguria e lokacionit”, “thuhet në njoftimin e asamblesë studentore.

Ata gjithashtu informuan se Dekani, Davorin Trpevski do të takohet edhe me përfaqësues të Ministrisë të Punëve të Brendshme për të përforcuar kontrollet.

Por, studentët për Portalb.mk thanë se përveç të atij njoftimi në rrjetet sociale, atyre askush nuk u kanë thënë asgjë nga Fakulteti.

Studentët e me vite të tëra tashmë janë shënjestër e hajdutëve që i sulmojnë rrugës  për në fakultet e ua vjedhin gjësendet personale. Rasti i fundit ishte i paraqitur edhe në Portalb.mk ku një student më 28 tetor ishte kërcënuar me thikë e i ishte vjedhur telefoni pasi ka mbaruar me praktikën në fakultet.

Pas deklarimit të studentit dhe konfirmimit të rastit nga policia, Portalb.mk parashtroi pyetje për kërkesat e studentëve te Ministria e Punëve të Brendshme, komuna e Gazi Babës dhe Universiteti Shën Kirili dhe Metodij”.

Fakultetit i Shkencave Natyrore dhe Matematikës gjendet në Komunën e Gazi Babës në Shkup, gjegjësisht në afërsi të malit të Gazi Babës. Studentët për të arritur në fakultet duhet të ngjisin disa shkallë te të cilat nuk ka ndriçim rrugor, kamera sigurie dhe që në qershor të këtij viti janë paraqitur tre raste ku studentët janë sulmuar nga hajdutë.