Është ndaluar importi i mishit të viçit nga Paraguai dhe arrave nga Kazakistani, ishin të pasigurta për konsum
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar importin e 27 tonëve mish të grirë viçi me origjinë nga Paraguai në pikën kufitare Qafathan, pasi u përcaktua se ushqimi që duhej të përfundonte në tregun e Maqedonisë vinte nga një objekt që nuk ishte miratuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. AUV thekson se standardet themelore të sigurisë për importet nuk janë përmbushur, gjegjësisht se ka dyshime për sigurinë shëndetësore të mishit, gjë që përbën rrezik për konsumatorët, transmeton Portalb.mk.
Inspektorët e ushqimit javën e kaluar ndaluan gjithashtu importin e një dërgese prej 22 tonësh arra me origjinë nga Kazakistani për shkak të etiketimit joadekuat dhe devijimeve në kriteret e përcaktuara për cilësinë dhe sigurinë ushqimore. Prandaj, AUV tregon se e gjithë sasia është kthyer në vendin e origjinës.
“Kontrollet e importit të ushqimit nga veterinerët zyrtarë dhe inspektorët e ushqimit do të vazhdojnë me një ritëm të intensifikuar, me qëllim parandalimin e importit të produkteve të pasigurta. AUV u bën thirrje importuesve që të respektojnë në mënyrë strikte rregulloret dhe standardet ligjore, pasi shëndeti i qytetarëve mbetet një përparësi kryesore për institucionin”, tha AUV.