AUV konfiskoi dhe shkatërroi një ton lukth pule të ndaluar për import dhe përdorim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kumtoi se inspektorët e saj kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në mishtore në Strugë dhe Ohër, me ç’rast janë konfiskuar dhe shkatërruar një mijë kilogramë lukth pule, i cili është i ndaluar për import dhe përdorim. Gjithashtu, janë konfiskuar dhe shkatërruar edhe 55 kilogramë përgatitje mishi ku është përdorur lukth pule, njofton Portalb.mk.
Kundër dy mishtoreve që nuk e kanë respektuar Vendimin e miratuar për ndalimin e importit dhe përdorimit të lukthit të pulës u janë shqiptuar sankcione përkatëse kundërvajtëse.
Siç informoi AUV, kontrollet e realizuara në mishtoret në Ohër dhe Strugë janë pjesë e kontrolleve të intensifikuara që zbatohen me qëllim parandalimin e aktiviteve ilegale me këtë lloj ushqimi, luftimin e këtij lloji të krimit dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
„Me qëllim të sigurimit të shkallës së lartë të mbrojtjes së shëndetit publik dhe interesave të konsumatorëve, Agjencia në korrik të vitit 2024 solli vendim për ndalimin e importit dhe përdorimit të lukthit të pulës të destinuar për ushqim njerëzor, në prodhimin e përgatitjeve dhe produkteve, për shkak të rreziqeve potenciale të përcaktuara nga përdorimi i pjesës muskulore të lukthit të shpendëve për shëndetin e njerëzve – kontaminim i mundshëm me patogjenë-baktere dhe virusë, prania e toksinave etj. Vendimin për ndalim AUV e solli në bazë të rezultateve nga analiza e kryer e rrezikut nga rreziqet e mundshme për shëndetin e qytetarëve nga konsumimi i këtij lloji të organeve të brendshme të shpendëve dhe nga rezultatet e kontrolleve inspektuese me të cilat atëherë u konstatua keqpërdorim dhe mashtrim i konsumatorëve nga disa industri të mishit“, njoftoi AUV.