Kurti është takuar në Prishtinë me Taravarin, Mexhitin, Gashin e Kasamin

TV21 mëson se sot kryeministri, njëherë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbledhur në Prishtinë liderët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim, dhe liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, transmeton Portalb.mk.

Burime te TV21 thonë se mes tjerash në takimin e Kurtit me Arben Taravarin, Izet Mexhitin, Afrim Gashin dhe Bilall Kasamin, është diskutuar për bashkëpunimin e mundshëm mes opozitës dhe ASH-së.

Kujtojmë se përfaqësuesi i LVV-së në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, tashmë ka njoftuar se partia e Kurtit do të mbështes opozitën shqiptare në RMV, ku në zgjedhjet e ardhshme pritet që në listë të opozitës të ketë edhe figura të LVV-së. Nga ana tjetër ASH pritet të marrë vendim në Kuvendin Qendror, nëse do të garojë në zgjedhje bashkë me opozitën, vetëm, apo në koalicion me Frontin Evropian.

Lidhur me këtë koalicion, ka komentuar kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai ka thënë se duhet shpjeguar se si partia e Albin Kurtit do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni në vitin 2024.

Ndryhe, Lidhja Evropiane për Ndryshim ka shtatë deputetë, tre nga Alternativa, tre nga grupi i Izet Mexhitit dhe një nga Lëvizja Besa.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.