Në Ohër u protestua kundër dhunës ndaj grave dhe femicidit, u kërkua përgjegjësi institucionale

Ljupço Gjorgjieski, babai i 26-vjeçares Sara Gjorgjieska, e cila më 15 nëntor u rrah deri në alivanosje nga i dashuri i saj, Kristian Koraboski, i cili më pas e la në rrugë në Ohër, sot iu bashkua protestës në Ohër kundër dhunës ndaj grave dhe femicidit, duke mbajtur në duar fotografinë e vajzës së tij, ku shihen mavijosjet në fytyrën e saj, shkruan Portalb.mk.

“Kjo është vajza ime Sara. Asnjë prind të mos e shohë fëmijën e tij në këtë gjendje dhe të mos e përjetojë atë që na ndodhi neve”, tha shkurt Gjorgjieski.

Me thirrjet “Ohri nuk hesht” dhe “Asnjë më shumë”, qytetarët sot dolën në protestë kundër dhunës ndaj grave, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe mbrojtje më të madhe për viktimat.

Qytetarët dolën në rrugë pas rastit të 15 nëntorit, kur Sara Gjorgjieska u rrah brutalisht nga i dashuri i saj, 31-vjeçari Kristian Koraboski, i cili më pas e hodhi nga vetura në rrugë. Koraboski ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh dhe akuzohet për veprat penale “Lëndim trupor”, “Privim i kundërligjshëm nga liria” dhe “Rrezikim i sigurisë”. Gjykimi i tij fillon më 27 nëntor në Ohër.

Nga protesta u bë thirrje për reagim në kohë ndaj çdo denoncimi për dhunë, hetime efikase dhe veprim institucional pa ndikime politike.

“Më 15 nëntor, në qytetin tonë ndodhi një rast i tmerrshëm dhune, një rast që na tronditi të gjithëve dhe na kujtoi se dhuna nuk ndodh diku larg nesh. Ajo ndodh këtu, mes njerëzve që i njohim. Dhuna nuk është çështje private, nuk është problem i një personi apo i një familjeje. Është problem i përbashkët i të gjithëve. Heshtja e mbron dhunën, Ohri nuk hesht më, nuk duam më viktima”, thanë organizatorët e protestës në Ohër.

Qytetarët nga shëtitorja e Ohrit vazhduan marshin nëpër Çarshinë e qytetit, ndërsa më pas u drejtuan edhe te Policia dhe te ndërtesa e Gjykatës Themelore në Ohër.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme aktivistet dhe qytetarët protestuan para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke reaguar ndaj serisë së vrasjeve të grave dhe dështimeve të institucioneve përgjegjëse në trajtimin e dhunës ndaj grave. Protesta u organizua nga iniciativa joformale “Asnjë më shumë”, së bashku me Platformën për Barazi Gjinore. Shkak për protestën janë tetë gratë e vrara, rastet e të cilave kanë rikthyer në vëmendje çështjen se sa efektivisht sistemi i identifikon dhe parandalon rreziqet nga dhuna me bazë gjinore.

Organizatorët kërkuan përgjegjësi nga institucionet, veprim në kohë ndaj denoncimeve për dhunë në familje dhe dhunë me bazë gjinore, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave që janë të ekspozuara ndaj rrezikut.

Sipas aktivisteve, dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si problem privat apo i izoluar. Mosveprimi, injorimi i denoncimeve dhe nënvlerësimi i kërcënimeve mund të kenë pasoja serioze, prandaj institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si veprojnë.

Kujtojmë se edhe më 8 nëntor u mbajt marsh protestues kundër femicidit.