Ëndërrimtari i shituar nga arti

Ndjej vështirësi sa herë shkruaj për jetëshkrime poetësh. Ka poetë me jetëshkrime të mërzitshme dhe me krijimtari mahnitëse. Sjorani tha: “Jeta u përket lypsarëve, kurse jetëshkrimet e poetëve u shpikën për ta zëvendësuar jetën që ata nuk e patën”. Mendimet e sipërthëna nuk vlejnë për jetëshkrimin dhe krijimtarinë mahnitëse të poetit Skënder Sherifi. Krijimtaria duket se nuk është i vetmi realitet në jetën e tij, siç ishte, për shembull, me Borges-in, jeta e të cilit u rrotullua në botën e librave.

Skënder Sherifin (1954), që jeton dhe krijon në Belgjikë, e njoha si poet me librat: Lojë dhe kundërlojë (1980) dhe Oksigjeni (1989), që u botuan nga “Rilindja” e Prishtinës. Më vonë e mësova se ai kishte lindur në Kosovë, por ishte me origjinë familjare nga Tropoja; se i ati i tij, oficer i Mbretit Zog, kishte qenë i burgosur politik nga regjimi komunist; se e ëma e tij ishte shqiptare nga Vuthaj e Malit të Zi; se familja e tij emigroi në Bruksel, ku e fitoi statusin e refugjatit politik, atëherë kur poeti ishte njëvjeçar; se diplomoi për gjuhë dhe letërsi frënge; se punoi në radion dhe shtypin belg, ku realizoi qindra intervista me personalitete europiane të letërsisë, filmit, teatrit, pikturës dhe muzikës; se pas vitit 1992 punoi si profesor; se botoi libra me poezi, në frëngjisht e shqip, që u botuan në Bruksel, Paris, në Prishtinë dhe pas viteve 90-të edhe në Tiranë.

Ky është jetëshkrimi i shkurtër i poetit, që e gjejmë në burime të ndryshme. Por një poet e ka jetën e ngathët, të zakonshme, të rënduar nga rutina dhe e ka jetën e pazakonshme, atë artistike. Ashtu si jeta e dyzuar e personazhit Gjorgu në romanin Prilli i thyer nga Kadare.

Poeti kështu e përmbledh jetën e tij: “Historia ime është historia e një njeriu (belg, shqiptar, gal, anglez, kozmopolit dhe Qytetar i Botës), njëfarë lloj poeti i Përshkënditur, Romantik, Idealist, Utopist, Anarkist, Humanist, Bujar, i Këndshëm, Optimist, Depresiv, Epikurian i vaksinuar dhe Humorist shpërthyes!”

Skënder Sherifi është poeti që, siç thotë, nuk lejoi jeta t’i programohej nga grupet, klanet, partitë, vendet fetare, familjet falso dhe nuk gjeti arsye që të bindej, të nënshtrohej, të ulte sytë, t’u kushtonte rëndësi titujve, gradave, funksioneve, fjalimeve, pra shfaqjeve efemere dhe të rrejshme. Poeti ka jetuar pa maskën e shtirjes në këtë botë të ndërlikuar. Ai ishte “përtej”. Përtej të zakonshmes së kësaj jete dhe bote…

Skënder Sherifi është njëri nga poetët shqiptarë më të njohur ndërkombëtarisht. Disa nga librat e tij në gjuhën shqipe janë: Lojë e kundërlojë (1980); Oksigjeni (1989); Ora e meteorëve (1996); Atelietë e ëndrrave (2005); Trio e përjetshme (Dramë, 2011); Love, (2012, 2022); Odiseja e dashurisë (2018); Festivali i pasioneve (2020), Love sonës 1-2 (2021/22) etj.

Për librat e tij kanë shkruar shumë autorë europianë dhe shqiptarë, kurse recensionet dhe përshtypjet e tyre janë përfshirë edhe në librin Love.

Kur në vitin 2003 u përfshi në fjalorin e famshëm francez “Larousse”, e la testamentin shpirtëror: krijimtarinë t’ia falte lexuesit shqiptar. Sot librat e tij i gjejmë falas në formatin PDF…

Skënder Sherifi është poeti me kulturë të gjerë, i cili jeton dhe frymon për artin dhe për poezinë – për poezinë e dashurisë. Ai është poeti i pa ndikuar nga kodet e mendjengushtësisë së provincave mendore. Në këtë asfiksi, përherë e ka gjurmuar dhe e ka parë të bukurën që i ikë shikimit tonë. Jeta nuk ia kurseu as surprizat, që krijuesin e mbrojnë nga rutina frymëzënëse. Rutina na ngushton botëshikimin. Poeti jetoi në qendrat kulturore: Bruksel e Paris, por u magjeps edhe nga veçantitë e ambientit shqiptar, të cilin e pa nga largësia. Fillimisht e pa në gro – plan e pastaj në mikroplan.

Skënder Sherifi nuk u bë pre as e kanuneve artistike. Ai, siç thotë, e shijoi të bukurën e surrealizmit, popit, rrokut, rrapit, ekzistencializmit, teatrit absurd, lëvizjes së beatnik-ëve amerikanë. I shijoi vlerat kulmore të kinematografisë europiane e botërore dhe të artit pamor e muzikor…

Për lexuesin shqiptar, libri më i njohur i tij është Love – një himn letrar për gruan, dashurinë, erotizmin, pasionin, njeriun, artistin, gjeniun, botën, miqësinë, mirësinë. Për poetin nuk ka asgjë më të fuqishme, më sublime dhe më universale sesa Dashuria. Ajo i jep kuptim jetës. Pa këtë mrekulli jeta do të ishte shkretëtirë e pafundme, e zbrazur, e pakuptimtë, e sertë, e trishtë. Gruaja, në krijimtarinë e tij, është hyjneshë, mrekulli, eter, shpirt, mister, por edhe trup.

Në këtë përmbledhje Sherifi e fillon rrugëtimin imagjinar nga Egjipti i lashtë, aty ku zbuloi një territor me emrin “Dashour”, që korrespondon saktësisht me fjalën shqipe “Dashuri”. Ky udhëtim imagjinar pastaj shtrihet gjerësisht në kohë dhe hapësirë.

Në artin e Sherifit ka shumë referenca, sa bëhen të domosdoshme sqarimet. Aty dëgjohen edhe zërat e teksteve të tjerë, që studiuesit e quajnë ndërtekst. Sherifi frymëzohet nga bota imagjinare (arti) dhe nga bota reale (njerëzit). Arti i tij është postmodernist, por jo vetëm. Në krijimtarinë e tij gjejmë grimca përjetësie, që janë krijuar nga banorët e Republikës Letrare. Kemi qindra vargje e thënie poetësh e artistësh europianë e botërorë mbi dashurinë. Le t’i veçojmë disa perla që poeti i mblodhi në kopshte të ndryshme poetike, të cilat përkojnë edhe me ndjeshmërinë e tij: “Vetëm Dashuria dhe arti e bëjnë ekzistencën të pranueshme”. (Somerset Maugham). “Dashuria fillon aty ku fillon përjetësia!” (Paulo Coelho). “Ka vetëm një ilaç në Dashuri: Të duash gjithnjë e më shumë” (Henry David Thoreau). “Dashuria ime është shndërruar në zjarr dhe ky zjarr i djeg pak e nga pak të gjitha gjërat tokësore në mua”. (Novalis).

Në libër kemi shumë vargje, në dukje të thjeshta, por të thella: “Të dua edhe pse s’të kuptoj”. Pikërisht këtu është misteri i dashurisë: tek e pakuptueshmja, e pashpjegueshmja, e pa përkufizuara, e pathëna, terri, heshtja…

“Kur Dashuria dëshiron për t’u shprehur, arsyes i ngelet vetëm për të heshtur”, është një varg i tij…

Skënder Sherifi kudo e kërkon dashurinë. Në çdo kohë dhe hapësirë. Në përmasën tokësore dhe astrale. Në përmasën profane dhe sakrale. Në çdo shtresë shoqërore dhe në çdo mjedis. Në çdo qytetërim, kulturë, vend e popull.

Si krijues ai i përket botës universale, por i adhuron edhe kulturat lokale. Ai shkruan për një botë universale, por universalen e gjen edhe te rrënjët e tij…

Shpirtin e poetit asnjëherë nuk e kanë prekur stuhitë e frikshme të urrejtjes, ksenofobisë ose të kufizimeve ideologjike. Nëse botën do ta shikonim me sytë e tij, atëherë do ta kuptonim madhështinë dhe madhësinë e saj. Do ta kuptonim se bota është shumë e madhe dhe ka vend për të gjithë njerëzit, popujt, racat, religjionet, gjuhët, kulturat, qytetërimet, preferencat, metodat, proceset kulturore; se bota është e bukur për shkak të larmisë, të “njëjësve në shumës”, siç thotë Hannah Arendt.

Atdheu i poetit, ai i vërteti, i përjetshmi, është bota, arti, letërsia, dashuria, bukuria, miqësia. Në këtë Atdhe mund të jetojnë të mëdhenjtë. Të mëdhenj janë ata që dashurojnë. Aty mund të jetojnë të përjetshmit. Të përjetshëm janë ata që dashurojnë. Aty mund të jetojnë të veçantët. Të veçantë janë ata që e ndjekin zërin e shpirtit të tyre dhe nuk joshen nga gjërat kalimtare të shijuara vetëm nga një kohë.

Skënder Sherifi është endacaku ëndërrimtar i shituar nga arti. Ky shtegtar nëpër kultura dhe qytetërime të ndryshme, të sotme dhe të harruara, e sheh botën nga një përmasë tjetër: nga përmasa e frymëzimit, dashurisë, humanizmit. Ai e sheh botën nga pozita e albatrosit të Bodlerit…

Skënder Sherifi është arkitekti dhe ndërtuesi i urave të dukshme dhe të padukshme të dialogut. Shkrimtari polak, Krzysztof Czyzewski, në librin Qendra e vogël e botës, flet pikërisht për urat e padukshme. Ne mund t’i referohemi sprovës së tij, pasi na duket se korrespondon me qasjen e Sherifit. Czyzewski thotë se për ndërtimin e urave të padukshme duhet mençuria që i kundërvihet rrënimit, harresës, frikës, konfliktit; duhet bashkëjetesa, dialogu, mirëkuptimi, integrimi, gjithëpërfshirja; duhen arkitektët që e njohin fizikën dhe metafizikën; duhen solidarët me Tjetrin dhe ata që janë të hapur ndaj kulturave të tjera. Ndërtimi i urave të padukshme, shton ai, fillon kur e pranojmë polifoninë, kur e kuptojmë se ura jeton në përmasën jomateriale, kurse për ndërtimin e saj duhet misteri dhe duart e huaja…

Le ta përfundojmë këtë vështrim për krijimtarinë e Skënder Sherifit duke e marrë si referencë një varg të tij. Poeti e ka deklaruar flakën e dashurisë nëpërmjet gjuhës së poezisë. E ka deklaruar këtë flakë jo vetëm për lexuesin e sotëm, por edhe për lexuesin e së nesërmes, të cilët do të pranojnë kumte të tjera nga universi poetik i Sherifit. Edhe kumtet që nuk arrin t’i pranojë lexuesi i sotëm. Sepse, si lexues, kurrë nuk arrijmë t’i pranojmë të gjitha kumtet që i përcjell një vepër letrare. Çdo vepër artistike ia kursen kohës dhe shijes sonë disa kumte, por ia shfaq kohës së ardhshme. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë në një vepër zbehen kumtet që lidhen me aktualitetin dhe mbeten vetëm kumtet universale, që u flasin të gjitha kohërave dhe të gjithë popujve… Vepra e Sherifit u flet të gjithë sistemeve poetike dhe kulturore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.