Olivera Jashar Nasteva – pedagoge e shkëlqyeshme, shkencëtare e papërsëritur dhe humaniste e veçantë

Kam qenë  me fat në jetë, që krahas nënës sime biologjike pranë të kem edhe një nënë shpirtërore, një grua me akribi shkencore e humane. Fjalën e kam për prof. Olivera Jashar-Nastevën e cila më mësojë, më udhëzojë, që të hy në fshehtësitë e shkencës dhe i gëzohej  arritjeve të mija profesionale e shkencore.

Olivera Jashar-Nasteva ishte dhe mbetet një nga studiueset më me zë dhe e pazëvendësueshme, sepse ajo i takon atij brezi intelektualësh, pesha e rëndësia e të cilave tashmë janë të njohur, kjo për shkak të veçantisë së tyre. Të rrallë janë hulumtuesit si Olivera Jashar-Nasteva, që punën e vet me përkushtim dhe me seriozitet e ka realizuar paralelisht në dy fusha, pedagogjike dhe shkencore.

Olivera Jashar Nasteva
Olivera Jashar Nasteva

Ajo ishte pedagoge e shkëlqyeshme, shkencëtare e papërsëritur dhe humaniste e veçantë. Sekreti i pavdekshmërisë së Olivera Jashar-Nastevës nuk qëndron vetëm te mendimet e saj të thella gjuhësore, por edhe personaliteti dhe modestia e saj e dyfishon interesin dhe dashurinë për mendimet e saj.

Të gjithë ata që kanë pasur qoftë edhe kontaktin më të vogël, nuk mund ta harrojnë kurrë, sepse ajo posedonte virtyte që rrallëkush mund t’i ketë. Këtë si duket e kishte trashëgim nga gjyshi Jashar, përfaqësuesi i Shkupit në Lidhjen e Prizrenit, dhe nga babai i saj. Olivera ishte e bija Emin beut të Shkupit, i cili në vitin 1908 si përfaqësues i Klubit të Shkupit, kishte marrë pjesë në Kongresin e Manastirit me të drejtë vote. Atëbotë ky bej e mbrojti abecenë latine për shqipen.

Me largimin nga kjo botë në botën e amshueshme të akademik Olivera Jashar-Nastevës, po kalojnë tashmë 20 vite që ajo po qëndron në heshtje të pamerituar. Për këtë personalitet të madh shkencor nuk u tha më asnjë fjalë dhe ajo nuk u kujtua thuajse aspak për këto 20 vjet – as nga Fakulteti i Filologjisë e as nga Akademia Shkencave të Maqedonisë.

Ajo së pari shquhet si profesoreshë e diplomuar në paralelet e para në gjuhën shqipe në Shkollën Normale “Nikolla Karev” të Shkupit, ku ligjëronte gjuhën maqedonase e pastaj në Shkollën Normale “Zef Lush Marku” në Shkup, ku e ligjëronte gjuhën frënge. E vetmja grua dhe një ndër të parat femra e diplomuar. Për nevojat e nxënësve shqiptarë ajo i bëri edhe disa përkthime dhe mori pjesë në përpilimin e plan-programit të parë të lëndës së gjuhës shqipe.

Nevoja, por edhe suksesi i arritur në studime, në vitin 1963 e sollën të punojë si asistente në Katedrën e Gjuhës Maqedonase të Fakultetit Filozofik të Shkupit, ku edhe i mori të gjitha gradat shkencore dhe arsimore. Ajo e ligjëronte Linguistikën e përgjithshme për të gjithë studentët që i studionin gjuhët në këtë fakultet. Pastaj, në vitin 1972, kur pranë Fakultetit Filologjik duhej të hapej Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, ajo bashkë me prof. dr Petro Janurën, u bë themeluesja e Katedrës se Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Shkupit. Aty, krahas Linguistikës së përgjithshme, i ligjëroi lëndët: Dialektologjia e gjuhës shqipe dhe Historia e gjuhës shqipe. Me pas ajo u angazhua edhe për hapjen e Katedrës së Gjuhës Turke, ku ishte edhe shefja e parë e kësaj katedre.

Gjithashtu bashkë me Bllazhe Koneskin, Bozhidar Vidoevskin dhe Petar Ilievskin e themeluan sektorin e gjuhësisë në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë në Shkup.

Koha dhe mungesa e saj fizike nuk ia ka humbur aspak asaj imazhin pozitiv dhe vlerën në shkencë. Përkundrazi, ajo më shumë se kurrë kërkohet dhe citohet për të dëshmuar mendimet e plota shkencore në fushën e gjuhësisë. Në shkencë jeta e saj studimore ka ecur në hap më zhvillimet bashkëkohore të epokës kur ajo jetoi. Dhe, të ecësh në një hap me kohën botërore, kjo është një merite e veçantë kur bëhet fjalë për një studiuese, sidomos për një linguiste në një epokë kur duhej të peshohej çdo gjë ose të thuhej ashtu siç e kërkonte ideologjia. Në këtë drejtim ajo na jep shembullin e një punëtoreje dhe një gruaje më fisnike – se si duhet të jetë një shkencëtare e mirëfillte duke i pasur parasysh këto fakte. Është për t’u habitur se si ishte e mundur që edhe në periudhat më të zymta dhe të ndjekura për çdo shkronjë ajo mbeti objektive në shkencë. Atë e mbronte objektivja. Ndonëse hakmarrja ndaj sa nuk kishte të ndalur – asaj nuk ia botuan as edhe një libër shkencor derisa nuk u ndryshua sistemi.

Kështu librin e pare ia botojnë ish studentët dhe kolegët e saj nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe me titull “Kontaktet gjuhësore në hapësirat ballkanike” në SHB “Logos-A” të Shkupit. Megjithatë vepra e saj citohet gjithandej në të gjitha punimet shkencore të njerëzve më eminentë të gjuhësisë ballkanike pranë gjuhëtarëve të mëdhenj, si: Idriz Ajeti, Eqrem Çabej, Jani Thomai, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Shaban Demiraj, Viktor Fridman, Bllazhe Koneski, Bariqi, Desnickaja, Topolinska, Usikova, Henri Hemp, Mikloshiqi, Majeri, Vaigandi, Selishçevi, Skoku etj. Kjo shkencëtare, në mënyrë objektive, si në diakroni ashtu edhe sinkroni, i studionte dhe i analizonte fenomenet gjuhësore. Siç shprehej akad. Idriz Ajeti, “Ajo kishte një gjuhë specifike dhe kishte aftësinë që temat shumë të ndërlikuara gjuhësore t’i bëjë të kuptueshme për të gjithë. Sidomos kur bëhet fjalë për gjuhët ballkanike, ajo ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme për studimet e krahasuara të gjuhëve ballkanike”.

Të flasësh ose të shkruash për portretin e Olivera Jashar-Nastevës ose për veprën shkencore të saj është e pamundur të mos shkruash edhe për virtytet e saja njerëzore të një personaliteti të rrallë, të vlerësuar jo vetëm me parametrat tonë, por të të gjithëve që e njohën dhe patën punë me të. Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, ruajnë për të nderimin më të madh, sepse atë e dallonte objektiviteti, çiltërsia, modestia dhe gatishmëria për bashkëpunim e ndihmë.

Kjo zonjë e madhe humane e shkencore në lëmin e linguistikes mbetet një gjigande e mendimit linguistik. Opusi i saj shkencor llogaritet në mbi 200 zëra bibliografikë, të botuar edhe në gjuhë të huaja në revistat shkencore botërore. Ajo trajtonte tema nga interferenca gjuhësore, gjuhët në kontakt, lidhjet gjuhësore, diglosinë e bilinguizmin, onomastikën, toponiminë dhe artikuj ku përfshiheshin segmente leksikore terminologjike etj., të gjitha të analizuara sipas metodave më bashkëkohore të studimit të gjuhësisë.

Nga opusi i saj shkencor me një akribi shkencore hulumtoi dhe, ashtu siç thotë prof. Idriz Ajeti, “në aspektin ballkanologjik në Maqedoni bart një barrë të konsiderueshme…. në fushën e studimeve të ndërsjella kur merr e këqyr gjithë atë numër studimesh”. Kur fliste mbi gjuhën shqipe në relacion me gjuhët ballkanike, e sidomos për toponiminë, ajo i mbeti konsekuente vetëm të vërtetës shkencore pa marrë parasysh se në çfarë situate presioni do të ndodhej.

Punimin e parë shkencor e nisi me temën “Fjalët shqipe në gjuhën e fshehtë maqedonase”.Pastaj erdhën punimet: “Ndikimi i maqedonishtes në gjuhën shqipe”, pastaj “Skënderbeu te Grigor Përliçevi” në Prishtinë, “Skënderbeu në letërsinë maqedonase” në Palermo, “Besa në gjuhët e Ballkanit në Bukuresh “,”Fjalorët e Gjorgje Pulevskit dhe paralelet shqipe në të” etj., që do të thotë se interesi i saj ishte shumë madh për studime leksikologjike e sidomos me historinë e leksikologjisë.

Prof. Olivera, me intelektin e saj të çuditshëm, në shumë kumtesa e referate nëpër shumë simpoziume e kongrese e mbrojti pikërisht atë që do të thoshte shkencë. Akad. Oliverën e njohën dhe për të shprehen interes shume institucione e katedra, ku ajo ftohej të mbajë ligjërata, si në: Napoli, Paris, Krakov, Moskë, Ankara, Çikago etj.

Në vitin 1983 akademik Olivera Jashar Nasteva zgjidhet anëtare e rregullt në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, ndërsa pas dy viteve zgjidhet edhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Turqisë. Përveç kësaj, në shumë akademi të tjera ajo vepronte si bashkëpunëtore në sektorin e gjuhësisë. Me autoritetin e saj shkencor ajo arriti të jetë udhëheqëse e Komitetit Nacional për studime të Evropës juglindore.

Për personalitetin dhe veprat e Olivera Jashar-Nasteves janë thënë dhe thuhen shumë fjale miradije nga njerëzit e shkencës e të pendës, sepse ajo ishte një monument që ecte rrugës dhe e kishte tejkaluar kohën në të cilën jetonte. Ajo do të mbetet e pranishme edhe në të ardhmen. Emri i saj do mbetet ndër dijetaret dhe intelektualet e cila dashuronte dhe jetonte me problemet e zbulimit të së vërtetës. Ajo jetonte me studentët, kolegët e me linguistiken. Ndërkaq tani linguistika dhe ne jetojmë me atë.

Shkruan: Avzi Mustafa