“Eko-svest”: Qytetarët kanë shumë pengesa për t’i shfrytëzuar burimet e ripërtëritshme të energjisë

Nevojitet harmonizim i ligjeve dhe akteve nënligjore me gjendjet momentale me qëllim që të krijohet mjedis i mundshëm për rritjen e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë nga amvisëritë – proces i cili do ta përshpejtojë tranzicionin dhe do t’i zbusë pasojat e ndryshimeve klimatike, thonë nga Qendra për hulumtime dhe Informim për Mjedis Jetësor “Eko-svest” Shkup, njofton Portalb.mk.

Qendra, bashkë me Shoqatën Maqedonase të Juristëve të Rinj, Institutin për Politika Ekonomike dhe Energjetike dhe Hulumtime, Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë dhe Solar Maqedoni në periudhën prej nëntorit 2022 deri në gusht 2023 i kanë analizuar kushtet për vendosjen e llojeve të ndryshme të sistemeve solare në kulmet e shtëpive. Ata kanë dërguar letër të hapur deri te Qeveria dhe institucionet, me rekomandime të cilat do të kontribuonin që të ulen dhe zbuten pasojat nga ndryshimet klimatike dhe të përmirësohet cilësia e ajrit në shtet.

“Qëllimi i hulumtimit ishte që të gjenden dobësitë në kornizën juridike për instalimin e sistemeve fotovoltaike dhe të propozohen ndryshime konkrete me qëllim që të krijohet mjedis i mundshëm për rritje të shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë nga amvisëritë. Ekzistojnë lëshime serioze në rregullativën juridike, mospajtueshmëri të terminologjisë me teknologjitë ekzisturese dhe kapacitetet dhe mos-harmonizim më ligje tjera relevante dhe akte nënligjore të cilat janë pengesa për qytetarët që t’i shfrytëzojnë favoret nga burimet e ripërtëritshme të energjisë”, thotë Elena Nikollovska, koordinatore programi për klimë nga “Eko-svest”.

Nga Qendra thonë se nevojitet që të bëhen ndryshime të Rregullores për burime të ripërtëritshme të energjisë me qëllim që sistemet fotovoltaike të jenë me çmim të leverdishëm dhe tërheqës për amvisëritë. Më tej, hulumtimi ka treguar se duhet që të ndryshohet formula për vlerësimin e tepricës së prodhuar të energjisë elektrike, në mënyrë që çmimi i tepricës së rrymës nga sistemi fotovoltaik të jetë i njëjtë me çmimin me të cilin amvisëritë e blejnë rrymën elektrike nga furnizuesi universal.

“Disa prej ndryshimeve kyçe të cilat duhet të parashihen në ligjin për ndërtim është procedura për vendosjen e llojeve tjera të sistemeve solare, por edhe të sillet obligim për vendosje të obliguar të centralit fotovoltaik gjatë ndërtimit të objektit të ri, gjegjësisht gjatë rikonstruimit të objekteve”, thonë nga “Eko-svest”.

Ndryshe, Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) ka lëshuar licencat për 400 termocentrale në 15 muajt e fundit.

Katërqind termocentrale për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme janë të lidhura në rrjet dhe kanë fuqi prej 191.6 megavat, që është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e amvisërive me konsum mesatar prej dhjetë qyteteve: Ohër, Tetovë, Kratovë, Krushevë, Kriva Pallankë, Sveti Nikollë, Resnjë, Dojran, Dibër dhe Vinicë.

Në vitin 2022, KRRE ka lëshuar licenca për gjithsej 267 termocentrale për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme me një kapacitet total të instaluar prej 152.2 megavat. Prej tyre, 106,5 megavat janë nga termocentralet fotovoltaike, ndërsa 36 megavat janë nga termocentralet me erë, 7,2 megavat janë nga hidrocentralet e vogla dhe 2,5 megavat janë nga termocentralet e biogazit.

Kujtojmë se termocentralet janë fabrikat që prodhojnë më së shumti energji elektirke në Maqedoninë e Veriut, derisa 99.8 % e thëngjillit në vend shfrytëzohet për këtë qëllim.

Prodhimi i përgjithshëm bruto i energjisë elektrike: termocentralet (57.3 %), hidrocentralet (25 %), termocentralet e kombinuara (14.8 %), turbinat e erës (2.1 %), centralet e biogazit (0.6 %) dhe centralet diellore (0.2 %).

“Në janar 2023, konsumi i përgjithshëm sipas llojeve të energjisë është: 709 217 МWh energji elektrike, 33.294 mil. nm3 gaz natyror, 564 355 ton qymyr dhe 105 213 ton produkte nafte”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.