U ndalua prodhimi dhe përdorimi i disa llojeve të qeseve në Kosovë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, ka thënë të enjten se në Kosovë do të ndalohet prodhimi i qeseve të plastikës nga 0 deri në 25 mikronë.

Ai ka thënë se qeset e holla të plastikës, të cilat përdoren aktualisht dhe mund të merren nëpër markete, do të ndalohen plotësisht, transmeton REL.

“Nga zero deri në 25 mikron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta, të cilat nuk do t’i kenë mbajtëset. Ndërsa për qeset nga 25 deri në 50 mikron do të lejohet përdorimi i tyre, do të kushtojnë pesë centë, por nuk do të lejohen që të kenë logo të prodhuesve, apo logo reklamuese”.

Në një konferencë për media, Aliu ka thënë se për qeset biodegraduese dhe të kompostueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie, me certifikatë përkatëse, që vërteton se qeset janë nga materiali i biodegradueshëm, nuk do të vendoset çmim minimal.

“Për qeset e plastikës me mbajtëse deri në 50 mikron nuk do të vendoset çmim minimal dhe as tarifë”.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor në të cilin qeset e plastikës për një përdorim ofrohen falas për konsumatorët.

Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi janë disa nga vendet në të cilat duhet paguar për t’u pajisur me qese plastike, derisa Shqipëria e ka ndaluar përdorimin e tyre vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 në këtë vend janë grumbulluar 485 mijë tonë mbeturina komunale – ku përfshihen edhe qeset e plastikës.

Gjatë një viti, mesatarja e mbeturinave për kokë banori është 273 kilogramë apo 0.75 kilogram në ditë.

Për natyrën qeset e plastikës janë të dëmshme dhe atyre u duhen shumë vite të dekompozohen.

Përveç kësaj, kur qeset e plastikës shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike.

Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), çdo minutë, në të gjithë botën, përdoren një milion qese të plastikës.

Nga korriku i vitit 2021, Bashkimi Evropian ka fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim.

Produktet e plastikës për një përdorim përfshijnë: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE-së, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis.

Këto plastika, sipas vlerësimeve të BE-së, përbëjnë rreth 70 për qind të mbeturinave detare në Evropë.

Qëllimi përfundimtar i BE-së është që deri në vitin 2030, çdo plastikë e mbetur të jetë e ripërdorshme ose e riciklueshme.