Duhet të forcohet roli i shoqërisë civile në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, vlerësoi KE-ja

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut duhet të bëjnë më shumë punë dhe përpjekje për përfshirjen e shoqërisë civile në vendimmarrje, ndërkaq duhet të forcohet edhe roli i shoqërisë civile në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo mes tjerash thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023 mbi në rrugën e RMV-së drejt integrimit evropian, të cilin Portalb.mk e analizoi për sa i përket shoqërisë civile.

Raporti vë në dukje se në përgjithësi organizatat e shoqërisë civile (OJQ-të) në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të operojnë në mjedis të favorshëm. Megjithatë, Qeveria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të integruar angazhimin e shoqërisë civile në fushat prioritare dhe në aktivitetet e konsultimit.

“OJQ-të duhet të luajnë rol të rëndësishëm në procesin e reformës dhe të përfshihen në proceset vendimmarrëse. Kornizat ligjore dhe financiare ekzistuese ende duhet të ndryshohen dhe zbatohen në praktikë, veçanërisht për të ofruar mekanizma të qëndrueshëm për dhënien e fondeve publike për OJQ-të”, thekson Raporti.

OJQ-të sipas KE-së duhet të konsultohen për projektligjet në mënyrë më sistematike dhe më kuptimplote.

“Roli i shoqërisë civile në procesin e negociatave për anëtarësim në BE duhet të forcohet”, vë në pah Raporti.

Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile mbetet kanali kryesor strukturor për konsultimin dhe përfshirjen e shoqërisë civile në dialogun politik dhe vendimmarrje, ndërkaq theksohet se ndarjet buxhetore për programin vjetor për bashkëpunim me shoqërinë civile nuk janë rikthyer në shtojcën e buxhetit të vitit 2022, sipas Raportit kjo bie ndesh me synimet e politikës së strategjisë së bashkëpunimit me shoqërinë civile 2022-2024.

“OJQ-të kanë bojkotuar punën e Këshillit që nga marsi i vitit 2022 si rezultat i vendimit të qeverisë për transferimin e fondeve për financimin e OJQ-ve nga Sekretariati i Përgjithshëm në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive. Ekziston nevoja për të rindërtuar besimin dhe bashkëpunimin. Roli i Këshillit dhe i njësisë përkatëse brenda Sekretariatit të Përgjithshëm të qeverisë duhet të rritet”, thuhet në Raport.

Ndërkaq, nënvizon raporti se është e nevojshme që Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile të rifillojnë aktivitetet.

“Zbatimi i strategjisë për bashkëpunim dhe zhvillim të shoqërisë civile 2022-2024 është në vazhdim e sipër, megjithëse nevojitet një kuadër efektiv monitorues për të kontrolluar zbatimin e saj”, thotë Raporti.

Theksohet se autoritetet lokale duhet të jenë më proaktive dhe të zhvillojnë qasje të qëndrueshme për përfshirjen e OJQ-ve në politikbërjen në nivel lokal.

Ndërkaq bashkëpunimi duhet të vazhdojë ndërmjet sektorit publik dhe privat dhe shoqërisë civile.

Raporti mes tjerash thekson fushat në të cilat OJQ-të po japin kontributin e tyre. Gjithashtu nënvizohet se shoqëria civile vazhdon të merr mbështetje nga ndihma të BE-së duke ofruar mundësi për për t’u rritur dhe zhvilluar në një mjedis të favorshëm.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni më poshtë.