Agron Tufa për librin e ri: E kam ndjerë veten shpesh virtuoz gjatë shkrimit të këtij romani…

Panairi i Tiranës vazhdon të jetë një festë mbarëkombëtare, më e madhja e librit. Për disa ditë me radhë janë shpallur me dhjetëra promovime librash për të cilat Portalb.mk do të përpiqet t’u sjell informacione se cilat janë librat më të bujshëm të panairit.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Profesori Agron Tufa do t’i mungojë fizikisht panairit por jo edhe vepra e tij e re bashkë me botimet e tija të mëhershme dhe të fundit të cilat janë të qasshme për lexuesit.  Krijimtaria e tij është e pasur me mbi  me mbi 20 vepra origjinale të botuara në poezi e prozë dhe po aq të përkthyera. Fati i tij që i vogël ishte në përplasje me sistemin komunist. Ai prej vitesh bashkë me familjen është azilant politik në Zvicër, pasi me një biografi si të tijën gjithnjë has në telashe me “mbetjet e komunizmit”, siç i quan ai.

Romani i fundit i shkrimtarit Agron Tufa, “Arratia e fundit e Baltazar Ketës”, është një roman-baladë, një roman-mit, me heronj plot ëndrra të bukura e të sëmura, që rravgojnë drejt së pamundurës, midis një realiteti dhe sfondi shoqëror depresiv.

Romani ngërthen një rrëfim dinamik në rrafshin e së tashmes, që është i determinuar nga e shkuara dhe e ardhmja. Shtjella e pasioneve njerëzore me misterin e vazhdueshëm, deri në fjalën e fundit, përplas dy prirje të kundërta: njëri, sipas një vektori fizik, synon idealin e lumturisë tokësore dhe tjetri, një vektor i qartë metafizik, synon lartësitë, dehjen dhe ngazëllimin qiellor.

Diskurset e shumta filozofike, etike dhe shoqërore, që përvijohen natyrshëm përgjatë fabulës së magjishme të rrëfimit dhe stilit të zhdërvjellët, e bëjnë këtë roman një tekst sugjestionues, që lexohet me një frymë.’’

Kur ka zënë fill ideja , shkrimi i këtij libri?

Agron Tufa: Ideja e romanit “Arratia e fundit e Baltazar Ketës” zuri fill menjëherë pas mbarimit të romanit tetralogjik “Ngjizja e papërlyeme”, bash në atë hapësirë apatike dhe boshe kur romanin e dorëshkrimin e tetralogjisë ia kisha dërguar botuesit tim Bujar Hudhri (“Onufri”). E kam bërë zakon, që në këto hapësira të zbrazëta pas mbarimit të një vepre, shkruaj gjëra të shkurtra, shtjelloj ndonjë imazh-metaforë, ndonjë mendim ose hamendësim, se si do të merrte jeta nëse… apo sikur…? Mbaj mend se kisha hedhur në një fletë diç të tillë: “Kush na siguron se nuk kemi vdekur? Kush na siguron se nuk jetojmë në një gjendje hipnoze, që është vazhdimësi këmbëngulëse, obsesion i ëndrrave që kemi bartur si pengje të parealizuara në gjallje? A jemi në gjendje t’i biem me saktësi në të atij momenti kur kemi vdekur me të vërtetë?” Më vonë këtyre pyetjeve, në po atë fletë, iu shtuan dhe të tjera: “Ekziston një apo disa vdekje në jetën tonë, para shuarjes përfundimtare? Nëse po, cilët janë ato momente, ato periudha, kur ne kemi vdekur? Ç ’është bërë me qenien tonë pas vdekjes së parë, pas vdekjes së dytë, pas të tretës e në vazhdim? Si jemi shndërruar?  Ç’ka bërë kujtesa jonë për ato jetëra të parealizuara? Si ka qenë vazhdimi dhe ç ‘gjë ka qenë ajo që na mbajti të vazhdojmë gjallë?”

Ku mbështetet rrëfimi, fabula?

Agron Tufa: Kapitulli i parë e mandej, krejt pjesa e parë, filloi si improvizim me protagonistin e romanit që vdes. Baltazar Keta pëson një vdekje tejet të rëndomtë, aksidentale, në banjën e apartamentit të vet, teksa rruhet dhe nxiton t’i japë fund, për shkak se sapo i ka ardhur një mysafir. Ky mysafir është mik i fëmijërisë, njëkohësisht doktori i lagjes dhe i familjes. Ai e kontrollon, e shpall të vdekur, shkruan, firmos dhe nxiton tok me të shoqen e Baltazarit ta fusin në arkivol e të nisen ta varrosin në vendlindje, për t’i shpëtuar një autopsie të kotë dhe vonesave të panevojshme. Baltazarin e përcjellin për atje ku venë e s’kthehen me shartet e përzishme tradicionale të mortit. Rrëfimi përcillet nga një tjetër i njohur i Baltazarit, bashkëvendasi i tij Adrian Proseku, një gazetar i njohur i kronikës së krimeve, i cili prej kohësh përpiqet, ndonëse pa asukses, si dinjitar, të formojë brinjën e një trekëndëshi marrëdhëniesh me gruan e re të Baltazarit, Sesilën. Vdekja e papritur e Baltazarit e mbush me hare dhe me shpresa atë (Adrianin), andaj thur plane e ëndrra.

Por kjo hare e parakohshme zgjat vetëm 6 ditë, mandej trandet nga një lajm i dytë, sensacional, që përcillet në media: varri i Baltazarit të vdekur është hapur. Arkivoli është bosh. Kufoma nuk gjendet. Fillojnë hetimet. Por sensacioni është i dënuar të zgjasë jo më shumë se tre ditë, ngase përkon me valën e fuqishme të protestave politike të vjedhjes masive dhe manipulimit të votës së lirë në Zgjedhjet e përgjithshme, që sapo janë mbajtur. Lajmi mbi Baltazarin jo vetëm eklipsohet, por ai denoncohet gjithkund nëpër studiot televizive si manevër e ndyrë politike e qeverisë, për të shpërngulur vëmendjen. Pikërisht kur lajmi mbi Baltazarin vdes, fillon gjahu i vërtetë i Adrian Prosekut mbi fatin e të vdekurit të arratisur, të cilin policia e ka shpallur në kërkim.
Kjo është dhe pjesa e parë e romanit “Gjahu im”, e cila përcillet nga pikvështrimi i Adrian Prosekut. Në fund të kësaj pjesë të parë, ai arrin të bëjë një zbulim, për të cilin asnjëherë nuk është i sigurtë. E ëma e Baltazarit, të cilën ai e viziton në fshat, i rrëfen se për tre javë Baltazari i arratisur ka qenë fshehur aty, në bodrumin e shtëpisë së fëmijërisë, dhe se prej dy ditësh është larguar përfundimisht në Athinë. Ardiani nuk i zë besë të ëmës së Baltazarit. Ai mendon se ajo sajon një legjendë, vetëm për shkak se vetëdija e saj nuk është në gjendje të pranojë faktin e vdekjes së të birit. Në shtratin ku e ëma pretendon se ka bujtur i fshehur Baltazari i arratisur nga varri, Adriani gjen në këllëf të jorganit një fletore të cilën e fsheh. Largohet po atë mbrëmje dhe në një hotel të qytetit ku kalon natën, ai lexon dhe tronditet me shënimet e Baltazarit. Gjithësesi ai i hedh në laptopin e tij ato shënime dhe fletoren e djeg. Të nesërmen sërish e vë në dyshim vërtetësinë e shënimeve, dhe bashkë me një mikun e tij, vendosin se shënimet e Baltazarit janë veçse një alibi e sofistikuar e psikikës së dyzuar të së ëmës, një ish mësuese biologjie, e cila ka improvizuar vazhdimisht, kinse Baltazari është gjallë. Arratinë e tij, ata e motivojnë me formën mizore të një hakmarrje personale, siç është dhunimi i kufomës, ose groposja në ndonjë vend të fshehtë.

Fotografi personale e autorit , shkrepi: Romir Imami
Fotografi personale e autorit, shkrepi: Romir Imami

Pjesa e dytë e romanit “Shënimet e Baltazarit” ndryshon rrënjësisht për nga natyra dhe stili i shkrimit. Është ditari i diskutuar dhe i dyshuar i Baltazarit, që Adriani e hedh në laptopin e tij. Në këtë pjesë njohim shtresë pas shtrese profilin e një djaloshi të rritur në vegjëli vetëm me të ëmën, pas arrestimit dhe dënimit të të atit. Trauma e izolimit, veçimit dhe përndjekjes në realitetin e ashpër të luftës së klasave lënë vulën e vet në personalitetin e fëmijës, që rritet dhe burrërohet falë pasionit të tij të ngjitjes së majëmaleve. Kjo arrati ndër male bëhet droga e tij ngushëlluese, ekuilibri mendor dhe shpirtëror. Baltazari rrëfen dramat e tij intime, një dashuri të parë të madhe, që shndërrohet në mitin e tij personal e të pavdekshëm, që e përndjek, derisa lamtumiroset me të, tashmë si emigrant në Greqi. Gruaja e re, Sesila, me të cilën është martuar dhe kanë krijuar një harmoni të mbyllur e të brishtë brenda Kafe-librarisë së tyre “Odeon”, ku kalojnë ditët, është një shëmbëllim i përpiktë fizik, por jo metafizik, i Irenës, dashurisë së tij të pamundur të kohës së gjimnazit.
Shënimet e Baltazarit të strehuar tek e ëma, në shtëpinë e fëmijërisë, mbyllen papritur për shkak të denoncimit të së ëmës në Polici. Ajo nuk arriti ta kuptonte turbullirën shpirtërore të të birit, që nuk donte të shfaqej, drojën e tij për t’u bërë një kavie e sehirit të përgjithshëm popullor e mediatik, që për të përbënte një vdekje të sigurtë, banale e përfundimtare. Baltazari është lidhur me shqotën e miqve të tij alpinistë në Athinë, me njërin prej të cilëve nis një dialog epistolar elektronik mbi thelbin filozofik të pasionit të ngjitjes së majave. Pse njerëzit ngjiten në majëmale dhe pse pas përvojave të para bien në varësi të këtij pasioni? Shtrimi i kësaj pyetje vazhdon të përthyhet në përvojat metafizike të secilit. Gjithsesi e ëma mendon se i biri nuk është krejt në rregull që nuk do të bëhet i gjallë, kur kërkimet për të vazhdojnë. Ai nuk pranon as të lajmërohet e shoqja. E ëma i bie shkurt: lajmëron me një mesazh shefin e policisë që të vijnë në mëngjes “ta arrestojnë”, e kësisoj ta shpëtojnë. Por Baltazari rastësisht e ndesh mesazhin e saj, dhe pa zbardhur e nesërmja, ai largohet: merr paratë e grumbulluara në kafen e mortit të tij, kalon kufirin me Maqedoninë e që andej del në Greqi, për t’u nisur më pas, tok me rrethin e miqve të tij alpinistë drejt ëndrrës së tij më të madhe – pushtimin e majës së Everestit.

Kopertinë libri
Kopertinë libri

Pjesa e tretë e romanit “Baltazari i ri”, rrëfehet sërisht nga gazetari i kronikës së krimeve, Ardian Proseku. Në fillim ai mbështet idenë e zbulimit vetjak të enignmës mbi hakmarrjen ndaj Baltazarit, grabitjen dhe dhunimin e kufomës, ide që për vejushën e tij, Sesilën, është bërë obsesion, ide fikse. Adriani e mbështet Sesilën, pa i treguar asgjë nga ato që di. E mbështet sepse nuk është i sigurtë nëse shënimet e Baltazarit janë të tij, apo të së ëmës me personalitet të dyzuar, dhe të cilën komisioni mjeko-ligjor që merret me çështjen e Baltazar Ketës, e ka nxjerrë psikikisht të sëmurë dhe për rrjedhojë e kanë mbyllur në spitalin psikiatrik të qytetit.
Vejusha e Baltazarit, Sesila, kërkon që ta zgjidhë enigmën duke takuar Irenën, ish-dashurinë e të shoqit, e cila punon në një tavernë të Patras, bashkë me të shoqin, Aristidhin, një ish-oficer madhor Sigurimi, me të cilin qe martuar, qëkur pati refuzuar Baltazarin. I shoqi ka qenë një survejues e persekutor i Baltazarit që në kohën e gjimnazit. Sesila, e diplomuar për psikologji, ka bërë një parashikim: gjatë viteve të tij greke, Baltazari është kthyer tek Irena, ka krijuar me të një lidhje të fshehtë dhe kur e ka arritur, është hakmarrë, duke ia bërë me dije të shoqit të Irenës, armikut të tij. Tërbimi e përbetimi hakmarrës i Aristidhit mandej, ka gjetur të shfrejë udhën e dhunimit dhe zhdukjes së kufomës. Sesila kërkon vetëm një gjë: të gjejë kufomën e të shoqit dhe përballojë paqen e zisë. Në këtë ndërrmarrje e shoqëron Adriani dhe e lehtëson për t’ia arritur qëllimit. Por ai ka arritur ndërkohë të dallojë, që pas suksesit në dukje të Sesilës, po endet një rrjetë kurthi për të. Aventura kinse dedektive nëpër Patra në Hotel “Pasifea” s’është veçse një variacion fluid përplot asociacione i temës së Labirintit dhe Minotaurit, gjëra të cilat kapen vetëm nga një lexues i specializuar. Megjithëse i është betuar Sesilës me besë, se nuk do të përfitonte nga asnjë situatë, Adriani nuk e mposht tundimin dhe e merr Sesilën gjymë me zor, gjë për të cilën ata kanë ide të ndryshme: ajo e quan përdhunim, ai nuk e pranon të tillë. Ardiani dhe Sesila kthehen në Tiranë. Duket se ky është fundi i marrëdhënies së tyre. Adriani i fytet një tjetër Labirinthi, edhe më të ndërlikuar se ai i mitologjisë, si gazetar propushtet, bën emër, rilidhet me të shoqen që e pati lënë, bën disa aventura të çmendura me një nga gratë mnë të bukura të sferës së lartë të politikës, duke mbledhur mërinë e të fortëve, derisa bie mbi të hakmarrja përvëluese e tejet poshtëruese e çnderuese e grave. Kur ka humbur gjithçka dhe është turpëruar, braktisur e dëbuar nga të gjitha rrafshet, ai kërkon të hakmerret. Vendos të hakmerret. Bën plane, që edhe vetë e di se nuk do t’i vërë në veprim. Por një mëngjes ndodh mrekullia: idenë e tij për t’u hakmarrë e ka realizuar dikush tjetër. Ai e përvetëson këtë bëmë hakmarrëse dhe lajmëron policinë duke e marrë mbi vete aktin hakmarrës (hedhjen në erë të një fuoristrade me armiqtë e tij brenda). Dënohet dhe dërgohet në burgun e Peqinit. Edhe pse nuk e shpresonte kurrë, atje i vjen për takim Sesila, e cila e thotë se ti je “familja ime”. Ajo është shtatzanë me “frutin e dhunës”, sipas saj, dikur. Rifillojnë hetimet për Adrianin: zbulohet paautorësia e tij dhe lirohet bash atëherë, kur Sesila lind djalin e tyre, të cilin e quan Baltazar. Çuditërisht Baltazari i ri ka një nishan blu të errët në mollëz, të njëjtë me Baltazarin e zhdukur.  Adriani pas burgut i shpërfill të gjitha ofertat e bujshme të studiove televizive; ai zë qetë e paqësisht vendin e Baltazarit në Kafe-Librarinë “Odeon”. Me kalimin e kohës Sesila e pranon të bashkëjetojnë atin e fëmijës së saj. Një muzg fundtetori në Odeon hyn një burrë i panjohur që kërkon Sesilën. Ai është zoti Cikaraqis, miku i ngushtë i Baltazarit. Rrëfimi i tij është i hollësishëm se si iu ngjitën majës së Everestit dhe se si Baltazari ishte i vetmi që nuk pranoi të ngjitej me maskë.  Ai tregon ngjitjen e mundimshme të Baltazarit në majë, triumfin e tij të vetmuar dhe zbritjen për të kapur kampin-bazë. Por që nuk e arrin kurrë: një stuhi e pmendur dëbore e rrëmben dhe e hedh nëpër humnerat e pafundme të shpateve të Himalajeve. Cikariqisi gjithashtu ka kaluar një periudhë të gjatë rehabilitimi. Ai ka ardhur për të sjellë një pjesë të pajimeve alpinistike të Baltazarit, me qëllim, që kur të mbushej njëëvjetori i varrimit të tij të parë, të bënin varrimin e tij simbolik me ato pak mjete të çantës së tij alpine.

Kopertinë libri
Kopertinë libri

Mbahet ceremonia e rrivarimit. Sesila dhe Adriani bashkëjetojnë në çift. Baltazari i ri rritet duke i ngjarë gjithë e më fort jo të atit, Adrianit, por Baltazarit. Ai bëhet gjithashtu një alpinist. Adriani shpërthen kundër padrejtësisë, sepse Sesila i ka lënë Baltazarit të ri mbiemrin Keta, jo mbiemrin e tij dhe në asnjë rast nuk pranon se atë djalë e ka me të.
Pasojë e këtij tërbimi të vazhdueshëm është vendimi që merr Adrian Proseku: ta rrëfejë historinë ashtu siç është, me qëllimi që i biri ta mësojë atë dhe pasi ta mësojë, le të vdesë vetë se bir i kujt është. Ky është krejt syzheti i romanit i thënë në mënyrën sa më të trashë. Sigurisht ka shumë linja e episode të tjera.

Romani ngre një mori problematikash përanash linjave të rrëfimit, ka kode të fshehta, aludime, alegori, miti është gjithmonë i pranishëm në beft, lidhjet intertekstuale, apelimi herë tek njëra traditë shkrimi, herë te tjetra.}

Estetika – kryesisht Post-post moderniste, plot me humor të zi përanash linjës magjistrale serioze. Jam ndjerë ngjashëm, si dikur Martin Camaj me romanin “Karpa”: “E kam ndjerë veten shpesh virtuoz gjatë shkrimit të këtij romani…”. Gjatë leximit dhe korrektimit ka qenë festë, që më ka shijuar. Por tani dua ta harroj, ta harroj sa më parë, përndryshe nuk shkruaj dot. Pas Tetralogjisë “Ngjizja e papëlyeme” (në fakt pentalogjisë, sepse romani i pestë “Sikur të kisha një çekiç” (400 f) nuk është botuar akoma), romani “Paqja e përgjakur e Adamit” (2022) dhe “Arratia e fundit e Baltazar Ketës” (2023) – që janë shkruajtur pothuajse njëri pas tjetrit, kanë përmbushur një mision të rëndësishmëm: më kanë zhvendosur nga vatra e prushtë e pentalogjisë. Tani më duhet të harroj sa më shpejt dhe “Arratinë e Baltazarit…”.