Dita e Policisë së Maqedonisë, Toshkovski: Po ndërtojmë polici moderne evropiane dhe pa kompromis ndaj krimit
Sot në Ministrinë e Brendshme u mbajt ceremonia qendrore me rastin e 7 Majit – Ditës së Policisë së Maqedonisë, ku folën ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski dhe Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike Aleksandar Janev. Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se policia e Maqedonisë mbetet një shtyllë kyçe e sigurisë, stabilitetit dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se institucionet kanë kapacitet për t’u përballur me vendosmëri me krimin dhe korrupsionin, transmeton Portalb.mk.
“Vitin e kaluar e mbyllëm me ulje të krimit total me më shumë se gjashtë përqind. U shtypën 16 grupe të krimit të organizuar që përfshinin 205 persona. Në luftën kundër korrupsionit, u zbatuan disa procedura të rëndësishme, përfshirë raste të profilit të lartë, dhe u shtypën katër grupe kriminale. Është veçanërisht e rëndësishme që krimi total ka rënë dhe është në nivelin e tij më të ulët në 20 vitet e fundit. Efikasiteti është 67.2%, që është edhe niveli më i lartë në të njëjtën periudhë”, tha ministri Toshkovski.
Ai theksoi se paralelisht me aktivitetet e sigurisë, ministria po punon intensivisht edhe për modernizimin e institucionit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Shërbimet administrative në Shkup janë rinovuar dhe tetë shërbime të reja administrative janë hapur në të gjithë vendin, duke përmirësuar ndjeshëm disponueshmërinë e shërbimeve. Pas më shumë se 15 vitesh, janë blerë 120 automjete të reja zyrtare moderne, të pajisura teknologjikisht dhe të lidhura me sistemet digjitale të Ministrisë, gjë që mundëson veprim më të shpejtë dhe më efikas në terren”, theksoi Toshkovski.
Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, theksoi në fjalimin e tij se policia mbetet garantuese e sigurisë dhe besimit të qytetarëve, duke theksuar se profesionalizmi dhe integriteti janë vlerat themelore mbi të cilat ndërtohet një institucion i fortë.
“Ne po zhvillojmë një luftë vendimtare, sistematike dhe pa kompromis kundër grupeve kriminale – në të gjitha fushat. Ne po veprojmë sistematikisht mbi strukturat e tyre, lidhjet e tyre, logjistikën dhe kapitalin e tyre. Mesazhi është i qartë – askush nuk është mbi ligjin, pa selektivitet, pa privilegje dhe pa kompromis”, theksoi Janev.
Festimi i Ditës së Policisë Maqedonase vazhdon sot pasdite nga ora 17:30 në Parkun e Qytetit, ku qytetarët do të kenë mundësinë të shikojnë një ekspozitë të pajisjeve dhe burimeve të njësive të ndryshme policore, të shoqërohen me zyrtarët e policisë, si dhe të marrin pjesë në një ngjarje muzikore në “Shkolka” me performanca nga artistë të famshëm të estradës.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme në mars njoftoi se planifikon shfuqizimin e të gjitha pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave në të gjitha sektorët, si rezultat i ligjit të ri për Ministrinë e Brendshme dhe ligjit të ri për policinë.
“Mendoj se numri i strukturës drejtuese në MPB do të ulet për diku 37-38%. Kjo do të thotë se më nuk do të kemi një numër shumë të madh të ndihmësve, zëvendësve, nën-kryeshefa, afër-kryeshefa, e kështu me radhë, të definuar paraprakisht. Dhe nuk do të kemi funksione vetëm për të pasur funksione, por do të ketë funksione që përveç të drejtave dhe benefiteve do të kenë edhe përgjegjësi konkrete për veprimet që sipas ligjeve do t’i kenë, veçanërisht kryeshefat”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Shfuqizimi i pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave godet përfaqësimin e drejtë etnik meqë shumë prej tyre për momentin janë shqiptarë.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi një vit e shtatë muaj nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Ligji është përgatitur dhe miratuar nga Qeveria, por ende mbetet në labirintet e ekzekutivit dhe nuk dihet kur do të dorëzohet në Kuvend.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë peng i zvarritjeve të Qeverisë në Shkup, pavarësisht dritës jeshile nga Komisioni i Venedikut
- LEXO: Opozita shqiptare i kërkon llogari pushtetit: Kur do të dorëzohet në Kuvend propozim ligji për përfaqësim të drejtë?
- LEXO: VLEN nuk ka afat konkret kur Ligji për përfaqësim të drejtë do futet në procedurë parlamentare, sipas Osmanit ligji nuk duhet të kalojë
- LEXO: RMV, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mori vlerësim pozitiv në Komisionin e Venedikut
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të shqyrtohet në seancën plenare të Komisionit të Venedikut