Ligji për përfaqësim të drejtë peng i zvarritjeve të Qeverisë në Shkup, pavarësisht dritës jeshile nga Komisioni i Venedikut

Këtë javë do të mblidhet grupi punues për harmonizimin e ligjit me mendimet e Komisionit të Venedikut

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat vazhdon të zvarritet dhe mos të miratohet, pavarësisht mendimit dhe vlerësimit nga Komisioni i Venedikut. Këtë javë pritet të mblidhet grupi punues për harmonizim, megjithatë nuk dihet se kur do të dorëzohet dhe miratohet nga Kuvendi, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse ka kaluar mbi një muaj që kur ky ligj u shqyrtua në seancë plenare të Komisionit të Venedikut, në Shkup nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Nga Qeveria për Portalb.mk theksuan se gjatë kësaj jave do të mblidhet grupi i punës për harmonizimin e Propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe të adekuat me mendimin e Komisionit të Venedikut, i cili u publikua në gjysmën e dytë të dhjetorit dhe mori vlerësim pozitiv nga vetë Komisioni.

“Pas harmonizimit, Propozim-ligji do të kalojë nëpër filtrin qeveritar, pra në procedurat e brendshme qeveritare, dhe më pas do të dërgohet në procedurë parlamentare”, thanë nga Qeveria.

Nga ekzekutivi thonë se, ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri, pritet që në një afat sa më të shkurtër Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat t’i dorëzohet Kuvendit, por nuk thonë afat konkret.

Ky ligj u dorëzua në Komisionin e Venedikut për mendim vitin e kaluar, ndërsa në fillim të muajit dhjetor, në seancë plenare u shqyrtua dhe mori vlerësim pozitiv.

Paraprakisht, në fillim të shtatorit, delegacioni i Komisionit të Venedikut erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së.

Propozim-ligji që do të zëvendësojë Balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik.

Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve.

Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve.

Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.

Megjithatë, ky ligj sipas opozitës shqiptare në Kuvend, konkretisht BDI-së, nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.

Në Maqedoninë e Veriut ka mbi një vit që nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.