Opozita shqiptare i kërkon llogari pushtetit: Kur do të dorëzohet në Kuvend propozim ligji për përfaqësim të drejtë?
Çështja e përfaqësimit etnik në institucionet shtetërore u rikthye në qendër të debatit parlamentar, pasi deputetë të opozitës shqiptare ngritën shqetësime serioze për mënyrën se si po zhvillohen punësimet në sektorin publik. Ata akuzuan Qeverinë se po injoron realitetin demografik dhe po krijon një pabarazi të thellë në administratë. Koordinatorja e Frontit Evropian Rina Ajdari u ndal te projektligji i ri për përfaqësim të drejtë, duke vënë në dyshim efektivitetin e tij. Ajo tha se teksti ligjor nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi i tij mbetet vetëm në nivel rekomandimi, çka sipas saj e zbraz ligjin nga çdo vlerë praktike dhe e kthen barazinë nga e drejtë kushtetuese në një qëllim politik pa obligim., transmeton Portalb.mk.
“Ligji i ri i ashtuquajtur apo i njohur si ligji i Karakamishevës që pritet të vijë në Kuvend për kinse përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk ka asnjë peshë juridike dhe në shikim të parë duket sikur ligj që është propozuar nga ndonjë organizatë joqeveritare e jo si marrëveshje politike që e ka proklamuar koalicioni VLEN tashmë një kohë të gjatë….. Në të gjitha nenet përmendet respektim dhe orientim, pra mos zbatimi i ligjit nuk do të ndëshkohet por vetëm do të regjistrohet. Barazinë nga e drejtë e zhvendosë në politikë publike”, tha Rina Ajdari.
Në anën tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë akuzat për diskriminim, duke theksuar se Qeveria aktuale po vendos standarde të reja të funksionimit institucional. Ai reagoi ashpër ndaj opozitës, duke kujtuar se pikërisht strukturat që sot kritikojnë, në të kaluarën kanë qenë iniciatore të heqjes së mekanizmave rregullues për punësimet.
“Si Qeveri nuk do të tolerojmë keqpërdorim të zyrave për aktivitete sportive në formë të zhonglimeve me topa futbolli, lozje basketboll ose vendosje të tapeteve për joga, krevateve, fjetje në to e të mos flas se çfarë më shumë është bërë në ato zyra. Të gjitha këto të konstatuara nga ana e MPB-së. Po të isha në vendin tuaj, do të më vinte turp të mbroj këtë që është bërë”, tha Mickoski.
Në përgjigje të pretendimit të deputetes së BDI-së, Rina Ajdari, Mickoski tha gjithashtu se pikërisht kur BDI ishte në qeveri dhe Artan Grubi ishte nënkryetar i parë, u dha mendim dhe rekomandim për të fshirë mjetin Balancues, “ndërsa vendimin e Gjykatës Kushtetuese unë nuk komentoj sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen”.
Në seancën për pyetje deputetësh, ajo tha se kjo Qeveri ka hequr mjetin për përfaqësim të drejtë dhe se për gati dy vjet, siç tha ajo, shqiptarët kanë qenë pa të drejta të mbrojtura dhe “konkurse skandaloze” për punësim po shpallen vetëm për maqedonasit.
“Dërgimi i të pavërtetave nga foltorja nuk do t’ju sjellë pikë politike, por do të shkoni në një drejtim negativ që nuk është i mirë për ju. Gjithçka që thatë është e pasaktë dhe e pavërtetë. Do të ishte e ndershme dhe e virtytshme të kërkojmë falje nga qytetarët dhe të themi se ne nga BDI morëm vendim në një seancë qeveritare duke rekomanduar fshirjen e mjetit Balancues, dhe do të ishte e ndershme dhe e virtytshme të themi se të gjithë ata gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese që morën atë vendim janë gjyqtarë kushtetues të zgjedhur nga shumica qeveritare e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së ose janë propozim i ish-presidentit të shtetit, zotit Pendarovski. Kjo është e vërteta që duhet ta dinë të gjithë qytetarët e respektuar. Çdo gjë tjetër është një gënjeshtër dhe përpjekje për manipulim të rëndë politik“, tha Mickoski.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, bëri të ditur se Qeveria pritet ta dorëzojë shumë shpejt në Parlament ligjin për përfaqësim të drejtë, i cili tashmë ka kaluar filtrin e Komisionit të Venecias. Sipas tij, synimi është që ky ligj të procedohet pa vonesa dhe të hidhet në votim qysh në fillim të vitit të ardhshëm.
Kujtojmë se pas shfuqizimit të “Balancuesit” në Maqedoni, ka mbi një vit që nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e “Balancues”-it, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. Për çështjen në fjalë pati reagime nga opozita se shqiptarët po anashkalohen për t’u punësuar bashkëqytetarët maqedonas. Nga ana tjerët, partia shqiptare në pushtet i mohon këto akuza.
Lënda për shfuqizimin e “Balancuesit” u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: RMV, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mori vlerësim pozitiv në Komisionin e Venedikut
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të shqyrtohet në seancën plenare të Komisionit të Venedikut
- LEXO: Komisioni i Venedikut e ka shtyrë miratimin e vlerësimit për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në RMV
- LEXO: Një javë para zgjedhjeve lokale, Komisioni i Venedikut planifikon të vlerësojë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në RMV