Lëvizja Antibixhoz paralajmëroi rikthimin e protestave, Jushi Emërllahu: Qeveria nuk na pranon në takim
Lëvizja Antibixhoz ka paralajmëruar rikthimin e protestave, për shkak të siç thonë, Qeveria për dy vite nuk i pranon në takim për këtë çështje. Në ndërkohë propozim-ligji për lojërat e fatit është tërhequr nga procedura parlamentare dhe u kthye në qeveri për precizim, raporton Portalb.mk.
Jushi Emërllahu nga kjo lëvizje tha se mbeten në kërkesat që bastoret dhe kazinotë të largohen 500 metra vijë ajrore larg shkollave, çerdheve, dhe institucioneve fetare, ndërsa të ardhmen të njëjtat të largohen të paktën tre kilometra larg qytetit.
Ai theksoi se dy vite është pauzuar nga protestat për shkak se kanë pritur të zhvillojnë takimet dhe të mbahet premtimi nga qeveria për heqjen e kazinove.
“Nëntë emaila kemi dërguar edhe kryeministrit Miskoski, VLEN-it por veçmas edhe Bilall Kasamit e Izet Mexhitit, por nuk kanë pranuar takim deri më sot. Edhe Izet Mexhiti edhe Bilall Kasami gjithë fushatën e bënë me kërkesat e Lëvizjes Antibixhoz por në fakt në terren ndodh e kundërta, viti 2023 Drejtoria e të Ardhurave Publike ka marrë diku një miliardë euro tatim ndërsa tani në vitin 2024-2025 DAP merr rreth 2.8 miliard euro nga lojërat e fatit. Në vend që të zvogëlohet numri është shtuar, andaj jemi duke u përgatitur dhe shpejtë do kemi protesta më të ashpra se sa që mendojnë se do jenë, tha Emërllahu.
Propozim-ligji për lojërat e fatit, i cili u prezantua me shumë bujë nga qeveritarët, pasi për disa muaj qëndroi në sirtarët e Kuvendit dhe së fundmi u tërhoq nga procedura parlamentare, ndërsa është rikthyer në procedurë qeveritare për precizim të mëtejmë.
Nga Qeveria nuk i bënë të ditura arsyet konkrete të tërheqjes së ligjit, çfarë do të precizohet dhe kur pritet që ligji të kthehet në Kuvend për procedurë të mëtejshme.
Deputetja e BDI-së nga opozita, Rina Ajdari i tha Portalbit se tërheqja e propozim-ligjit për lojërat e fatit nga procedura parlamentare është veprim i pakuptueshëm dhe joserioz nga ana e Qeverisë, e cila sipas saj nuk e ndal këtë biznes, por e stimulon.
Ndonëse eksponentët e qeverisë, kryesisht përfaqësuesit e VLEN-it disa herë e kanë promovuar këtë ligj, i njëjti nuk arriti të sheh dritë dhe të miratohet, vazhdimisht kishte arsyetime dhe afatet u shtynë disa herë për vendosjen e tij në rend dite në seancë plenare.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut (VMRO-VLEN-ZNAM) më 16 korrik 2025 e miratoi këtë propozim-ligj, ndërsa më 7 gusht 2025 e dorëzuan në Parlament.
Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria i mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin.
Thelbi i ndryshimeve definohej në nenin 24, me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video llotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.
Dispozitat ligjore ishin të planifikuara të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2027.
Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita planifikohej të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore.
Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtonin pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese.
Ndaj ndryshimeve në industri pati reaguar Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë, duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore.
Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI.
Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.
Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.
- LEXO: Bixhozi në RMV: Licenca më të shtrenjta, më pak aparate dhe 500 metra distancë prej shkollave
- LEXO: Propozim-ligji për lojërat e fatit arriti në Kuvendin e RMV-së, nuk dihet kur do të miratohet
- LEXO: Qeveria e miratoi projekt-ligjin për lojërat e fatit në RMV, opozita: VLEN gënjen dhe flet pa e lexuar ligjin