VLEN nuk ka afat konkret kur Ligji për përfaqësim të drejtë do futet në procedurë parlamentare, sipas Osmanit ligji nuk duhet të kalojë
VLEN njoftoi se Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat së shpejti do të hyjë në Parlament. Por të pyetur nga Portalb.mk se kur konkretisht pritet të bëhet kjo, nga VLEN nuk dhanë afat konkret, theksuan se në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, sipas Bujar Osmanit nga BDI, ky ligj nuk duhet të kalojë pasi i njëjti është mashtrim politik.
“Për herë të parë, përfaqësimi i drejtë nuk mbetet peng i vullnetit politik të qeverive, i pazareve partiake apo i manipulimeve zgjedhore, por rregullohet me ligj të qartë, të detyrueshëm dhe të mbikëqyrshëm. Me këtë ligj, VLEN e mbyll hallkën kyçe të MO-së”, thonë nga VLEN.
Ata shtojnë se për të njëjtin ligj, mendim pozitiv ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, autoriteti më i lartë evropian për çështje kushtetuese dhe juridike. “Kjo e rrëzon përfundimisht propagandën e BDI-së, e cila për vite fliste për përfaqësim, por kurrë nuk pati guximin, vullnetin dhe ndershmërinë politike ta rregullojë atë me ligj”.
“Ligji pritet së shpejti të hyjë në procedurë parlamentare dhe VLEN u bën thirrje të gjithë deputetëve, pa përjashtim, që t’i kthehen arsyes, përgjegjësisë dhe interesit publik. Ky nuk është ligj partie, por ligj i barazisë, ligj i drejtësisë dhe ligj i së ardhmes evropiane të vendit“, thonë mes tjerash nga VLEN.
Nga ana tjetër, Bujar Osmani nga BDI ka reaguar duke thënë se propozim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është shembull klasik i mashtrimit politik.
“Ligjet nuk bëhen për njerëz me qëllime të mira, ligjet bëhen pikërisht kur vullneti i mirë mungon, për t’i mbrojtur qytetarët nga padrejtësia dhe arbitrariteti i pushtetit. Dhe këtu është dallimi thelbësor me Balancuesin. Balancuesi ishte instrument konkret për zbatimin e amandamentin 6 të Kushtetutës, jo deklaratë politike… Ky propozim ligj i ri e bën të kundërtën. E zhvendos barazinë nga e drejtë në dëshirë, nga obligim në politikë publike, në një shoqëri me paragjykime reale etnike. Dhe kur ligji len hapësirë, padrejtësia gjithmonë e shfrytëzon. Prandaj ky ligj nuk duhet të kalojë. Është paketim i një çmontimi, me titull të bukur dhe përmbajtje bosh”, tha Osmani.
Propozim-ligji që do të zëvendësojë balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik. Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve. Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me një metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve. Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.
Në fillim të shtatorit, delegacioni i Komisionit të Venedikut, erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së. Ata u takuan edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe gjyqtaren Ana Pavllovska Daneva. Delegacioni, siç njoftoi Gjykata, ishin të interesuar për kuptimin dhe përmbajtjen e vendimit për shfuqizimin e Balancuesit.
Kujtojmë se pas shfuqizimit të “Balancuesit” në Maqedoni, ka mbi një vit që nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e “Balancues”-it, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. Për çështjen në fjalë pati reagime nga opozita se shqiptarët po anashkalohen për t’u punësuar bashkëqytetarët maqedonas. Nga ana tjerët, partia shqiptare në pushtet i mohon këto akuza.
Lënda për shfuqizimin e “Balancuesit” u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: RMV, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mori vlerësim pozitiv në Komisionin e Venedikut
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të shqyrtohet në seancën plenare të Komisionit të Venedikut
- LEXO: Komisioni i Venedikut e ka shtyrë miratimin e vlerësimit për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në RMV
- LEXO: Një javë para zgjedhjeve lokale, Komisioni i Venedikut planifikon të vlerësojë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në RMV