Disa ditë më parë paralajmëruan protesta, studentët shqiptarë sot u takuan nga deputetët e VLEN-it

Studentët shqiptarë që filluan fushatën për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta, u takuan sot me deputetët e VLEN-it, transmeton Portalb.mk.

“Grupi parlamentar i VLENit priti sot në kuvend studentët e nismës për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Diskutuam për rëndësinë e realizimit të kësaj të drejte dhe për nevojën e zbatimit të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, njoftoi deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.

Ata deklarojnë se janë në anën e studentët për gjetjen e zgjidhje së qëndrueshme, duke vlerësuar se kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Deputetët e VLEN-it deklaruan se ky problem është dashur të zgjidhet nga qeveritë e kaluara, kur Ministria e Drejtësisë udhëhiqej nga shqiptarët.

Ndryshe, studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut më 26 shkurt kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Parlamenti Studentor i UEJL-it pas disa ditëve vendosi të përkrah protestën e studentëve.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ministria e Drejtësisë edhe paraprakisht kishte deklaruar se nuk e ndryshon qëndrimin se provimi nuk mund të mbahet në shqip. Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet.

Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.