Menjëherë pas fjalimit të Hararit mbi relacionin IA-feja, që për shkurt kohë arriti një milion shikime, pasuan reagimet nëpër rrjetet sociale: Podcasteri dhe YouTuberi Chase, i njohur si @sovereignbrah, në një postim në X (ish-Twitter) i cili është parë mbi 400.000 herë, u shpreh: “Kjo është sjellje e Antikrishtit dhe vjen drejtpërdrejt nga Zbulesa 13.” Përdoruesi i rrjeteve sociale @SasuRobet, në një postim në X (ish-Twitter) i cili është parë mbi 20.000 herë, bëri këtë postim: “Inteligjenca Artificiale nuk ka shpirt dhe zemër, prandaj nuk do ta kuptojë Biblën. Ajo do të jetë eksperte në informacion dhe në mënyrën se si të tjerët e kanë interpretuar atë, aq, hiç më tepër.”
Do shënuar se qëndrime mbi fenë si ato të Hararit janë lançur edhe më herët. Sipas Ray Kurzweil-it, përmes përparimeve teknologjike, njerëzimi është në procesin e “ndërtimit të Zotit”. Douglas Adams, para më shumë se një çerek shekulli, në vitin 1998, në ligjëratën e tij në Universitin e Kembrixhit me titull “Is There an Artificial God?” (A ekziston një Zot artificial?), trajtoi me stilin e tij karakteristik ironik dhe filozofik marrëdhënien midis teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe konceptit të Zotit. Sipërmarrësi i inteligjencës artificiale dhe drejtuesi i projektit të makinave pa shofer, Anthony Levandowski, në vitin 2017 themeloi një “fe të inteligjencës artificiale” me emrin “Way of the Future” (Rruga e së Ardhmes), që më 2021 u shpërbë nga vetë themeluesi i saj. Me hyrjen në përdorim të modeleve të inteligjencës artificiale dhe chatbot-eve si ChatGPT në vitin 2023, ideja e “fesë së inteligjencës artificiale” u rikthye në vëmendje, madje u shpik edhe sintagma “besimtari artficial”. Një artikull i Neil McArthur titullohet: “Zotër në makineri: Rritja e inteligjencës artificiale dhe shfaqja e feve të reja”. (Köse, 2025)
Sot aplikacione fetare të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale (IA) shfrytëzohen shumë nga institucionet fetare: ato i mundësojnë besimtarit të shkruajë mesazhe me Jezusin ose të “bisedojë” me Biblën. Inteligjenca artificiale si proces i programuar nga njeriu që të mendojë si vetë ai, po lëkund edhe platformat islame të debatit; para do kohe u shpalos një AI fatwa program, Mufti Chat GPT, ku mund të kërkoni fetva hanefite. Jasir Qadhi thotë se myslimanët duhet të jenë shumë të kujdesshëm (cognizant) në një kohë kur në pëllëmbë të dorës (celulari) kemi më shumë fuqi sesa kompjuteri që çoi NASA-n në hapësirë. Ndërkohë dijetarë myslimanë tërheqin vërejtjen për të qëndruar larg kërkimit të vendimeve fetare nga IA (Assim al Hakeem, 2024). Sipas İ. H. Aydın-it inteligjenca artficiale mund të jetë edhe myfti, por jo imam sepse nuk ka shpirt.
Si konkluzion mund të themi se feja, e vënë sivjet në agjendën e njërit ndër takimet më me ndikim në botë, është një determinante e rëndësishme e jetës sociale që në asnjë mënyrë nuk mund të shpërfillet bile edhe në epokën e globalizimit 3.0. IA ofron shumë mundësi edhe për besimin fetar dhe besimtarin. “Një asistent individual i mbështetur nga inteligjenca artificiale, me një perspektivë të gjerë dhe me një bazë të pasur të dhënash, mund të mbështesë jetën fetare të individit dhe ka një potencial të lartë për të qenë një ‘shumëzues force i së mirës’”. (Acar, 2025) Rreziku qëndron në atë se ajo do të bëjë kalkulime që janë shumë racionale, por totalisht joetike, sepse radari i saj nuk i kap çështjet morale. Siç shprehet Kalın-i, “për të zbuluar Qenien dhe kuptimin e saj nuk na nevojiten pajisje më të sofistikuara rreze X-i, teleskopë, satelitë, kamera, superkompjuterë, big data apo inteligjencë artificiale, por të bëjmë pyetjen: “Çfarë është Qenia?”
Shkrimtarja Ann Louise Graham (2026) tezës provokative të Y.N. Hararit se “IA do ta eliminojë fenë” i përgjigjet përmes një porosie drejtuar besimtarëve: “Ta ruajmë Fjalën e Zotit në zemrat tona si një llambë që asnjë makinë nuk mund ta zëvendësojë kurrë.”
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.