KAFAZI PROVINCIAL

Në këtë kohë, kur nuk dihet se çfarë do të sjellë rirenditja globale, prijësit e mbyllur në kafazin provincial sillen sikur bota po rrotullohet rreth tyre.

Ata shfaqen dhe fotografohen si burra shteti, edhe pse në kontekstin global janë figurantë anonimë.

Të udhëhequr nga një mendësi e ngushtë, ata marrin vendime të shtyra nga inatet, ambiciet personale dhe interesat e ngushta partiake, pa asnjë strategji në veprimtarinë politike.

Prijësit provincialë mendojnë se do të duken si burra shteti duke stërpërsëritur refrenet për “vlerat e demokracisë” dhe për “çastet historike”, ndërkohë që arritja e tyre më e madhe është prerja e ndonjë shiriti për fillimin e asfaltimit të ndonjë rrugice, ndërtimi i së cilës shpesh zgjat më shumë se ndërtimi i piramidës së Keopsit.

Prijësit me mendësi provinciale, që e projektojnë veten si udhëheqës të ndonjë “qendre vendimmarrjeje”, kanë diskurs të varfër, kurse politikën e kuptojnë si spektakël.

Ata shfaqen si “faktorë” vetëm aty ku mbizotëron tirania e mediokritetit, konformizmit dhe oportunizmit.

Këta prijës “lartësohen” dhe duken “të rëndësishëm” vetëm në mjedise ku, siç shkroi Fromm-i, njerëzit ikin nga liria dhe strehohen pas autoritetit dhe kodeve të ngurta shoqërore.

Rajoni ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë për shkak të prijësve me mendësi provinciale, të cilët nuk mund të veprojnë në kontekste më të gjera.

Të mbyllur brenda mureve të mendësisë provinciale, këta prijës përpiqen ta fusin tërë shoqërinë brenda kafazit provincial.

Dhe ia dalin…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.