Ambasadat e Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës në RMV, me program njëmujor do të shënojnë Ditët e Gjuhës Gjermane

Ambasadat e Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës bashkojnë forcat për të shënuar Ditët e Gjuhës Gjermane, një program njëmujor në Shkup, Tetovë dhe Shtip, me një larmi aktivitetesh kushtuar gjuhës gjermane, kulturës dhe shumëllojshmërisë gjuhësore. Hapja në Shkup Programi do të nisë të hënën, më 28 shtator 2026, me një mbrëmje dinamike me kuiz dhe karaoke, për të kremtuar gjuhët evropiane, në lokalin Roosty në Shkup, duke filluar nga ora 19:30, transmeton Portalb.mk.

“Aktiviteti do të moderohet nga këngëtarja maqedonase Jana Burçeska, ndërsa do të marrin pjesë edhe të ftuar të tjerë të veçantë nga skena vendore e muzikës dhe e argëtimit. Adhuruesit e gjuhëve dhe të muzikës ftohen të kalojnë së bashku një mbrëmje kushtuar jo vetëm gjuhës gjermane, por edhe të gjitha gjuhëve evropiane dhe shumëllojshmërisë gjuhësore të kontinentit tonë“, thuhet në njoftim.

Programi në Shkup do të vazhdojë me një mësim gatimi të udhëhequr nga ambasadorët e Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës për nxënësit e shkollës së turizmit “Lazar Tanev”, si dhe me një performancë live të DJ Ayū nga Berlini, më 3 tetor në Muzeun e Artit Bashkëkohor, në kuadër të “Bela Nokj”. Gjithashtu, në Kinotekë do të shfaqet filmi zviceran “Hallo Betty”, ndërsa për studentët e UKIM-it do të shfaqet filmi austriak “Moon”.

Në program përfshihet edhe produksioni gjerman “Prange – Man ist ja Nachbar”, në praninë e aktorit të filmit Bozhidar Kocevski, i lindur në Maqedoninë e Veriut dhe me veprimtari profesionale në Gjermani.

Ndër aktivitetet e tjera kryesore janë vizitat me guidë në Skupi, të organizuara nga Instituti Arkeologjik Gjerman më 9 tetor, shfaqja e komedianes gjermane të stand-up-it Jana George, si një projekt në Qendrën Memoriale të Holokaustit, si dhe një punëtori për përkthimin e teksteve teatrore për studentët në Europe House në Shkup.

Tetovë dhe Shtip Ditët e Gjuhës Gjermane do të përfshijnë publikun edhe jashtë kryeqytetit. Në Tetovë do të organizohen tri aktivitete: shfaqja e filmit austriak “Moon”, e filmit zviceran “Hallo Betty”, si dhe shfaqja e komedisë stand-up me Jana George. Ndërkaq, aktori gjerman Bozhidar Kocevski do të rikthehet në vendlindjen e tij, në Shtip, si i ftuar i veçantë në mbrëmjen filmike që do të mbahet në universitetin e qytetit.

Aktivitete gjithëpërfshirëse edhe për ata që nuk flasin gjermanisht Nën moton “Deutsch baut Brücken” – “Gjermanishtja ndërton ura”, programi bashkon publikë dhe formate të ndryshme, duke e vënë në pah gjuhën si mjet të shkëmbimit kulturor, të takimit dhe të ndërlidhjes. Edhe personat që nuk flasin gjermanisht mund t’i shijojnë aktivitetet muzikore, t’i ndjekin filmat me titra dhe të marrin pjesë në disa prej vizitave në Skupi, të cilat do të zhvillohen në gjuhën maqedonase dhe angleze. Hyrja në të gjitha aktivitetet është pa pagesë.