Meqë themi se punët nuk na bëjnë, do të qe mirë sikur të mundim të zgjojmë në disa qarqe një jetë intelektuale, një rrojtje me ide të reja, një jetë mendore. Le të përpiqemi t’i prapsim pak shqiptarët nga jeta e kafenevet, t’i shtymë në studim dhe në merak për çdo send që i përket Shqipërisë dhe shqiptarizmës, se po që nuk zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send që i përket kombit dhe tokës sonë, nuk mund të kemi as shqiptarë, as Shqipëri.
Këtë e thotë në Hyllin e Dritës (1922) njëri prej personaliteteve të elitës kulturore shqiptare, Mid’hat Frashëri, i cili e shihte se Shqipëria nuk po bëhej shteti që e dëshironin shqiptarët: mëmëdheu i idealeve rilindëse, atdheu i ëndrrave të brezave që njomën tokën e të parëve me djersë e gjak martirësh.
Mjerisht, edhe pas 100 e ca vjetësh, shqiptarëve të degdisur gjithandej në siujdhesën ballkanike, u rrezikohet njësoj qenia nga vëllezërit e rremë, nga armiqtë e jashtëm, fqinjët nëpërka dhe, më shumë se gjithçka, nga vesi i të qenit rob i tjetrit, që nuk e lë të ngrejë kokën për të parë sa bie ora.
Kjo ndodh sepse nuk ia dolëm të ngremë në këmbë të shëndosha institucione kulturore, që do të trasonin udhën tonë në shekujt që vijnë. Nuk arritëm të nderojmë as një simbol të vetëm, një hero mendimi, një ambasador shpirti, një baba biologjik që i përket kombit dhe tokës sonë, duke rrezikuar kësisoj të humbim çdo merak të Shqiptarizmës.
Këtë situatë e diagnostikon edhe mendjendrituri Branko Merxhani, i cili në gazetën Illyria (1935) thotë: Kemi trashëguar një të shkuar kaotike, po kalojmë një të tanishme kaotike, dhe po presim një të ardhme që paraqitet si një zero matematike – si një këngë vajtuese që e këndojmë të gjithë: Shiko të shpëtosh kokën tënde!
I kujt është vallë faji historik i dekadencës sonë, pyet Merxhani, duke na udhëzuar që të mos e lidhim shpresën për një lartësim kombëtar në koqetarinë e mrekullueshme të fatit tonë. Ai na fton që të jemi praktikë dhe aktivë, të mos biem në gjumë qetazi duke ia hedhur njëri-tjetrit përgjegjësinë për fatkeqësitë e së shkuarës, por ta kërkojmë atë te vetvetja.
Sipas tij: Duhet të flakim nga shpirti i kombit fatalizmin e tufave të njerëzve që rrojnë pa vlera morale, pa idele shoqërore dhe pa dëshira kombëtare, për të cilë tudhët e shpëtimit dhe përparimit tonë janë mbyllur përjetësisht.
Djalëria shqiptare, thotë ideologu i neoshqiptarizmës: duhet ta shtijë në mend të vërtetën e hidhur shqiptare, sepse hapin e parë të shpëtimit dhe të lartësimit, do ta hedhim kur do ta shohim e do ta përballim trimërisht të vërtetën – faqen e ashpër të realitetit që zotëron jetën tonë.
Kështu shprehen mendjet e ndritura në stinët e acarta, duke sfiduar të keqen me projekte konkrete. Kurse ne, “ideologët”, “mendimtarët” dhe “filozofët e mëdhenj” të Facebook-ut, në vend se t’i japim krahë jetës mendore për gjetjen e vegzave të bashkimit të energjive që treten gjithandej; në vend se të çlirohemi nga shpirti i robit dhe kthetrat e djallit, jemi shkrirë në tufë fatalistësh pa vetëdije e dëshira kombëtare dhe, si gjeldecat e fryrë të At Gjergj Fishtës: qesim petulla n’ujë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.