Copëza shpirti për kohëra të ndryshme…

“Dreri” dhe “Në natën plot acar” janë poezi të Ismail Kadaresë. Lexuesi që i ka përjetuar vitet e diktaturës, poezitë i lexon si refuzim estetik kundër diktaturës dhe kundër mediokritetit që nuk e duron gjeniun, gjuhën e ëndrrës, artin, përjetësinë…

Një dre i lartë me brirët gjer në yje ndiqet nga qentë që s’pushojnë së lehuri. Dreri shtegton nëpër universin e paarritshëm nga ndjekësit. Drerin, më shumë se lehja e qenve, e mundon diçka tjetër: mospërfillja e qiejve. E qiejve prej nga duhej të arrinte drita e shpresës, drita e lirisë. Por qiejt janë mospërfillës kundrejt botës që vuan dhe s’mund t’i shijojë lojërat e lirisë…

Në poezinë e dytë mbizotëron atmosferë e acartë. Botë e akullt. E mbyllur. Një aludim për botën komuniste. Në këtë gjendje të ngrirë nuk lejohet tjetërmendësia. Aty kërkohet mediokritizimi i gjeniut. Imponohet uniformiteti dhe nuk durohet, madje luftohet, kreativiteti.

Në botën ku ngrin dhe vdekëron shumëçka, poeti i ngjan Prometeut. Ai tenton ta mbajë ndezur zjarrin e dyshimit, edhe pse paguan çmim të shtrenjtë jetësor. Si në një legjendë shqiptare, ai i hedh gjymtyrët në zjarr. Pasi nuk mjaftojnë as ato që të mos fiket zjarri i dyshimit, ai hedh në zjarr copëza shpirti, për sa kohë, në botën e errët, këtë zjarr duan ta shuajnë “dikush me ligësi e me padije dikush”.

Të tjerët, ata të botës së lirë, ku ngado ndrisin zjarret, s’e kuptojnë “se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr”.

Personazhi lirik ndjen edhe lodhje. Le të shuhet zjarri i dyshimit. Le të kënaqet bota në terrin absolut dhe në palëvizshmërinë e saj. Por, ky është ligështim çasti, kalimtar. Shpirti i lirë nuk qetësohet. Ai është i lirë së brendshmi. Është një forcë e mistershme që e shtyn ta ruajë këtë zjarr. Këtë e bën duke i hedhur copëzat e shpirtit të tij. Copëzat e artit të tij. Një detyrë e rëndë e çdo shkrimtari në kohë diktature…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.