Dekani Trpevski: Policia thotë se ka dërguar patrulla rreth Fakultetit Natyror në Shkup, por ne nuk i shohim

Studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” ndër vite tashmë janë në shënjestër të hajdutëve, rasti i fundit është paraqitur më 24 janar të këtij viti. Fakulteti e fajëson Ministrinë e Punëve të Brendshme se ata nuk reagojnë dhe nuk dërgojnë patrulla policore. Ndërsa, nga policia thonë se dërgojnë patrulla policore edhe pse dekani dhe studentët nuk i kanë vërejtur ata, shkruan Portalb.mk.

Fakultetit i Shkencave Natyrore dhe Matematikës gjendet në Komunën e Gazi Babës në Shkup, gjegjësisht në afërsi të malit të Gazi Babës.  Në nëntor të vitit 2023, studentët u ankuan se rrugës për në fakultet ata sulmohen dhe kërcënohen me thikë dhe u vidhen gjësendet personale. Studentët për të rritur sigurinë e tyre nënshkruan një peticion me disa kërkesa për rritjen e sigurisë së tyre, të ketë sigurim në fakultet dhe të ketë patrulla policore në rrethinën në afërsi të fakultetit ishin ndër to.

Shkallët rrugës për në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Gazibabë, foto nga Google Maps
Shkallët rrugës për në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Gazibabë, foto nga Google Maps
Dekani i Shkencave Natyrore dhe Matematikls në Shkup, Davorin Trpevski, foto nga uebfaqja e Universiteti "Shën Kirili dhe Metodij"
Dekani i Shkencave Natyrore dhe Matematikls në Shkup, Davorin Trpevski, foto nga uebfaqja e Universiteti “Shën Kirili dhe Metodij”

Dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore, Davorin Trpevski për Portalb.mk tha se Ministria e Punëve të Brendshme nuk reagon dhe problemi kryesor qëndron tek ata. Dekani Trpevski që në nëntor të vitit 2023, ka dërguar kërkesë te Ministria e Punëve të Brendshme që të sigurojnë patrulla policore rreth dhe brenda fakultetit.

“Ministria e Punëve të Brendshme aspak nuk reagon, që në nëntor dy herë kam raportuar për sulmet që u ndodhin studentëve tonë. Njëherë, kisha problem se kryeshefi i stacionit policor në Autokomandë nuk pranonte të takohemi, duhej të intervenoja nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme që të më pranonte, por edhe atëherë arsyetimet e tyre ishin se nuk kanë personel të mjaftueshëm”, thotë Trpevski.

Kërkesën e dekanit, e konfirmuan edhe nga MBP.

“Në lidhje me kërkesën e juaj, ju informojmë se më 06.11.2023 është dorëzuar kërkesë nga Fakulteti i Shkencave Natyrore i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup në të cilën thuhet se studentët janë shënjestër e sulmeve të përditshme nga persona të panjohur dhe se ata kërkojnë prani të shtuar të policisë brenda dhe rreth fakultetit” thanë nga MPB.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se studentët duhet t’i paraqesin rastet për shkak se nëse nuk janë të paraqitura ata nuk mund të veprojnë.

“Gjithashtu ju informojmë se nga ana e kryeshefit të NJPB Gazi Baba, dekanit të Shkencave Matematiko Natyrore i është bërë me dije se policia është organ që ndjek autorët  dhe se është e nevojshme nga ai që tua sqarojë studentëve që t’i paraqesin ngjarjet, që ne si polici të mund të veprojmë, duke patur parasysh se në qoftë se nuk ka raportim përkatës për ngjarjen e ndodhur nuk kemi mundësi të veprojmë për të njëjtin”, thonë nga MBP.

Përpos të gjithë kësaj, nga MBP thonë se në afërsi të Fakultetit të Shkencave Natyrore dërgohen patrulla policore. Mirëpo, Portalb.mk e kontaktoi përsëri Dekanin Trpevski dhe ai tha se ai nuk është i informuar as në  mënyrë formale e as joformale se kërkesa e tij është pranuar duke theksuar se ai nuk ka vërejtur patrulla policore në rrethinën e fakultetit pavarësisht pretendimeve të policisë.

Mungesa e patrullave policore, konfirmohet edhe nga studentët. Ata për Portalb.mk thanë se ditën e aksidentit, gjegjësisht më 24 janar, kur një studente u sulmua dhe u lëndua fizikisht, atë ditë ka pasur më shpesh patrulla policore ndërsa pas rastit nuk ka pasur.

“Një ditë pas incidentit ishin aty, por ditët në vijim nuk kishte patrulla policore. Për momentin nuk e di nëse ka, por mesiguri nuk ka” thotë një student për Portalb.mk.

Dekani Trpevski gjithashtu informoi se në mënyrë që studentët të jenë të sigurt fakulteti ka angazhuar një agjenci për sigurim e cila do të fillojë me punë prej më 1 shkurt. Angazhimi i kësaj agjencie vetëm për një vit, Fakultetit të Shkencave Natyrore, i cili është një fakultet shtetëror do t’i ka kushtojë fakultetit rreth 9 mijë euro.

Përndryshe, studentët e FSHMN në nëntor të vitit 2023 u ankuan se rrugës për në fakultet sulmohen dhe u vidhen gjësendet personale. Pas alarmimit të Portalb.mk për studentët u sigurua roje dhe masa tjera. Mirëpo, më 24 janar një studente tjetër përsëri u sulmua.