Ermonela Jaho rrëmbeu dy çmime prestigjioze brenda disa ditësh, njërin nga Spanja tjetrin nga Gjermania

Ajo ngelet një nga emrat më të përmendur në botë duke u zgjedhur disa herë edhe si zëri më i mirë. Brenda kësaj jave ajo na ka nderuar në botë duke rrëmbyer dy çmime të rëndësishme, njërin nga Spanja dhe tjetrin nga Gjermania, njofton Portalb.mk.

Ermonela Jaho gjatë ceremonisë në ''Oper Award''
Ermonela Jaho gjatë ceremonisë në ”Oper Award”

Emri i sopranos Ermonela Jahos përbën dhe historikun botëror të operës dhe shtete të ndryshme kanë vendosur t’i shprehin mirënjohjen për kontributin që ka dhënë në operën vendore. Kësaj radhe, ajo është vlerësuar nga juria prestigjioze e Spanjës, me çmimin për artisten më të mirë të huaj që ka kontribuar për operën e Spanjës përgjatë vitit që shkoi. Motivimi i këtij shpërblimi ka qenë interpretimi brilant në operën “Suor Angelica” nga “Il Trittico” e Puccinit. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të bëhet më 22 tetor të këtij viti nëpërmjet një mbrëmjeje gala në Teatro de la Zarzuela në Madrid.

Çmimi i dytë erdhi nga  “Oper Awards”  që njihen ndryshe edhe si Oskarët e Gjermanisë, pasi janë çmimet më prestigjioze që ndanë ky shtet dhe që Ermonela Jahon e shpalli zërin më të mirë femër për vitin 2024. Në faqen zyrtare të ”Opera Awards” qëndron motivimi:

“Këngëtarja më e mirë: Ermonela Jaho. Është e ditur që të kënduarit në operë kërkon më shumë se vetëm një zë të bukur, por rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut brendësinë e tij përmes këndimit dhe performancës. Në Operan e Cyrihut në vitin 2023, Ermonela Jaho interpretoi si Magdën e zjarrtë nga “La rondine” e Puccinit një mbrëmje operistike emocionuese dhe me thellësi të jashtëzakonshme: dallëndyshe që dridhej dhe mjellmë që po vdiste në të njëjtën kohë”.

Në fakt, sopranoja Jaho është komentuar shpesh nga kritika për aftësitë  e saja interpretuese në skenë, përveç zërit që e ka pa diskutim ndër më të rrallët dhe me shumë potencë.

Sopranoja e famshme shquhet për modestinë që ka dhe këtë gjë e ka dëshmuar edhe me vizitën e saj në Shkup ku gjithë ditën ia përkushtoi adhuruesve të saj dhe në mbrëmje e pas saj sërish me ta. Kjo është edhe arsyeja pse shumë herë ka fituar dhe çmimin e publikut jashtë jurive të profesionalizuara të cilat me dhjetëra herë e kanë shpërblyer këngëtaren sa s’po i përmendim të gjitha çmimet, por po ndalemi te këto me të cilët Jaho e ka filluar janarin e një viti, i cili besojmë se do të përmbyllet me shumë suksese. Sigurisht fillim i mbarë për divën tonë, ndërsa në rrjetet sociale shprehet: “Së pari Spanja, dhe tani Gjermania me këtë çmim të papritur!

Ermonela Jaho gjatë ceremonisë në ''Oper Award''
Ermonela Jaho gjatë ceremonisë në ”Oper Award”

Do të doja të shpreh me fjalë mirënjohjen time dhe çfarë do të thotë kjo arritje për mua, por nuk më mjaftojnë. Ndihem krenare që jam edhe në mesin e të nominuarve, e lëre më që  marr çmimin fitues për këngëtaren femër 2024. Faleminderit OPER! AWARDS për këtë nder të madh. Një falënderim i madh për kolegët e mi të mrekullueshëm, për publikun e mrekullueshëm që më dha dashurinë dhe vlerësimin e tyre dhe për çdo person të  dashur që ka mbështetur rrugëtimin tim. Muzika duhet të tregojë histori duke frymëzuar audiencën dhe nuk ka arritje më të madhe sesa të lidhesh me çdo zemër që dëgjon’’- përfundon ajo.

Ajo ka performuar në shumë opera të botës, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera de Marsejë, Arena di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro La Fenice,Teatri Capitoul de Toulouse, etj.

Performacë me devotshmëri të pakursyer dhe sinqeritet të jashtëzakonshëm emocional” (The Guardian), “Sopranoja e përkryer lirikeErmonela Jaho” (ClassicsToday), “Më e mira Madame Butterfly që Londra ka parë ndër vite” (The Independent), “Transcendentale në ringjalljen e klasikëve të Puçinit” (Opera wire) – këto janë vetëm disa nga vlerësimet  që mediat më të njohura botërore i kanë dhënë për sopranon shqiptare Ermonela Jaho.

Rolet e saja janë të shumta, ndërsa jeta e saj një frymëzim.  Jaho mbi të gjitha është e njohur për rolet e saja, si Violeta (La Traviata), Madama Butterfly, Suor Angelico (Il trittico), Liu (Turandot) dhe shumë role të tjera në të cilat lë gjurmë origjinale sa herë që i interpreton. Ajo është fituese e çmimit ndërkombëtar Muzika Vokale 2021 për albumin e saj solo “Anima Rara”.  Opera Mbetërore e Londrës ka njoftuar se do të realizojë një film dokumentar për sopranon shqiptare që është një histori suksesi me shumë sakrifica deri te kjo që është sot duke na krenuar kudo nëpër botë.