BUKURI DHE HELM

Kronistët, emisarët, gazetarët, shkrimtarët, shkencëtarët dhe aventurierët e kanë përshkruar Tetovën dhe rajonin si vend me klimë të mirë, ajër të pastër dhe me hapësira të gjelbëruara.

George Pachymeres-i (1242 – 1310), në shekullin XIII, e quajti Pollogun “parajsë e Zotit”.

Autorët pasardhës e theksuan të njëjtën gjë.

Sami Frashëri shkroi në fund të shekullit XIX, tek Enciklopedia, se Tetova kishte “klimë shumë të shëndoshë e të mirë, ujëra të mirë, mollë të pashoqe dhe pemë të tjera shumë të mira”.

Shkrimtari dhe gjeografi Henry Fanshawe Tozer-i (1829 – 1916) shkroi në librin Kërkime në malësitë e Turqisë  (1896) se Pollogu ishte luginë e gjerë, e gjelbër dhe e bereqetshme.

Gjorgje Petrovi, në librin për Maqedoninë (1896), e veçoi klimën e mirë, ajrin e pastër dhe hapësirat e gjelbëruara. Sipas tij, nuk do të ishte e tepërt nëse thuhej se “klima e Tetovës ishte më e mira në mbarë Turqinë Europiane”.

Ami Boué shkroi në librin Turqia Europiane (1840) se Tetova ishte vend i gjelbëruar dhe me klimë shumë të mirë, kurse gjatë verës ishte “vendi më i bukur në gjithë Turqinë Europiane”.

“Derisa shëtit pranë shtratit fantastik të lumit të Tetovës e ndjen ajrin e pastër të Sharrit”, shkroi Lazar Serafimovi në librin për Tetovën që e botoi në vitin 1900.

Të njëjtat gjëra i shënoi edhe publicisti britanik Henri Noel Brailsford në fillim të shekullit XX, kurse Zheqo Çankovi shkroi në Fjalorin gjeografik (1918) se Tetova njihej për pemët e bukura, klimën e shëndetshme dhe pasurinë ujore.

Në reportazhin “Tetova – udhëtim në Kosovë”, i botuar më 18 gusht 1944 në gazetën “Bashkimi i Kombit”, thuhet: “Meqenëse [Tetova] klimën e ka fort të mirë banorët e saj janë të shëndetshëm dhe kanë një fizionomi shumë të hijeshme. Në verë bën pak të nxehtë, por erërat që fryjnë nga ana e vargjeve të Sharrit e freskojnë së tepërmi vendin”.

Me kësi përshkrimesh mund të bëhet një libër i vëllimshëm. Kjo për sa i përket të kaluarës, kurse e sotmja është ndryshe.

Tetova sot mezi frymon nën mjegullën e dendur dhe të ndotur. Ajo më nuk e ka ajrin e pastër, as ujin e kristaltë, as klimën e mirë, as nuk ka hapësira të gjelbëruara. Shkalla e ndotjes së ajrit është alarmuese. Kjo theksohet edhe në raportin e kompanisë zvicerane IQAir. Sipas raportit, grimcat helmuese janë sa dyfishi i masës që e rekomandon OBSH-ja. Banorët, që të mbrohen nga efektet shkatërrimtare për shëndetin e tyre, si pasojë e ndotjes, duhet të vetizolohen, të vetëmbyllen, të vetëburgosen nëpër shtëpi e banesa dhe t’i mbyllin dyert e dritaret. Nëse vendosin të dalin jashtë shtëpisë, atëherë u rekomandohet që të mbajnë maska të veçanta kundër grimcave helmuese.

Mjedisi jetësor nuk mbrohet me premtime dhe me projekte që mbeten në letër. Mbrojtja e mjedisit nuk është prioritet as i pushtetit qendror dhe as i pushteteve lokale. Ata që duan të na mbrojnë nga tymi i duhanit nuk ndërmarrin nisma për të na mbrojtur nga helmimi që vjen nga ajri. Kanë punë të tjera. Hëpërhë janë fokusuar te zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të mbahen pas disa muajsh. Përveç se helmohemi nga ajri, tani do të helmohemi edhe me propagandë partiake. Dhe askujt nuk i bëhet vonë për ndotjen e ambientit, që në fakt është helmim i heshtur i popullatës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.