Antibixhozi apeloi që deputetët të përkrahin ndryshimet në Ligjin për lojërat e fatit i cili sot është në Komisionin Parlamentar për Çështje Evropiane

Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese në lexim të dytë është në rend dite të seancës së 69-të të Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e RMV-së. Për këtë, Lëvizja Antibixhoz ju bëri thirrje deputetëve që të mbështesin këtë ligj dhe mos e pengojnë, transmeton Portalb.mk.

Lëvizja Antibixhoz ju bëri thirrje deputetëve të LSDM-së, VMRO-së dhe të gjitha partive pozitë dhe opozitë të jenë unik rreth këtij ligji.

“Nuk e kanë marrë votën për t’ua keqësuar jetën shoqërisë dhe popullit të Maqedonisë së Veriut por mbajnë përgjegjësi për çdo ligj që sjellin në Kuvend. Prandaj për çdo dështim do të marrin dënimin nga populli në zgjedhjet që nuk janë larg”, theksuan nga Antibixhozi.

Me Propozimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese të propozuar nga Qeveria, propozohet që të kufizohen hapësirat në të cilat zhvillohen lojërat elektronike të fatit, përkatësisht ato mund të zhvillohen vetëm në ambientet e lojërave speciale të fatit, për të cilat kanë marrë miratimin nga Ministria e Financave.

“Zgjidhjet bazë të ligjit të propozuar janë: bashkëpunëtorët e shoqërisë që ka paraqitur kërkesë për licencë ose që duan të hyjnë në një kompani ekzistuese që ka licencë për lojëra fati duhet të kenë reputacion; Lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme; mënyra e matjes së distancës do të përcaktohet me rregullore të përcaktuar nga Ministri i Financave”.

Amendamentet e propozuara në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse janë përcaktuar nga Qeveria më 7 shkurt dhe janë dërguar në Kuvend me flamur evropian.

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.