SHGM dhe KEMM: Apelojmë për kujdes dhe baraspeshë etike në lajmet për vajzën e humbur nga Shkupi

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë (KEMM), si pjesë të vetërregullimit të mediave, ashpër e dënojnë mënyrën se si raportojnë disa media për humbjen e vajzës 14-vjeçare nga Shkupi, me çka në mënyrë të ashpër e shkelin Kodin Etik të Gazetarëve, duke publikuar informata të pasakta dhe të paverifikuara, të cilat shpesh janë të marra prej rrjeteve sociale, njofton Portalb.mk.

SHGM dhe KEMM i rikujtojnë gazetarët, se patjetër duhet ta respektojnë dhimbjen personale të familjes, ndërkaq të gjitha raportimet për fatkeqësi ose procedura gjyqësore duhet të jenë të lira nga senzacionalizmi.

“Gjatë ditës së sotme janë regjistruar një sërë tekstesh me përmbajtje të rrejshme, të transmetuara nga komente dhe reagime në rrjetet sociale, nga profile jo të besueshme, për të cilët nuk mund të konstatohet se kush qëndron mbrapa tyre. SHGM, nëpërmjet vendimeve të Këshillit të nderit, si dhe KEMM, disa herë kanë theksuar se rrjetet sociale nuk mund të jenë burim i besueshëm i informatave prej të cilave gazetarët pa verifikuar të marrin përmbajtje dhe prej tyre të shkruajnë lajme ose tituj, pasi që profilet e FB ose profilet e rrjeteve tjera sociale janë përgjegjësi personale e bartësve të profilit, ndërkaq mediat kanë obligim që t’i verifikojnë informatat para se t’i publikojnë”, thuhet në kumtesën e përbashkët.

SHGM dhe KEMM i inkurajojnë të gjithë qytetarët të cilët do të hetojnë shkelje të Kodit Etik nga ana e mediave, nëpërmjet formularit përkatës i cili gjendet në ueb-faqet e tyre, t’i paraqesin dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë në detektimin e mediave të cilat i shkelin standardet gazetareske.

Vajza është shpallur dje zyrtarisht është shpallur në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi.

Në përshkrim thuhet se vajza ka flokë kafe të errët dhe sy kafe, mban proteza në dhëmbët e sipërm dhe të poshtëm dhe ka një nishan në anën e djathtë të fytyrës. Ajo është e gjatë 175 centimetra dhe peshon 58 kilogramë.

Vajza e zhdukur Vanja Gjorçevska nga Shkupi. Foto printscreen nga ueb-faqja e MPB-së
Vajza e zhdukur Vanja Gjorçevska nga Shkupi. Foto printscreen nga ueb-faqja e MPB-së

Në ditën e zhdukjes (27 nëntor) ajo ka pasur veshur një bluzë blu, një xhaketë të zezë, xhinse të zeza me xhepa anash dhe atlete të bardha me vija kafe. Mbante me vete një çantë shpine shkolle dhe një celular iPhone.

Zhdukja e vajzës u raportua në polici të hënën në orën 08:35. Që atëherë, siç informojnë nga MPB-ja, kapacitetet e plota të SPB Shkup janë përfshirë në nivelin më të lartë, janë zhvilluar një sërë bisedash me persona të afërt me të miturën, janë kontrolluar kamerat.

Ministria e Brendshme i kërkon publikut të mos përhapë dezinformata, duke theksuar se do të vazhdojnë të informojnë deri në gjetjen e të miturës.

Fotot e vajzës janë ngjitur në qendër të qytetit me shpresën se ndonjë kalimtarët do t’i kujtohet ndonjë informacion.

Në rrjetet sociale po përhapet një fotografi e Vanja Gjorçevskës me një mesazh të shkruar në gjuhën angleze drejtuar të gjithëve në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Bullgari dhe Greqi dhe të gjithëve në botë, ku thuhet se vajza është zhdukur.

Vajza e zhdukur Vanja Gjorçevska nga Shkupi. Foto e publikuar në rrjetet sociale
Vajza e zhdukur Vanja Gjorçevska nga Shkupi. Foto e publikuar në rrjetet sociale

Rastin e ka bërë të ditur nëna e vajzës adoleshente përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas postimit të nënës së vajzës, 14-vjeçarja është larguar nga shtëpia për në shkollë në orën 07:20, pas së cilës ka humbur çdo gjurmë. Ajo është parë për herë të fundit në Debar Maalo teksa shkonte në shkollën “Johan Heinrich Pestalozzi”.