Bekteshi: Shumica e produkteve mbeten me 5% të TVSH-së

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se nëse ka ndonjë gabim teknik në produkte, ato do të korrigjohen, dhe se madje me sugjerimin e mediave dhe qytetarëve është bërë më shumë se kaq: lista është zgjeruar dhe shumica e produkteve mbeten me 5% të TVSH, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Produktet që janë caktuar në listën e atyre me “çmim të garantuar” nuk do të ndikohen nga rritja e parashikuar e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). “Nëse ka gabime teknike, ato do të korrigjohen”, tha sot Bekteshi, duke përsëritur se lista e produkteve me TVSH të rritur është propozim i Ministrisë së Financave dhe siç tha ai, ekspertët kanë muaj që po merren me të.

“Nëse ka gabime teknike, ato do të korrigjohen, madje tashmë janë korrigjuar plotësisht. Më shumë se kaq është bërë me sugjerimin e mediave dhe qytetarëve. Lista është zgjeruar dhe shumica e produkteve mbeten me 5% të TVSH”, theksoi Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit të punës në Odën Ekonomike.

Ai shtoi se “për pjesën tjetër të produkteve, si është përcaktuar të shkojnë nga 5% në 10% dhe cilat janë kriteret, do t’ju lutesha të drejtoheni në Ministrinë e Financave. Për ne si Ministri e Ekonomisë është e rëndësishme që produktet ushqimore bazë, ato që janë në listën e çmimeve të ngrira dhe me etiketën ‘çmim i garantuar’ të mbeten me 5% të TVSH dhe kështu do të jetë”.

I pyetur nëse vendimi është publikuar në “Gazetën Zyrtare”, ministri ka thënë se ende nuk e ka kontrolluar, por sigurisht, siç tha ai, është pranuar në Qeveri, për çka ka pasur njoftim nga Financat, nga Ekonomia dhe nga Qeveria.

“Me shumë gjasa duhet të shpallet sot ose më së voni nesër, sipas mundësive të zyrtarëve”, theksoi ministri.

Të martën, Qeveria solli vendimin për përcaktimin e produkteve ushqimore me normën më të ulët të TVSH-së, i cili është miratuar më 28 shtator. Sipas vendimit, pjesa më e madhe e produkteve ushqimore bazë tatohen me masën preferenciale prej 5%, duke përfshirë gjizën, brumin e ngrirë, pudingu për fëmijë, qumështi i adaptuar për foshnja, disa lloje djathi, ushqimet djegëse, çajra bimorë, piper, spec të kuq, vafle dhe napolitanka, panxhar të konservuar, speca.

Ndërkohë me Vendimin paraprak të Qeverisë, shitësve me pakicë u ndalohet të ofrojnë shitje aksionale (aksion) dhe shitje promocionale (promocion) gjatë shitjes së produkteve bujqësore dhe ushqimore. Ndalimi do të jetë i vlefshëm deri më 30 nëntor 2023.

Në të njëjtën kohë, u vendos që çmimet në tregtinë me pakicë, të cilat janë ulur për shkak të skadimit të afatit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, të mos konsiderohen si shitje promocionale (promocion).

LEXO: Bekteshi: Do të ndalohet shitja promocionale në markete, pritet ngrirje e çmimeve

Më 1 korrik përfundoi masa për marzhet e ngrira për produktet ushqimore bazë – bukë, sheqer, vezë dhe produkte të qumështit. Me këtë lëvizje, shteti ia lë në dorë prodhuesve dhe tregtarëve që t’i përcaktojnë vetë çmimet sipas kushteve të tregut. Të gjitha të rezervuara për vlerësimet e rritjes ose rënies së çmimeve.