U shpalosën marketet që janë mbyllur për shkak të mosrespektimit të masës qeveritare, nesër priten çmimet për pije

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot bëri të ditur se në rajonin e Shkupit janë mbyllur marketet “Vero” dhe “Viva Fresh” për shkak të mosrespektimit të masave qeveritare për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, raporton MIA.

“Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë, por edhe ju, mediat, duhet t’i listoni marketet sepse ndoshta intervenojnë për shkak të reklamave dhe ju nuk i paraqitni, por vetëm i përmendni se janë mbyllur dhe qytetarët duhet të dinë se cilat markete janë të mbyllura dhe cilat janë duke respektuar masat”, deklaroi Bekteshi pas vizitës në kompaninë Alma-M.

Të shtunën, sipas drejtorit të Inspektoratit Shtetërorë të Tregut, Goran Trajkovski, janë kryer mbi 50 kontrolle, gjatë të cilave janë mbyllur pesë zinxhirë të mëdhenj marketesh në bazë të Ligjit për konsumatorët, gjegjësisht në bazë të dërgesave tregtare, ndërsa shtatë markete u gjobitën për mosbindje ndaj vendimit të qeverisë.

“Mbyllja pesëditore mjafton për këto kompani”, tha sot Trajkovski i cili së bashku me ministrin Bekteshi dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski vizituan kompaninë “Alma-M”.

Me masën e re të Qeverisë, siç njoftoi kryeministri Kovaçevski, te më shumë se 50 produkte në 24 kategori nga industria e bukës, qumështit dhe mishit, çmimi është ulur për 10 për qind krahasuar me çmimin nga 1 gushti, ndërsa në disa raste ulja është nga 30 në 40 për qind.

“Në markete këto produkte tashmë kanë marrë shenjën e ‘çmimit të garantuar’, me këtë masë kontribuojmë edhe përkundër presioneve të inflacionit, bashkërisht dhe në mënyrë solidare japim mbështetje për qytetarët tanë”, tha Kovaçevski.

Lidhur me deklaratën e sotme të drejtorit ekzekutiv të Odës ekonomike, Antoni Peshev, se marketet nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u “riorganizuar” për uljen e çmimit, ministri Bekteshi tha se vendimi nuk është bërë gjatë natës dhe se marketet kanë pasur gati 10 ditë për të bërë ndryshimet.

“Kam pasur takime të drejtpërdrejta me zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve si dhe furnizuesit dhe prodhuesit një javë para se të miratohej masa e Qeverisë”, tha Bekteshi.

Ligji për praktikat e padrejta të tregtisë, sipas paralajmërimeve të ministrit Bekteshi, gjatë kësaj jave do të dorëzohet në Qeveri.

Ndryshe, Qeveria nesër duhet të marrë vendim për uljen e çmimeve të pijeve, ndërsa vijon edhe analiza për produktet higjienike, e cila me siguri do të përfundojë deri nga fundi i javës.