Bekteshi: Ka vend për uljen e çmimeve me më shumë se 10%, javën tjetër ngrihen mbi 50 produkte ushqimore bazë

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, bashkë me drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, sot janë takuar me përfaqësuesit e tetë zinxhirëve të supermarkeve të vendit, me të cilët kanë arritur marrëveshje që prej javës së ardhshme të ulen çmimet e 50 produkteve ushqimore bazë për 10%, njofton Portalb.mk.

Ministri Kreshnik Bekteshi në konferencë për mediat tha se të gjithë nga tetë përfaqësuesit e zinxhirëve të supermarketeve kanë shprehur gatishmëri për uljen e çmimeve të produkteve për dhjetë përqind nga çmimi aktual dhe pritet që në seancën e radhës qeveritare (ditën e martë) të miratohet ky vendim.

”Në takim u shpreh gatishmëria e të gjithë supermarketeve që nga fillimi i javës së ardhshme të ketë zvogëlim të çmimeve të produkteve bazë dhe që nga java e ardhshme dhe gjatë seancës së rregullt ditën e martë të bëhet miratohet vendimi me shkrim. Bëhet fjalë për diku rreth 50  produkte ushqimore. Si fazë e parë, pritshmëria e Ministrisë së Ekonomisë do të jetë zvogëlimi i çmimeve të këtyre produkteve të ulet për minimum 10 përqind nga çmimi i cili ka qenë paraprakisht para disa muajve ose nga çmimi në korrik ose në gusht” tha ministri Bekteshi.

Ai gjithashtu shtoi se Ministria e Ekonomisë po punon në masa shtesë edhe për distributorët, por edhe për prodhuesit dhe theksoi se nesër ata do të thirren në takim, duke potencuar se ajo çka është më me rëndësi është që konsumatorët e Maqedonisë së Veriut të mos ndjehen të mashtruar.

Ministri i Ekonomisë gjithashtu shtoi se përveç ndryshimeve në çmimet e produkteve bazë do të ketë edhe ndryshime në plotësimin e Ligjit kundër praktikave të padrejta tregtare për Inspektoratin Shtetëror të Tregut ku do të shtohen kompetencat e inspektorëve që ata të munden më shpejtë të veprojnë dhe deri në fund të javës së ardhshme pritet që të miratohen këto ndryshime me të cilat do të bëhet shfuqizimi i gati mbi 20 përqind të shitësve të caktuar në zingjirin tregtar.

Rikujtojmë se ditën e djeshme, Ministria e Ekonomisë ka dorëzuar në Qeveri një propozim-vendim për ndalimin e shitjeve aksionale dhe promocionale nga të gjitha rrjetet tregtare në vendin tonë, i cili do të jetë i vlefshëm deri më 30 nëntor. Kurse, në seancën e ardhshme të Qeverisë do të propozojnë edhe vendim për ngrirjen e çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore, tha Ministri i Ekonomisë.

LEXO: Bekteshi: Do të ndalohet shitja promocionale në markete, pritet ngrirje e çmimeve

Më 1 korrik përfundoi masa për marzhet e ngrira për produktet ushqimore bazë – bukë, sheqer, vezë dhe produkte të qumështit. Me këtë lëvizje, shteti ia lë në dorë prodhuesve dhe tregtarëve që t’i përcaktojnë vetë çmimet sipas kushteve të tregut. Të gjitha të rezervuara për vlerësimet e rritjes ose rënies së çmimeve.