Bekteshi: Nga e mërkura më shumë se 50 produkte ushqimore do të shiten me shenjën “çmim i garantuar”

Në mbledhjen e nesërme, qeveria do të përcaktojë listën e produkteve që nga e mërkura do të shiten me çmim të reduktuar e të garantuar dhe nuk do të lejohen të rriten deri më 30 nëntor. Bëhet fjalë për 25 kategori dhe mbi 50 produkte nga industria e bukës, e mishit, e qumështit, që do të shiten në markete me shenjë dhe do të kushtojnë aq sa janë shitur më 1 gusht dhe në mënyrë shtesë do të ulen me minus 10 për qind. Kështu ka bërë të ditur sot në një konferencë për media ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk.

Lista e produkteve, siç theksoi ministri, është bërë sipas listës së Entit Shtetëror të Statistikave se çfarë shpenzojnë më shumë qytetarët.

Pijet alkoolike dhe joalkoolike nuk janë në këtë listë, por Bekteshi tha se ka besim se edhe ato do të shiten me etiketën “çmim i garantuar”.

“Secili qytetar në shtetin tonë, kur do të shkojë në supermarket do të ketë mundësi që të ketë shenjë, ku do të tregohet çmimi i garantuar dhe shtesë prej kësaj do të dihet se me çmimet që do të jenë me shenjë dalluese, nuk do të mund të ketë rritje përpjetë deri me 30 nëntor”, tha mes tjerash Bekteshi.

Bekteshi bëri të ditur se për mbrojtje më të mirë të konsumatorit, Ministria e Ekonomisë ka përgatitur një zgjidhje të re ligjore për praktikat e padrejta tregtare që përmban mekanizma të caktuar për ndëshkimin dhe abuzimin në pjesën e formimit të çmimeve dhe ky projektligj do të kalojë në Kuvend me flamur evropian. Po ashtu, tha Bekteshi, do të rriten edhe kompetencat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT).

Ministri i Ekonomisë paralajmëroi edhe ndryshime në seksionin e aksioneve që mund të bëjnë tregjet. Ai shpjegoi se stoqet e produkteve do të lejohen me çmime edhe më të ulëta se ato të garantuara. Por nëse ka një veprim për shkak të skadimit të një produkti, kjo duhet t’u nënvizohet qartë konsumatorëve në mënyrë që ata të mos mashtrohen.

Më 13 shtator, Ministria e Ekonomisë ka dorëzuar në Qeveri një propozim-vendim për ndalimin e shitjeve aksionale dhe promocionale nga të gjitha rrjetet tregtare në vendin tonë, i cili do të jetë i vlefshëm deri më 30 nëntor. Kurse, në seancën e ardhshme të Qeverisë do të propozojnë edhe vendim për ngrirjen e çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore, tha Ministri i Ekonomisë.

LEXO: Bekteshi: Do të ndalohet shitja promocionale në markete, pritet ngrirje e çmimeve

Më 1 korrik përfundoi masa për marzhet e ngrira për produktet ushqimore bazë – bukë, sheqer, vezë dhe produkte të qumështit. Me këtë lëvizje, shteti ia lë në dorë prodhuesve dhe tregtarëve që t’i përcaktojnë vetë çmimet sipas kushteve të tregut. Të gjitha të rezervuara për vlerësimet e rritjes ose rënies së çmimeve.