RMV, shpenzimet për akomodim në konviktet studentore kthehen me çmimin e vjetër

Akomodimi në konviktet e studentëve mbetet me çmimin e vjetër, aq sa kanë paguar studentët në vitet e kaluara, sipas vendimit të marrë sot nga Bordi drejtues i Konviktit Shtetëror të Studentëve “Shkupi”, transmeton Portalb.mk.

“Kthimi i çmimeve për akomodim dhe ushqim për studentë, gjegjësisht çmimi prej 3.945 denarë kthehet në 3.645 denarë, njësoj si në vitet e kaluara. Theksojmë se me ngritjen e çmimeve për akomodim dhe ushqim janë marrë parasysh të gjitha shpenzimet e KShS “Shkupi” të cilat janë dukshëm më të larta dhe nuk është shkelur asnjë procedurë”, thuhet në njoftimin e Konviktit Shtetëror Studentor “Shkupi”.

Vendimi, siç thuhet në njoftim, është marrë pas koordinimit paraprak me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe ministrin Jeton Shaqiri.

Siç shtojnë nga Konvikti Shtetëror “Shkupi”, vendimi për kthimin e shumave të vjetra është marrë pas reagimit të studentëve ndaj rritjes së çmimeve, ndërsa përveç kësaj do të kërkohet zgjidhje për funksionimin normal të konvikteve.

Vendimi për rritjen e çmimit të akomodimit dhe ushqimit në konviktet studentore shkaktoi reagime te studentët dhe opinioni i gjerë.

Dje, Rezistenca studentore theksoi se edhe këtë vit 2023/24 studentët po përballen sërish me të njëjtat probleme nga vitet e kaluara.

“Këtë vit qiraja mujore në konviktet studentore është rritur në 3.945 denarë, shpenzime amortizimi 700 denarë, për katër fletë të printuara në format A4 gjatë hyrjes, studentët paguajnë 500 denarë, kurse për kartën fiktive të ushqimit, e cila nuk përdoret fare, 300 denarë”, reaguan nga Rezistenca studentore.

Nga aty shtojnë se një nga skandalet më të mëdha para fillimit të vitit akademik është se studentëve në konvikte u është anuluar mëngjesi dhe në vend që siç thonë ata të kenë rritje të sasisë së ushqimit të subvencionuar të studentëve Ministria e Arsimit dhe Shkencës u shkurton mëngjesin dhe ua rrit qiranë me 30 për qind.

Gjithashtu, shtojnë nga Rezistenca studentore, sa i përket ushqimeve të subvencionuara të studentëve, vetëm dy javë para fillimit të vitit të ri akademik, ende nuk kanë informacion se në cilat vende dhe në cilat ambiente hoteliere do të përdoren mjetet e parapara.

Rezistenca e studentëve ndjek problemet dhe paralajmëron mobilizim masiv të të gjithë studentëve dhe një reagim të ashpër ndaj problemeve studentore që sa vijnë e përkeqësohen çdo vit. Protestat dhe demonstratat janë një nga opsionet, thonë ata.