Bekim Sali nuk jep detaje por thotë se Komisioni për provimin e jurisprudencës e ka kryer punën, rendin e ka Kuvendi

Provimi i jurisprudencës vazhdon të mbetet çështje debati mes opozitës dhe qeverisë në Maqedoninë e Veriut. Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, për Portalb.mk, pa shpërndarë detaje të tjera tha se teksti i Ligjit për provimin e jurisprudencës është përgatitur në afat relativisht të shkurtër nga Komisioni i angazhuar për këtë qëllim. Tani, sipas tij, hapi i radhës është procedura dhe vendimmarrja në Kuvend. Studentët nga ana tjetër, deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre e garantuar me ligj dhe kushtetutë që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Ata thonë se nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje gjysmake, shkruan Portalb.mk 

Ka kaluar gati një muaj që kur zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, premtoi se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave. Pavarësisht këtij premtimi, problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur, ndërsa studentët mbeten peng të politikave dhe mosmarrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit, edhe pse e drejta për të hyrë në provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe u garantohet me ligj.

Sali për Portalb.mk, pa shpërndarë detaje të tjera tha se teksti i Ligjit për provimin e jurisprudencës është përgatitur me profesionalizëm dhe në afat relativisht të shkurtër nga Komisioni i angazhuar për këtë qëllim.  

“Komisioni e ka përmbushur detyrën e tij duke ofruar një zgjidhje konkrete dhe të argumentuar. Tani hapi i radhës është procedura dhe vendimmarrja në Kuvend, në përputhje me procedurat parlamentare. Respektojmë plotësisht rolin e Kuvendit dhe presim një debat konstruktiv për këtë çështje të rëndësishme”, u shpreh Sali. Megjithatë, Sali përveç mostransparencës në ndarjen e detajeve tjera rreth provimit të jurisprudencës, nuk dha asnjë afat kohor se kur pritet zgjidhja e këtij problemi. 

Nga ana tjetër, këtë javë kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur nga gazetarët se për çfarë kanë rënë dakord me partnerët e koalicionit sa i përket çështjes së provimit të jurisprudencës, ai tha se nuk janë marrë vesh për asgjë.

Ndërkohë, aktiviteti i studentëve nuk është ndalur, duke u drejtuar dhe në institucionet evropiane. Gjatë ditës së sotme, Mevlan Ademi dhe Çlirim Iseni, si pjesë e organizimit të protestave, gjatë ditës së sotme kanë njoftuar se janë takuar me deputetët e Parlamentit Evropain, Kathleen Van Brempt dhe Thijs Reuten si dhe këshilltarët për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Joeri Maas dhe Ine Goris. 

Ademi njofton se gjatë takimit kanë diskutuar për situatën shqetësuese të moszbatimit të ligjit dhe të drejtave kushtetuese që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mungesën e implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.  

“Kërkuam që këto çështje të ngrihen si temë në Parlamentin Evropian dhe në institucionet e Bashkimit Evropian, me qëllim që të adresohen shkeljet dhe vonesat në zbatimin e detyrimeve kushtetuese. Gjithashtu, theksuam se çështja e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të trajtohen me prioritet, duke respektuar rolin e tyre si popull shtetformues dhe faktor kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, e jo thjesht si një pakicë etnike”, ka shkruar Ademi në profilin e tij zyrtar në Facebook. 

Më 9 qershor u organizua një debat publik me profesorë universitar, studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Në të u tha se studentët shqiptarë të diplomuar në drejtësi po përballen me një pengesë serioze institucionale, pasi Ministria e Drejtësisë ende nuk ua mundëson dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke i detyruar ata t’i nënshtrohen këtij procesi vetëm në maqedonisht. Të gjendur para këtij diskriminimi që zgjat prej vitesh, studentët kanë shprehur një revoltë të hapur dhe kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, duke kërkuar të drejtën elementare për t’u testuar në gjuhën e tyre amtare. Ky ngërç nuk prek vetëm karrierën e qindra juristëve të rinj, por zvarrit edhe integrimin e tyre të natyrshëm në sistemin gjyqësor të vendit.

Nga ana tjetër, ekspertët juridikë dhe profesorët universitarë alarmojnë se ky bllokim përbën një shkelje të pastër të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili garanton përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore dhe në procedurat zyrtare. Sipas ekspertëve, arsyetimet administrative të ministrisë janë të pabaza dhe shpërfaqin mungesë të vullnetit politik për të siguruar infrastrukturën e nevojshme, siç janë përkthyesit e licencuar dhe materialet adekuate. Ata kërkojnë që institucionet të reflektojnë urgjentisht dhe të zbatojnë obligimet ligjore, në mënyrë që t’i jepet fund praktikës së vjetër të zvarritjes dhe të garantohet barazia e plotë e studentëve shqiptarë në tregun e drejtësisë.

Kujtojmë se, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.  

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e Kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale. Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.