BE-ja kritikon: Progres i vogël në arsim, buxheti nën mesataren evropiane

Maqedonia e Veriut është “mesatarisht e përgatitur” në fushën e arsimit dhe kulturës, thuhet në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e vendit. Në pjesën për arsimin thuhet se është bërë “përparim i kufizuar” në prezantimin e drejtimeve dhe programeve për përforcimin e inkluzivitetit. Implementimi i Strategjisë së Arsimit 2018-2025 vazhdoi të jetë i ngadaltë, raporton Portalb.mk.

“Miratimi i ligjeve kyçe u shty edhe më tej.” Rekomandimet nga raporti i vitit të kaluar mbeten të vlefshme edhe tani. Në vitin e ardhshëm Maqedonia e Veriut duhet të finalizojë dhe miratojë Ligjin për Arsimin e Mesëm dhe Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, si dhe të fokusohet në qendrat rajonale për arsim dhe aftësim profesional. Duhet të miratojë një ligj për arsimin e të rriturve, si dhe ta përmirësojë qasjen në arsim cilësor për të gjithë, sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komuniteti rom. Gjithashtu duhet të rrisë përfshirjen e moshave parashkollore, si dhe të vazhdojë mbështetjen, trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve”, thuhet në Raport.

Në të thuhet se mekanizmat për monitorimin e Strategjisë së Arsimit 2018-2025, dokumenti që e rregullon sektorin e arsimit, nuk janë të definuara mirë.

“Qëllimet dhe treguesit duhet të përmirësohen për të mundësuar vlerësimin e duhur të zbatimit të reformave. Ligji i ri për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, i cili është thelbësor për reformën në arsimin profesional, ende nuk është miratuar. Miratimi i tij është gjithashtu i nevojshëm për të përforcuar rolin e pesë qendrave rajonale të arsimit dhe formimit profesional në vend. Është krijuar një skemë bashkëpunimi ndërmjet kompanive të biznesit, shkollave të mesme profesionale dhe Odave Ekonomike dhe MASH-i duhet ta mbështesë punën praktike të nxënësve nëpër kompani private”, thuhet në Raport.

Përveç kësaj, shtetit i bëhet vërejtje për mosmiratimin e Ligjit për Arsimin e të Rriturve.

Sa i përket parave të cilat Qeveria i ndan për arsimin thuhet se shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin janë ulur lehtësisht në 3.71% të PVB-së në vitin 2022 (3.98% në vitin 2021), që është ende shumë nën mesataren e BE-së, e cila është 5 %.

“Edhe pse është arritur njëfarë progresi në arsimin parashkollor, niveli i përgjithshëm i regjistrimit mbeti më i ulët se standardet rajonale dhe të BE-së, sidomos për fëmijët romë. Duke pasur parasysh se qëllimi i BE-së për arsimim dhe trajnim për edukim në fëmijërinë e hershme dhe kujdesin është të vendosur në 96%, në institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme në vitin 2022 janë regjistruar vetëm 42% e fëmijëve të moshës nga 3 deri në 6 vjeç”, thuhet në Raport.

Ajo që është theksuar si pozitive është se Agjencia Kombëtare për Programet Evropiane dhe Mobilitetin, gjegjësisht përmes programit Erasmus, ka organizuar dhe mbështetur më shumë se 100 aktivitete dhe ngjarje të dedikuara për të rinjtë. Numri i pjesëmarrësve në shkëmbimin e financuar të të rinjve përmes projekteve në vitin 2022 ka qenë 465, ndërsa në vitin 2020 ky aktivitet ka përfshirë 294 nxënës.

Për sa i përket përfshirjes në Raportin e KE-së thuhet se në tetor të vitit të kaluar ka filluar një program i modifikuar për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.

“Byroja e Zhvillimit të Arsimit ka përgatitur udhëzime për zhvillimin dhe zbatimin e një kurrikule të modifikuar për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Byroja gjithashtu ka zhvilluar dy module trajnimi për ekipet shkollore inkluzive, ndërsa kurset janë zhvilluar online. Numri i medijatorëve arsimorë romë është 40, ndërsa në vitin 2021 ka qenë 35, që do të thotë se shërbimet për ta ofrohen në 28 komuna. Në arsimin e lartë autoritetet kanë dhënë 135 bursa për studentët romë”, thuhet në Raport.

Kujtojmë se në Raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut situata me luftën kundër korrupsionit në vend është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU. Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni më poshtë.