Merko ende nuk e ka realizuar premtimin elektoral për rikonstruimin e rrugëve të shkatërruara te “Zona Industriale” në Strugë

Rikonstruimi i rrugëve dytësore te “Zona Industriale” në Komunën e Strugës është një ndër premtimet parazgjedhore që tani për tani vazhdojnë të mbeten vetëm në letër, ndërkaq Komuna e Strugës nuk jep kurrfarë informata nëse të paktën ka plan apo projekt konkret për realizimin e premtimit në fjalë. Opozita komunale thotë se për zonën industriale në Strugë, koha ka ndalur.
Duke u bazuar në situatën aktuale në terren të rrugëve dytësore te “Zona Industriale”, Portalb.mk konkludon se ky premtim infrastrukturorë i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

Screenshot nga programi zgjedhor Agjenda e Blerte
Screenshot nga programi zgjedhor Agjenda e Blertë

Rikonstruktimi i rrugëve dytësore te zona industriale, në sipërfaqe prej 1100 m, ishte një ndër premtimet e projekteve infrastrukture në programin zgjedhor Agjenda e Blertë (Faqe 50) nga kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramis Merko.

Premtimi është bërë në kategorinë “Projekte infrastrukturore 2021-2025”  dhe parashikohet: asfaltim, ndriçim publik, rrejt kanalizimi, kanalizim atmosferik, korsi për biçikleta shtigje këmbësorësh. Në programin zgjedhor, përveç emrit të projektit dhe vizualizimit të premtimit në fjalë, nuk jepen të dhëna të rëndësishme si për shembull kur është paraparë afati i punimeve, sa buxhet do të ndahet për projektin në fjalë, si do të sigurohet buxheti e të tjera.

Sidoqoftë, rikonstruimi i kësaj rruge përbën një projekt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qytetit sepse paraqet një ndër zonat kryesore industriale në Komunën e Strugës.

Përderisa nga Komuna e Strugës nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për informacion me karakter publik se deri ku është realizimi i premtimit në fjalë, ekipi Portalb.mk inspektoi situatën në terren të rrugëve dytësore te zona industriale. Aktualisht në terren nuk kishte ndonjë shenjë që rruga është rikonstruar ose se po bëhen gati fillime punimesh në këtë rrugë. Në fotografitë më poshtë ju paraqesim gjendjen aktuale të rrugëve te “Zona Industriale” në qytetin e Strugës “Marshall Tito”.

Gjatë këtij mandati në krye të pushtetit lokal në Komunën e Strugës, administrata e Ramis Merkos nuk ka pasur asnjë aksion për përmirësimin e gjendjes së zonës industriale. Nga opozita shprehen të shqetësuar me gjendjen reale në Komunën e Strugës edhe përkundër paraqitjes ideale nëpër rrjetet sociale.

Nga ASH thonë se për zonën industriale në Strugë, koha ka ndalur edhe pse në këtë zonë janë bërë dhe po bëhen investime të mëdha afariste dhe i paguhen buxhetit të Komunës qindra mijëra euro taksa. Sipas opozitës nga administrata e Komunës mungon ndihma dhe motivimi i biznesit privat gjë që pengon dhe zhvillimin ekonomik të qytetit.

“E shikoni në foto gjendjen infrastrukturore rrugore te Mini Zona Industriale në rrugën magjistrale Ohër – Qafë Thanë, ku çdo ditë ndërtohen objekte të reja afariste për subjekte juridike private që investojnë miliona euro, nga të cilat paguhen qindra mijëra euro në buxhetin e Komunës së Strugës për taksën komunale për rregullimin e tokës ndërtimore, në të cilat punojnë qindra punëtorë që sigurojnë jetesën për vetën e mijëra anëtare të familjeve të tyre dhe ushqehet e tërë Struga, duket sikur është ndalur akrepi i orës së kohës…. Me këto kushte me kryetar komune i cili është futur në Listën e Zezë të Departamentit të Shtetit të SHBA – ve, që ndërlidhet me korrupsionin dhe pengimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, askush nuk e pret apo beson se administrata komunale e përgjumur, me konflikt interesi të përditshëm dhe me dembelizëm të theksuar do të ndihmojë biznesin privat, e ku me të stimulojë apo të krijojë kushte për zhvillim biznesi”, shtoi Lulzim Nasufi, kryetar i degës ASH-Strugë.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren të rrugëve dytësore te “Zona Industriale”, Portalb.mk konkludon se ky premtim infrastrukturorë i bërë në programin zgjedhor Agjenda e Blertë, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

BURIMET
* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 48, verifikuar më 16.09.2023