Taravari kundër Bujar Osmanit dhe reprizë e zgjedhjeve 2019: Pendarovski kundër Davkovskës

Një ditë para fillimit të afatit për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët presidencialë dhe për deputetë në Maqedoninë e Veriut, në një periudhë prej një ore partitë më të mëdha politike shpallën kandidatët e tyre për president, të cilët duhet të marrin mbështetje në kuvendet e partive në fillim të marsit. Përballja më kryesore në bollkun maqedonas do të jetë mes Stevo Pendarovskit nga LSDM dhe Gordana Siljanovska Davkovës nga VMRO-DPMNE, kurse në bollkun shqiptar mes Bujar Osmanit nga BDI dhe Arben Taravarit nga Lidhja Evropiane për Ndryshim, shkruan Portalb.mk.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski nga kryesia e lartë e LSDM-së në pushtet mori përkrahje për mandatin e dytë, ndërsa kandidati i vetëm i regjistruar në njoftimin publik të VMRO-DPMNE-së është deputetja Gordana Siljanovska Davkova.

Pendarovski dhe Siljanovska Davkova ishin kundërshtarë edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në raundin e parë më 21 prill dhe në raundin e dytë më 5 maj në vitin 2019, kur kreu aktual i shtetit fitoi në raundin e dytë.

LSDM-ja informoi se në mbledhje të kryesisë është vendosur që Stevo Pendarovski të përkrahet si kandidat për kryetar të shtetit. Ky vendim do t’u prezantohet anëtarëve të Bordit Ekzekutiv dhe Qendror të partisë. Siç njoftoi kjo parti, janë planifikuar takime me partnerët e koalicionit për ditët në vijim, ndërsa konventa zyrtare promovuese do të mbahet më 3 mars 2024.

VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, njoftoi se në shpalljen publike të partisë për kryetare të shtetit ka aplikuar deputetja Gordana Siljanovska-Davkova. Kandidimi i saj do të vendoset nga delegatët e Konventës për përzgjedhjen e një kandidati presidencial, e cila do të mbahet më 2 mars 2024.

“Prof. Dr. Gordana Siljanovska Davkova e ka dorëzuar planin, programin e punës dhe numrin e nevojshëm të nënshkrimeve të delegatëve”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

Ali Ahmeti shpalosi kandidatin e BDI-së, ai është shefi aktual i diplomacisë, Bujar Osmani.

Ai theksoi se me Bujar Osmanin po e fillojnë referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin e elektoratit që të zgjedhon presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter për të realizuar vizionin për President konsensual.

Deri tani, kandidatura për president kanë shpallur Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike), E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes, ndërsa kandidaturë të pavarur ka paralajmëruar edhe Velo Markovski.

Kryesia qendrore e GROM-it mbrëmë i dha përkrahje kryetarit të partisë, Stevço Jakimovski.

Ndërsa Mersiha Smailoviq, e cila do të jetë kandidate e Bashkimit Demokratik Boshnjak.

Kandidaturë për president ka shpallur edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i partisë ZNAM.

Afatet e parashikuara

Afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president dhe për kandidatë për deputetë fillon të premten më 23 shkurt dhe do të zgjasë deri më 8 mars, sipas orareve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore, ndërsa kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.
Listat e kandidatëve për kryetar të shtetit pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i dorëzojnë KSHZ-së më së voni deri më 19 mars në mesnatë. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve vlen si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare të 8 majit, do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Zgjedhjet e vitit 2019

Sipas numërimit të 100,00% të votave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, votuesit e vendit në rrethin e dytë në zgjedhjet presidenciale 2019 në Maqedoninë e Veriut kanë votuar në këtë mënyrë:

Për Gordana Siljanovskën 377.713 apo 44,73% e votuesve dhe

Stevo Pendarovskin 436.212 apo 51.66%, i cili me këto vota shpallet president i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Vota të pavlefshme ka 30.442 apo 3,61%.

REZULTATI I ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE
REZULTATI I ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE 2019