Shkup, linja 19 pritet me orë, qytetarët të revoltuar, transportuesit ankohen se NQP nuk u lëshon para

Qytetarët e Shuto Orizares, por edhe disa pjesëve të Çairit, vazhdojnë të përballen me mungesën e autobusëve për t’i kryer obligimet e tyre të përditshme. Linja e autobusit me numër 19, e cila qarkullon Shuto Orizare – Çairi – Qendër – Karposh dhe anasjelltas, vazhdon të jetë ndër më të parregulltat, e për këtë qytetarët detyrohen ose të presin me orë të tëra ose të ndërrojnë nga 2-3 autobusë për t’i kryer obligimet e tyre të përditshme, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se autobusi i linjës 19-të gjatë kohës kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej punës, sipas orarit zyrtar të NQP-së, duhet të qarkullojë në 7-8 minuta, i njëjti qarkullon në gjysmë ore ose në një orë, por ndodh që edhe fare mos të qarkullojë. Qytetarë të revoltuar për Portalb.mk shprehen se çdo ditë po e paguajnë çmimin e paaftësisë së autoriteteve lokale të Shkupit për të rregulluar çështjen elementare të transportit publik. Shfrytëzuesit e linjës 19, thonë se shumë rrallë ka autobusë, por edhe kur vijnë janë të stërmbushur.

Për shkak mungesës së transportit publik, një qytetar për Portalb.mk thotë se është i detyruar ta lë punën.

“Jetoj në Shutkë, punoj në Kumanovë, ndërkaq deri në Bit Pazar duhet të shkoj me autobus që më pastaj të shkoj me transportin e punës në punë. E kam gajle çfarë të shkoj prej Shutkës në Bit Pazar se pastaj prej Bit Pazarit në Kumanovë e kam lehtë. Siç e shihni, nuk ka autobusë. Kam dalë prej shtëpisë në 5 e gjysmë të mëngjesit dhe tani është 5 e gjysmë pasdite dhe unë ende endem rrugëve për të gjetur autobus që të shkoj në shtëpi. Jam i detyruar ta ndërroj vendin e punës”, shpjegon për Portalb.mk një qytetar.

Për këtë problem qytetarët kanë alarmuar edhe në platformën “Duam Çair të Pastër”, të cilët thonë se çdo ditë përballen me mungesë të autobusëve.

“Unë jam një udhëtar që udhëtoj çdo dit me autobusët me numër 9 dhe 19, përherë ka mungesë të autobusëve dhe sot i pyeta disa nga shoferët se pse nuk ka autobusë si shkruan ne ueb-faqen e NQP-së, përgjigjja e tij ishte për t’u habitur. Ai tha se NQP ju ka borxh rreth 4 muaj dhe nuk ju lëshon te holla ende nuk i ka paguar për muajin nëntor, dhjetor, janar dhe tani shkurt. Ata thanë se drejtori i NQP-së i manipulon dhe i gënjen çdo ditë përfaqësuesit e tyre. Pse lejohet ky maltretim kështu, deri kur kështu nuk kemi mundësi çdo dit shërbimet tona t’i kryejmë me taksi. Turp. Kuptohet problemi i transportit publik nuk ju intereson fare funksionarëve pasi ata kanë veturat zyrtare”, shkruan një qytetar.

Mungesën e autobusëve e konfirmojnë edhe vetë transportuesit e linjës 19, të cilët thonë se qytetarët me të drejtë ankohen, por atyre nuk po u jepen paratë për shërbimin e kryer.

“Këtë javë dy ditë me radhë ka vozitur vetëm një autobus 19, pasi që nuk kanë marrë para. Problemi kryesor është që gjithçka është shtrenjtuar dhe ne kemi mbetur me çmim të vjetër. Por, edhe ato pak para nuk na i japin me rregull. Jemi në minus tre muaj e gjysmë. Për veti, i kam lënë gjitha punët e mia në shtëpi, duke i ruajt paratë për naftë që të mos e ndërpres punën, por kjo nuk është jetë. Punon, paret nuk t’i jep me kohë”, thotë për Portalb.mk një pronar i autobusit të linjës 19, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Një tjetër pronar autobusi, gjithashtu që qarkullon në linjën 19, thotë se 5.000 denarë për naftë çdo ditë duhet t’i japë, por para nga NQP mbi 4 muaj nuk ka marrë.

“Mua më kanë borxh mbi katër muaj. Ka kërcënime, nëse flas mund të më prishet marrëveshja dhe të lënë në rrugë, ashtu si na lanë 7 muaj paraprakisht. Me çka të vozis, kur çdo ditë unë duhet t’i japë nga 5.000 denarë për naftë. Veç kush ka biznes të dytë mundet të mbijetojë sepse nuk shkon. Situata është shumë e keqe dhe çdo ditë ka mungesë të autobusëve pasi që shoferët nuk dalin se nuk paguhen”, thotë një pronar tjetër, i cili gjithashtu dëshiron të mbetet anonim.

Transportuesit privat në Shkup janë të rregulluara nëpërmjet tre kompanive, gjegjësisht “Jofi Bus”, “Radost” dhe “Vestor Trans”. Nga kompania, “Radost”, e cila menaxhon me linjën 19, nuk iu përgjigjën thirrjeve tona telefonike e as sms-porosisë. Dy kompanitë tjera, njëra të cilat menaxhojnë tjera linja, njëra tha se “nuk kanë problem me pagesën”, ndërkaq tjetra “nuk kanë koment”.

Në ndërkohë, Portalb.mk dërgoi pyetje edhe deri te Ndërmarrja Publike e Qarkullimit, por edhe prej atje deri në publikimin e këtij teksti nuk ka përgjigje.

Përskaj transportuesve privatë, edhe shoferët e NQP-së disa herë kanë paralajmëruar grevë për shkak se nuk u paguhet rroga në kohë.

Më 16 shkurt, Sindikata e NQP-së paralajmëroi grevë nëse nuk u paguhen pagat, por greva nuk u aktivizua pasi që në moment të fundit NQP lëshoi mjete.

Me 22 janar Shkupi për disa orë mbeti pa transport publik pasi Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk i miratoi subvencionet për NQP që kompania priste për të paguar pagën e dhjetorit. Megjithatë pas një seance të jashtëzakonshme ato u votuan dhe transporti publik u kthye në normalitet.

Tanimë një periudhë të gjatë qytetarët e Shkupit, përballen me mungesë të autobusëve dhe vonesa. Për këtë, autobusët stërmbushen dhe qarkullimi me to përveç që nuk është komod, është dhe i rrezikshëm për shpërndarjen e viruseve. Si rrjedhojë, qytetarët detyrohen të ndezin makinat e tyre private, me çka kontribuojnë shtesë në ndotjen e ajrit të Shkupit, i cili edhe ashtu gjatë këtij dimri, sikur edhe dimrat tjerë, ishte në maje të listave për ndotje.