BDI e premton në 4 palë zgjedhje, Rustemi: Ne ndoshta nuk kemi folur shumë, por kemi bë punë për rrugën Tetovë-Prizren

Kur bëjmë fjalë për magjistralen Tetovë-Prizren duhet të potencojmë se ne në Republikën e Maqedonisë ndoshta nuk kemi folur shumë, por kemi bë punë sa i përket rrugës Tetovë-Prizren. Kështu u përgjigj drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk, në lidhje me atë se nga ana e Kosovës çdo ditë po promovohet, ndërkaq në RMV nuk flitet për aktivitetet e këtij projekti.

“Ne në Ndërmarrjen Publike Rrugët Shtetërore, e kemi porositur dhe e kemi bërë studimin e fizibilitetit dhe në bazë të këtij studimi të fizibilitetit është zgjedhur edhe traseja që duhet të ndërtohet në mes të Tetovës dhe Prizrenit. Gjithashtu, Ministria e Transportit është në komunikim permanent me Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës dhe më versioni i parë për marrëveshje është dorëzuar në Republikën e Kosovës, presim vërejtjet nga ana e tyre t’i shqyrtojmë edhe një herë dhe besoj se deri ka fundi i shtatorit do ta kemi edhe marrëveshjen e cila planifikon projektimin e tunelit të përbashkët. Pra, pas asaj, vazhdojmë me projektimin e rrugës që çon deri në hyrje të tunelit. Së pari, kemi projektin, kemi revidimin e projektit dhe mbas asaj realizimin e punimeve”, tha Rustemi.

Drejtori shtoi se nuk dëshiron të flet për ndërtimin e rrugës, por dëshiron të flet për procedurat që të vijmë deri te fillimi i ndërtimit.

Megjithatë, partia që përfaqëson Rustemi, BDI ka premtuar këtë rrugë katër palë zgjedhje. Rruga do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, por partia shqiptare në pushtet, BDI nuk ka arritur që ta jetësojë këtë projekt me rëndësi të madhe për Kosovën dhe RMV-në.

Portalb.mk, në shkrimet e mëparshme ka bërë përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet:

  • 2011

Programi “Bashkë drejt qëllimit”, 2011

“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.

  • 2014

Programi zgjedhor 2014

Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën

  • 2016

Zgjedhje 2016 – Në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është premtim i dhënë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

  • 2020

Programi i BDI-se zgjedhje parlamentare 2020:

Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Më 16 gusht, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Alium, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, e ka vizituar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin, mes tjerash ka folur edhe për rrugën Tetovë-Prizren.

Vizita e ministrit Aliu erdhi vetëm disa ditë pas vizitës së kryeministrit Albin Kurtit në Shkup dhe Tetovë, ku ai u takua vetëm me përfaqësuesit e opozitës shqiptare.

Gjatë vizitës në Tetovë, Kurti vizitoi fshatin Vicë ku foli për rrugën që duhet të çojë për në Prizren, por nëpërmjet këtij fshati nuk do të shtrihet traseja e zgjedhur nga Qeveria, pasi që rruga parashikon të nis nga Tetova, nëpërmjet Kodrës së Diellit, Shipkovicës dhe mbaron në Brodec.