BDI dhe VLEN përsëri me akuza ndaj njëra-tjetrës për fshehje pasurish dhe çështjet e arsimit në shqip

BDI edhe sot ka akuzuar se Nedim Ramën, i afërt me Izet Mexhitin, nuk ka deklaruar pasuri pranë institucioneve përkatëse dhe se një kompani e lidhur me të ka marrë pagesa nga institucione publike. Sipas BDI-së, çështja lidhet me konflikt interesi dhe kërkohet hetim nga organet kompetente. Nga ana tjetër, VLEN ka reaguar duke kritikuar BDI-në për qëndrimet e saj politike dhe për mënyrën se si janë trajtuar për vite të tëra çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, përfshirë edhe mundësinë e dhënies së provimeve profesionale në gjuhën shqipe. Sipas VLEN-it, nevojiten zgjidhje konkrete dhe jo, siç thonë ata, deklarata politike, transmeton Portalb.mk.

“Sot, ironia politike arrin kulmin. Bujar Ahmeti, nipi i Ali Ahmeti, i cili ka qenë zëvendës-anëtar në komisionin për dhënien e provimit të jurisprudencës, provim që zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, u pa në protestën e studentëve që kërkonin pikërisht mundësinë për ta dhënë këtë provim në gjuhën shqipe. Prandaj shtrohet pyetja: kundër kujt proteston Bujar Ahmeti? Kundër vetvetes si pjesë e sistemit që për vite të tëra e mirëmbajti këtë padrejtësi? Apo kundër axhës së tij, Ali Ahmetit, i cili për më shumë se 22 vite ishte në pushtet dhe emëroi ministra të drejtësisë që nuk ndërmorën asnjë hap për ta zgjidhur këtë çështje? Për më shumë se dy dekada, BDI manipuloi shqiptarët me premtime për avancimin e të drejtave, ndërsa studentët shqiptarë vazhduan të përballen me pengesa dhe diskriminim institucional edhe në proceset më themelore profesionale. Studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për fotografi dhe aktrim politik. Ata kanë nevojë për zgjidhje konkrete, të cilat BDI nuk i dha për 22 vite me radhë”, thonë nga VLEN.

BDI  nga ana tjetër thotë se nuk ka deklaruar asnjë pasuri në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Sipas tyre, deri vonë, Nedim Rama bashkë me Xhelal Zendelin kanë qenë pronarë të kompanisë HOSTMK LTD DOO Shkup, e cila merret me shërbime IT dhe hostim të faqeve të internetit.

“Ndër vite, kjo kompani ka marrë dhjetëra pagesa nga shkolla, institucione kombëtare dhe komuna për mirëmbajtjen e faqeve të tyre të internetit. Por, imagjinoni arrogancën. Në korrik të vitit 2023, derisa Nedim Rama ishte i punësuar në Komunën e Çairit, kompania e tij HOSTMK LTD DOO Shkup ka marrë pagesë prej 70.446 denarësh pikërisht nga e njëjta komunë! Të dhënat tregojnë se Nedim Rama ka realizuar të ardhura përmes kësaj kompanie edhe derisa ishte drejtor i NOMAGAS-it. Ndërkohë, në Antikorrupsion nuk ka deklaruar asnjë pasuri. Tani, Nedim Rama po përpiqet pa sukses të fshehë gjurmët e pasurisë së padeklaruar dhe të parave të fituara ndër vite. Dokumentet nga Regjistri Qendror tregojnë se Rama dhe Zendeli në fillim të prillit kanë dorëzuar kërkesë për ndryshimin e emrit të kompanisë dhe fshirjen e pronësisë së tyre. Kërkesa është miratuar më 4 maj dhe prej atëherë HOSTMK LTD DOO Shkup e ka ndryshuar emrin në DRIVE RENT DOO SHKUP. Që atëherë, pronar dhe menaxher i vetëm i kompanisë është bërë Sunaj Aziri, i cili sipas informatave të BDI-së është person nga rrethi i afërt i Izet Mexhitit. Kompania vazhdon të mbetet në të njëjtën adresë që më parë figuronte nga pronarët Nedim Rama dhe Zendeli. I bëjmë thirrje KShPK-së dhe institucioneve kompetente që menjëherë të hapin procedurë për këtë konflikt evident interesi dhe fshehje të pasurisë. Nedim Rama duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe morale për çdo denar të paguar nga xhepi i qytetarëve!”, thonë nga BDI.

Reagimet dhe akuzat e VLEN dhe BDI, vijnë pasi ditë më parë, gjatë zhvillimit të protestës studentore në Shkup, studentët shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke e lidhur këtë me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe të drejtave të garantuara. Protesta u shoqërua me vonesa, ndalesa policore dhe disa arrestimeBDI dhe përfaqësues të tjerë e kanë cilësuar trajtimin e studentëve si presion institucional dhe shkelje të të drejtave, ndërsa pala tjetër dhe institucionet theksojnë se çështja është profesionale dhe jo politike, duke akuzuar për politizim të protestës.