Autobusë të organizuar për protestën në Shkup u ndaluan nga Policia, por MPB e mohon
Policia ka vonuar nisjen e protestës së studentëve shqiptarë në Shkup për shkak të ndalesave që u kanë bërë grupeve nga Tetova dhe Gostivari. Studentët janë mbledhur për të protestuar lidhur me provimin e jurisprudencës dhe kërkesën që ai të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Marshimi ishte paraparë të nisej nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë në orën 16:30, transmeton Portalb.mk.
Sipas organizatorëve, vonesat kanë ndikuar në fillimin e protestës. Pritet mbërritja e protestuesve nga Gostivari, ndërsa protestuesit nga Tetova sapo kanë mbërritur.
Në lidhje me protestën ka reaguar edhe aktivisti dhe organizatori Mevlan Ademi, i cili më herët ka raportuar edhe për raste të ndalimeve në pika kufitare dhe ka paralajmëruar reagim nëse nuk ka zgjidhje institucionale, duke përmendur edhe marshim drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Policia ka ndaluar disa autobusë nga Kumanova, si dhe një autobus me protestues nga Tirana.
“Protesta pritet të fillojë në çdo moment, por policia ka ndaluar studentët nga Tirana dhe po kontrollon një nga një. Edhe studentët nga Tetova dhe Kumanova janë ndaluar nëpër pika pagesore”, tha Ademi.
Në lidhje me situatën, Portalb.mk ka kërkuar sqarim nga Ministria e Punëve të Brendshme për arsyet e ndërhyrjes dhe vonesave, por ata thonë se nuk ka pasur ndalesa, pavarësisht se pamjet flasin të kundërtën.
“Ju informojmë se aktualisht nuk ka mbingarkesë në asnjë pikë kalimi kufitar. Gjithashtu ju informojmë se asnjë automjet nuk është penguar të lëvizë ose të hyjë në vend”, thonë nga MPB.
Studentët kërkojnë zbatimin e Ligjit të Gjuhëve dhe mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa çështja vazhdon të mbetet e pazgjidhur pavarësisht premtimeve nga autoritetet.